Ulqin, ekspozita e 100 vjetorit të Hasan Prishtinës si kryeministër i Shqipërisë

Kultura

Ulqin, ekspozita e 100 vjetorit të Hasan Prishtinës si kryeministër i Shqipërisë

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 22:41
Roli i Hasan Prishtinës në këtë ekspozitë, përshkruhet si një individ, i cili frymëzoi në kryengritjet që kulmuan me çlirimin e territoreve shqiptare

Në Ulqin është hapur ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës, në 100 vjetorin e veprimtarisë së tij si kryeministër i Shqipërisë.

Roli i Hasan Prishtinës në këtë ekspozitë, përshkruhet si një individ, i cili frymëzoi në kryengritjet që kulmuan me çlirimin e territoreve shqiptare.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani, vuri në dukje rolin atdhetar të Hasan Prishtinës.

“Ne kemi dëshiruar që përmes këtyre aktiviteteve, duke shënuar veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës, i cili ka dhënë gjithçka për ta arsimuar këtë popull dhe për ta drejtuar aty ku duhet. Hasan Prishtina i dha drejtim unifikimit kombëtar dhe krijoi bashkëpunim dhe përkrahje me aleatët tanë natyrorë që në atë periudhë kohore ishte AustroHungaria, ndërsa jo rastësisht komunikon edhe me presidentin Uillson”, tha zoti Asani.

Drejtoresha e Drejtorisë së Evidencave dhe Komunikimit në Tiranë, zonja Elsa Saka vlerëson rolin e institucioneve publike në ruajtjen dhe konservimin e trashëgimisë arkivore.

“Ne si Drejtori e Përgjithshme e Arkivave ruajmë një memorie historike shumë të pasur kombëtare dhe mundohemi që ti sjellim për publikun përmes formave të stendave, siç janë ekspozitat si rasti konkret. Mezi presim që në qytetin e Ulqinit të hapim këndin tonë arkivor që studiuesve dhe qytetarëve tu japim mundësi që të gjitha këto pasuri kombëtare, që ne ruajmë në arkiv, ti studiojnë nga Ulqini pa qenë nevoja që të vijnë te institucionet përkatëse, siç është rasti i kësaj ekspozite”, tha zonja Saka.

Pasardhësi i familjes Prishtina dhe bashkëorganizatori i ekspozitës, Mehmet Prishtina shprehu gatishmërinë që kjo ekspozitë të mbetet e përhershme në qytetin e Ulqinit.

“Në Ulqin duhet gjetur një hapësirë ku ekspozita e Hasan Prishtinës të jetë e përhershme. Nëse kjo hapësirë caktohet unë jam shumë i gatshëm që këtë ekspozitë t’ia bëjë dhuratë Kuvendit Komunal të Ulqinit”, tha zoti Prishtina.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika tha se ekspozita për veprën dhe jetën e Hasan Prishtinës do të paraqitet edhe në trevat tjera të shqiptarëve në Malin e Zi.

“Kjo ekspozitë duhet t'i prezantohet edhe qytetarëve tjerë shqiptarë në Malin e Zi. Prandaj ditëve në vijim ekspozita do të hapet edhe para qytetarëve të Tuzit, në Malësi si dhe në Plavë dhe Guci me qëllimin e vetëm të ngritjes së vetëdijes kombëtare, sidomos për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare, “ tha zoti Nika.

Hasan Prishtina ishte kryeministri i parë jashtë kufijve shtetërorë, por që pati një ndikim të fuqishëm në krijimin e shtetit shqiptar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat