Dita e flamurit dhe shpirti fisnik i një poeti të talentuar

Kultura

Dita e flamurit dhe shpirti fisnik i një poeti të talentuar

Nga: Alban Voka Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 12:19
Dedë Preqi

Dedë Preqi është autor i një numri të konsideruar veprash me karakter letrar dhe publicistik.Dashuria është mbretëresha e ndjenjave, kimia e trurit dhe kënga e shpirtit. Poezia është rreze dielli që shkrep në mesnatë. Ajo është shpirti që prehet në prehërin e dashurisë. Poezia e Dedë Preqit ka erëtimën e barit të kositur, shungullimën e lumit të Gjakovës, trokitjet e gurit të mullirit, aromën e luleve të parajsës në shtratin e fjalëve. Poezia e tij është zjarri i dritës së fshehur në fjalë. Shkrimtari është qenja më e ndijshme dhe më e shenjtë e një populli. Poezia është pjellë e imagjinatës dhe arti i nusërimit të fjalës me fjalë. Nëna e poezisë janë iluzionet dhe ëndrrat.

Poezia e Dedë Preqit është takimi me Zotin, bekimi i lotëve, loti i syrit të vetmisë, shija e puthjes së parë, një ikonë e gjallë dhe zëri i zjarrit të zemrës së magjepsur. Ajo është pasqyra e shpirtit, simbol i dhimbjes dhe hijeshive të jetës. Poezia është kështjella e ndjeshmërisë dhe vrrulli i dashurisë, dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat.

Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla kritike që përfaqësojnë opinionin tim për për shpirtin fisnik të një poeti të talentuar. Botimi i veprave të tij në Bukureshtin e rilindsëve tanë pat zgjuar një interes të jashtëzakonshëm në rendin e kritikëve letrarë dhe të poetëve rumunë dhe shqiptarë. Përmes veprave të tij, autori konfirmon bindjen e një mendimtari të huaj se arrin përmes profesionalizmit dhe mbahesh përmes karakterit. Përzgjedhja e teksteve lirike të Dedës, është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka krijuar poezia e tij në gjuhën shqipe, rumune e gjermane.

Poezia e Dedë Preqit ndodhet mes dy shqetësimeve që brejnë vetëdijen e një artisti që nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: ide fisnike, fenomeni i ndërgjegjes morale, shorti i komunitetit, fati i kombit si një shqetësim i rëndë historik, përjetime intime. Për pasojë, në ligjërimin e tij poetik dallohen disa zëra që marrin tonalitete të ndryshme, varësisht nga gjendja në të cilën ndodhen dhe nga ajo çka duan të sugjerojnë. Prandaj poezia e Dedës alternohet në këto rrafshe bazë dhe merr nuanca të ndryshme në tekstin poetik. Nga njëra anë kemi një ton të rëndë, dramatik të mbushur me ngjyra tragjike në një dialog ekzistencial me vdekjen dhe nga ana tjetër kemi një hipostazë të një shpirti të butë, fisnik dhe të brishtë që bie në terrenin e një lirizmi të pastër. Shpesh herë këto dy regjistra përzihen në një, sepse gjakimet intime të poetit marrin kuptim në një kontekst më të gjerë: “Të dua me lot/ Me lot të mërguar/ Zemra ma thotë/ Kosova ime e bekuar./ Mërgimi më djeg/ Mallin nuk ma heq/ Jam shkëmb i motëve/ Me bekimin e lotëve./ / Do të vdes/ Me lot në sy/ Kosova ime/ Vetëm për Ty.” (Bekimi i lotëve)

Dedë Preqi përçmon imoralitetin, pornografinë, banalitetin dhe regjistrat e ulët të ligjërimit. Ai çmon aktin poetik si një proces të epërm shpirtëror dhe estetik. Poeti di t’i japë trajta serioze trishtimit, sepse ai dëshmon që trishtimi i tij nuk është vanitoz, nuk është një trill poetik a pozë, por trishtimi që të kaplon nga dhimbja fizike e shpirtërore nga dhimbje reale që shkaktohet në rrethana tragjike. Trishtimi gjeneron zakonisht tekst, tragjeditë e rënda krijojnë një shok psikologjik që të le pa fjalë. Poeti i ndodhur në zgrip të jetës, pjesëmarrës në ngjarje të rënda për të dhe popullin e tij, di të çlirojë gjendjet shpirtërore dhe përjetimet në poezi. Poeti është një rrëfimtar-dëshmitar i njërës prej tragjedive më të rënda të shekullit të XX, luftës së Kosovës. Në vëllimin Bekimi i lotëve poeti mbart dhimbjen e thellë të varfërisë, trishtimin brerës, pikëllimin gërryes, kujtimet e rënda, bukën e përditshmërisë sonë: “Një copë bukë/ Për një copë jetë,/ E përlyer me gjak/ Një copë lak./ Një copë bukë / Në nofulla graniti,/ Të thyhet zemra/ E copëtohet shpirti.”

Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Deda në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij: “Jeta matet me hapa/ hapëron dy hapa para,/ tre rrëshqet mbrapa./ Sy mbyllur nuk matet jeta/ nëse me kohën s‘hapëron,/ ajo e merr kahjen pa timon./ I dehur e syçelë/ mbahesh për muri,/ gjurmët mbesin mbrapa/ epitafin e shënon në guri./ Nuk mundet njeriu/ t‘i numërojë hapat e vet,/ vetëm kur i ngadalëson/ një ditë në stacion…” (Hapat me jetën).

Sintaksa (si kombinim gjuhësor dhe si kombinim imazhesh) është tejet plastike. Dedë Preqi dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për të hetuar jetën, natyrën dhe botën, por mbi të gjitha ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërës të poezisë së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poemës: “Gjurmëve të jetës/ trokun e vazhdojmë,/ kujtimet para syve/ngjyrat i ndërrojnë./ I lus kujtimet të kthehen/ çdo gjë thyhet në pritje,/ vetëm kujtimi i fjetur mbetet./ Bjeshkët puthën në largësi/syri mik i bashkon,/ njeriu vdes i ri/ ecjen tjetri e vazhdon.” (Troku i jetës)

Poezia e tij është moderne. Autori din të peshkojë tema të vjetra, një fond leksikor nga poezia e traditës, por, ashtu siç ndodh në pikturën moderne, ai merr në konsideratë objektet në hapësirë që zotërojnë të gjitha elementet e drejtpeshimit, të vëllimit, të qendrës së gravitetit, peshën e fjalës, thellësinë e ndjenjës etj. Që këtej mund të themi se dhe në vargjet e dedës kemi të bëjmë me një largim të çdo subjektivizmi. Përshkrimi i tij nuk është vetëm një shprehje e shpirtit, por një ekzistencë organike, objektive, një bërthamë e doktrinës të realizimeve bashkëkohore. Poeti sjell në tekst fraza tejet plastike, me një imagjinatë të bujshme, në një përshkrim të bukur të një atmosfere që na çon në një terren real, origjinal dhe aktual: “I ngarkuar me plot yje në shpinë/ rrugët ma falën dhëmbjen,/ gurët memec përgjysmë i ndava/ i luta, mos e mallkoni etjen!/ Me lotin e qepallave/ brumin e laga si me dush,/ me ujë shiu sytë i shpërlava/ i tëri malli i fëmijëve prush.” (Dola)

Në këtë rast, poezia pushon së qeni si subjekt, në vend të fotografisë, apo të një rrëfimi-riprodhues. Elemente të konsideruara në hapësirë, kapin një ekzistencë akute. Fraza bëhet e shndritshme, me një rend të vetin. Poezia e Dedë Preqit mund të klasifikohet si: erotike, kombëtare dhe historike. Poezia e tij shndërrohet në një poezi universale-njerëzore. Një element përbërës i detajeve inspiruese të dedës është ëndrra. Ëndrra nuk është një dukuri vetëm fiziologjike në tekstin poetik, por më shumë si një realitet onirik i gërshetuar me realitetin. Poeti nuk ve në qendër të poezisë së tij ëndrrën, por një dimension të realitetit të tij. Më shumë kemi të bëjmë me një ëndërr të ndërprerë, të shkëputur: “Disa herë në gjumë/ kthehem e thehem,/ me trupin e lodhur./ I lutem kujtimit/ të paktën sonte/ të mos vdes!/ Numëroj gjenetikën/ anëtarët e familjes,/ të gjithë me rend/ deri në mëngjes.” (Tretem).

Derisa misioni elementar i poetit qëndron në aë që t'u japë kuptim gjërave, jetës dhe vdekjes, poetizimi duke u bërë ekuivalenti i vdekjes në tekst, i flijimit në letër, me implikimet e veta ekzistenciale, poeti bëhet kësisoj ai që e ngre historinë në dimensionet e mitit, e transformon zgjatshmërinë profane në epos homerik, botën kalimtare në një botë të përjetshme: atë të arketipave mitike që shërbejnë si model për çfarëdo qoftë aktiviteti njerëzor të rëndësishëm. Respekt dhe admirim autorit në 66 vjetorin e lindjes së tij! (Bukuresht, Vjeshtë 2021)

KRENARI KOMBËTARE QË NUK SHUHET KURRË

Çdokush që i rikthehet Vlorës kreshnike të 28 Nëntorit, rilindësve tanë, betejave të lavdishme të Skënderbeut, lashtësisë enigmatike shqiptare, do të konstatojë se historinë tonë e fisnikërojnë shembuj të shkëlqyer të shqiptarizmit. Familja, flamuri, gjuha e kombi janë dhunti të shenjta. Hymni kombëtar dhe Flamuri Shqiptar janë sintagma që ndërlidhen me atdheun dhe frymëzimet e atyre që dinë të ndjekin në jetë një ideal të lartë me moral ideal. Atdhetarë të përkushtuar janë ata që dinë t’i frymëzojnë gjeneratat e reja me atdhetari dhe qytetërim, me bashkim, unitet dhe prosperitet, me vepra konkrete në shërbim të shqiptarizmit dhe respekt ndaj simboleve të kombit. Janë ata që ia kujtojnë ushtarakut dhe çdo shqiptari, detyrën e shenjtë për mbrojtjen e atdheut. Duke qenë ndër më të vjetrit dhe më të bukurit në Evropë, flamuri ynë është dëshmi historike dhe vlerë e lartë, simbol i shenjtë që duhet të duhet, të ruhet dhe mbrohet, me dashuri, vigjilencë dhe trimëri.

Jemi bij të një kombi kreshnik, i gatshëm të të ngrejë në qiell po qe se këtë ndjenjë të shenjtë të atdhedashurisë e dëshmon edhe me fakte konkrete. Jemi popull i mrekullueshëm, në të gjitha pikëshikimet. Askund në botë, nuk mund të gjesh solidaritet më legjendar me rastin e pjesmarrjes masive në varrimin e heronjve të kombit, se sa te shqiptarët e Kosovës. Askush nuk mund ta harrojë heroinën e Prishtinës që hidhet nga ballkoni mbi tankun e okupatorit serb, e mbështjellë me flamurin tonë të shenjtë. Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë. Historia shqiptare është e shkruar me gjak. I panumërt është numri i atyre që ranë nën hijen e flamurit, duke dhënë jetën për një ideal të shenjtë: për ritkthimin e trojeve stërgjyshore në trungun natyror të Shqipërisë historike. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte shprehja simbolike e Shpalljes së Pavarësisë. Flamuri ynë është krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë. Dha Zoti që një ringritje të këtillë madhështore ta përjetojmë edhe me rastin e Bashkimit të Madh Kombëtar, sepse Kosova kreshnike dha mijëra martirë për çrobërimin e saj.

Dita e Flamurit është fryma e Shqipërisë Etnike. Për publicistin Skënder Zogaj, Dita e 28 Nëntorit, që nga viti 1912 është festë shpirtërore e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe të cilët, në mos paqin guxuar që ta festojnë legalisht, e kanë festuar ilegalisht. Sipas ish Presidentes Atifete Jahjaga, kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë. Zonja Mimoza Lakna thekson se Dita e Flamurit është festa që bën bashkë dhe ngrit peshë shpirtin shqiptar.

Simbol i flijimit, qëndresës, bashkimit dhe ardhmërisë

Gazeta “Drita”e Tiranës (“Organ parimesh nacionaliste”), e drejtuar nga Dr. Zoi Xoxa, konsiderohet si një tribunë e rrallë e atdhetarizmit shqiptar. Duke shfletuar numrin 307 të saj (botuar më 28 Nëntor të vitit 1937), konstatojmë se kemi të bëjmë me vlera të larta të publicistikës shqiptare. Tema qëndrore e subjekteve të dinamizuara me fotografi të rralla historike, ka të bëjë me Lidhjen e Prizrenit, veprimin patriotik të shqiptarëve të mërgimit, Kosovën historike dhe 25 vjetorin e Pavarësisë. Në 20 faqet e saj defilon shpirti shqiptar i botës shqiptare në kohën e Mbretërisë. Gazeta hapet me artikullin-bazë “Flamuri dhe Mbreti”.

Flamuri, sipas artikullshkruesit anonim, simbolizon jetën e një populli. “Ranë trimat, vdiq Gjergj Kastrioti, Flamuri u fsheh nëpër arkat e moçme të gruas shqiptare, e cila dijti t’i ruajë gjithmonë me devotshmëri të thellë kujtimet e shtrenjta. Kush e din se sa herë, duke e shikuar fshehtazi atë Flamur, nana shqiptare derdhi lot për djemtë që i kishin ra therorë me atë në krye, kush e din se sa herë, duke e puthur dhe vu në ballë, Virgjëreshat arbërore vajtuen të fejuemin, vëllanë, atin qi mbet në fushë të nderit. Gjaku i dëshmorëve nuk shkoj kot: Flamuri i tyne, Flamuri që që ndigjoi kangën “Ja vdekje, ja liri”, ka gjetë sot Shampionin e Math që po ringjall krenaritë Skënderbegiane. Urojmë që populli Shqiptar të tregohet gjithmonë i denjë për krenarinë e emblemit të vet”.

Të panumërt janë poetët tanë i kanë kushtuar qindra vjersha këtij simboli të bukur, që nga rilindësit tanë e deri te shkollarët e ditëve tona. Asdreni i pavdekshëm, që kur e pa të qëndisur nga Spiridon Iloja në Bukuresht, e konsideronte flamurin si “engjëll i lirisë”, “engjëll i shpëtimit”. Patrioti korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, qysh më 1934 i drejtohet kësaj vlere kombëtare me këto fjalë: “O Flamuri i Shqipërisë/ me Shqiponjën e Lirisë/ Ku ke qenë do të jesh/ Në Kosovë do të vesh/ Tjetër flamurë të rrëzosh/ Vetëm tinë të valosh”. Bijtë dhe bijat e shqipes po shtohen si lulet e pranverës. Ata e parandjenin se do të vijë koha kur “Flamuri i Shqiptarit/ Do të valojë, edhe në majë të Sharrit”. Eseistët tanë kanë shkruar për kultin e tij duke e konsideruar si “simbol i flijimit”, “simbol i qëndresës”, “simbol i bashkimit”, “simbol i ardhmërisë”. Sivëllezërit tanë e kanë skalitur shqiponjën e tij në banknota, emblema, ballina godinash, tagra automjetesh, pulla e kartolina postare, ballina revistash, duke botuar madje edhe gazeta me emrin e tij. Po i përmendim vetëm disa:

Fiamuri i Arbërit(La Bandiera dell’Albania), e përmuajshme që e drejtonte në gjuhën shqipe Jeronim de Rada në Kozencë të Italisë (1883-1887); Flamuri i Shqiperis (La Bandiera Albanese), e drejtuar prej prof. Gjusepe Skiros në Napoli, më 1904; Flamuri, fletore e përjavshme, që e drejtonte Faik Konica në Boston, më 1910, me moton “Vetqeverim për Shqipërinë”, me Kryefjalën “Shqipëria për Shqipëtarët” dhe me Porosinë “Mos harroni Skënderbenë, Bashkimin, Krujën, Flamurin!”.Flamuri’ i Shqipërisë(1915), gazetë politike e shoqërore, organi shqiptarëve të Rumanisë që dilte në Konstancë me moton: “Kudo që vete/ Kudo që të jesh/ Mëndjen për Shqipëri ta kesh!”. Gazeta botohej me një mision të lartë patriotik, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të shtetit shqiptar, duke pasqyruar, paralelisht me këtë, edhe veprimtarinë e atdhetarëve të mërgimit. Vijnë pas saj: Flamuri, e përjavshme politike, ekonomike dhe letrare., e drejtuar në Tiranë, më 1922, prej Kristo Luarasit; Flamuri, organ i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, e përdyjavshme politike, Tiranë, 1944, dhjetra gazeta e revista tjera me flamurin në ballinë si Besa e Stambollit, Shqiptarii Bukureshtit, Kuq e Zi e Brukselit etj. (Baki Ymeri)

SHKURTIMISHT PËR BUKURESHTIN

Bukureshti sipas Lasgush Poradecit: “Lëvizja shqiptare për të fituar lirinë dhe kombëtarësinë e humbur mori fill në qindjvjetorin e shekullit nëntëmbëdhjetë brënda kollonive të mërgimit, dyke patur si udhëheqëse më të vendosur dhe më të madhe atë të Rumanisë me kryeqendër Bukureshtin. Në Bukuresht u themeluan shoqëri dhe shtypëshkronja dhe gazeta dhe shkolla dhe kisha dhe xhamija më e parë shqiptare ndër gjithë popujt ballkanikë të robërisë”. Kolonia e Bukureshtit, sipas tij, „jo vetëm që e fitoi famën e saj të pavdekur si veteranja e veteraneve me një vepërim politik të shumëanshëm, po veçanërisht dhe sipër së gjithash, ajo u shqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brënda Shqipërisë. Ajo shtypi librat e Naim Frashërit dhe të Asdrenit, që përflaknë të rinj e pleq me zjarrin e përvëluar të atdhedashurisë. Ajo e përmbajti në gjirin e saj dhe përtej, shpirtin e kombit të etur për liri dyke e nxitur pa pushim në punë vetëtherrorije, dyke i rrëfyer me njëmijë shëmbëlla udhën e shenjtë që shpinte për në jetën e pavarur të shtetit shqiptar të ardhshëm”. (Alban Voka)

DISA MENDIME

Shqiptarit i ka hije fjala, besa, krenaria, mikpritja dhe bujaria. Shqiptarët janë të etshëm për muhabet dhe qerasje. Shqiptari për mik e len kryet. Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe shtegtarit. Shqiptari për nderë përmendet përtherë. Toskë e gegë janë pemë nga një degë. Vlera e njeriut matet me punën e tij letrare, artistike dhe shkencore. Shkenca dhe dashuria e vërtisin botën. Pena e shkencëtarit vlen më shumë se shpata e luftëtarit. Zgjidhi miqët dhe fjalët, ngase miqësia është një dhuratë e çmuar të cilën e meritojmë vetëm atëherë kur kemi nevojë për të. Fjala e ëmbël thërret miq. Ajo zbut dhe pajton armiq. Duaje atdhenë si shqiponja folenë! Dashuria është thelbi dhe zemra e shqiptarisë. Ndihmo të të ndihmojnë dhe duaj të të duan, ngase miku i mirë njihet në ditë të vështira, kurse buka e ndarë në dy pjesë shndërrohet në diell. Gruaja ështrë dielli i shtpisë dhe drita e gjithësisë. Nuk bëhet vreshti me urata, por me shata e me lopata. Me kujdes matet dashuria, ndërsa mençuria e bën njeriun durimtar, dhe mu për këtë thuaj mençurisë: Ti je motra ime! (B. Y.)

Post Scriptum: Këto janë disa fragmente nga revista „Shqiptari” kushtuar Ditës së Flamurit dhe Zt. Dedë Preqi, të cilin e falënderojmë përzemërsisht për kujdesin dhe kontributin simbolik, që kjo revistë (më e vjetra e Diasporës Shqiptare), ta shohë edhe më tej dritën e botimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat