Gjaku i Patër Andrea Gjekajt ripërtriu famullinë françeskane dhe shqiptare

Kultura

Gjaku i Patër Andrea Gjekajt ripërtriu famullinë françeskane dhe shqiptare

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 20 janar 2022 Në ora: 09:10
Foto ilustrim

Ky martir i kishës dhe i kombit kontribuoi me frymëzim, përkushtim, bindje dhe liri, mbi të gjitha me fe dhe me dashuri. Me jetën dhe veprën e tij dëshmoi dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj popullit. Tregoi vetëdijen e lartë fetare e kombëtare, duke u ballafaquar me rrethana shumë të rrezikshme dhe të ndërlikuara. I tillë ishte dhe mbeti në jetë dhe në martirizim.

I frymëzuar nga feja dhe atdhedashuria përballoi vdekjen dhe me gjakun e tij vulosi përcaktimin e tij e lartë dhe të guximshëm: Të vdesim po, të tradhtojmë jo! Nuk arriti në martirizim rastësisht. Mundimet e Krishtit ishin ngulitur në mendjen dhe zemrën e tij.

Për Patër Andrenë kronikat e kohës thonë se kishte një karakter të përvuajtur. Ishte i thjeshtë, komunikues, shumë i zellshëm, korrekt, zemërgjerë dhe guximtar, punëtor i palodhur. I dashur me prej besimtarëve. Një frat që kishte vullnet të mirë dhe bënte gjithçka mundte për të mirën e popullit dhe të Kishës Katolike Ai ishte i prirë drejt rrugës së shenjtërisë. E në fakt qe një njeri i përshpirtshëm.

Varrosja në Kukël dhe rivarrosja në Velipojë

të dhënat e hulumtuara deri më tani rezulton se Patër Andrea u varros në Kukël, fshat i vogël në afërsi të Bushatit, jo larg Lezhës, ku shërbesat i mbajti famullitari dhe poeti i madh i letrave shqipe Ndre Mjeda, me të cilin ai bashkëpunoi, sikurse edhe me Atë Gjergj Fishtën dhe me Patër Anton Harapin. Më vonë, siç thonë, disa të afërm të tij e rivarrosin në mënyrë të denjë në oborrin e Kishës së Pulave në Velipojë, në afërsi të Shkodrës, duke besuar e shpresuar se pikërisht atje pushojnë eshtrat e tij.

Regjimi i egër komunist në Shqipëri zhduki çdo gjurmë të tij, sikur të gjithë klerikëve të tjerë të krishterë e myslimanë të cilët i torturoi dhe i pushkatoi pa gjyq e pa faj. Për këtë arsye ende nuk u gjetën eshtrat e tij, si shumë figurave tjera fetare e kombëtare. Megjithatë trupi i tij ende jeton në zemrën, mendjen dhe kujtesën historike të besimtarëve dhe të pasardhësve të tij.

Përjetësimi në vargje

tragjike e Atë Andresë e frymëzoi pasardhësin e tij, famullitarin e Trieshit , Patër Zefin Jankaj që të shkruaj një poezi , të botuar në revistën “Drita” të Kosovës. Me këto vargje Patër Zefi e përjetësoi jetën dhe veprimtarinë e meshtarisë dhe atë kombëtare të Atë Andrea Gjekaj:

Tjetri kje Andrea

Vllau i azganit

I mal Vuksanit.

Pater Andrea kje frat

Mësa të pagëzimit

Lul emnin e pat.

...............................

Si famullitar

N’t’Ljares famulli

Për fe kje zelltar

Mbas të vetash mundësi.

Mandej me t’dymbdhetën

Ia kushtoi jetën

Të madhes dashuni

E-pa e mbush vjetën

Të gjashtën mbi tridhetën-

E bani ai fli.

.............................................

Si kanë thanë motit

“Krishti i Biri i Zotit

Dashninë ma e madhe

Tjetër s’egziston

Se ajo qe për mik jetën flijon.

...................................................

Porsi vullnetar

Tu’ kënë guximtar

I shtymë nga trimnija

Qe ia hjekë shpija.

.................................

Zelli i madh i tij

E çoi me ushtri

Qe me turk luftoi

Më ndihmë me u gjetë

Atyne që në luftë

T’ketë fatin me mbetë.

..........................................

Të gjithëve me u dhanë

Ngushllimin e fesë

Bestarëve tue dekë

Ne hovin e betesë.

N’këtë detyrë humane

Edhe kristiane

Porsi françeskan

Dhe at e qelloi

Plumbi otoman.

...................................

E shpirtin ia çoi

Në t’Zotit lumni

Ndërsa trupin e ti

N’Kolaj e kanë çue

Ku përpara lterit

Në kishë e kanë vorrue.

Edhe britmëtarët (vajtorët) më të njohur në Malësi dhe rapsodët popullorë i kanë kushtuar vargje Patër Andresë , duke vënë në dukje se ka rënë dëshmorë në luftë me Kryq në dorë në vijën e luftës kundër pushtuesve shekullorë, ku kishte shkuar në përkrahje të besimtarëve të famullisë së vet dhe për të kryer ritet fetare për dëshmorët e rënë.

Jeta e tij shembullore dhe transmetimi i fesë në fjalë e vepra solli edhe ripërtëritjen e famullisë françeskane dhe shqiptare. Gjaku i tij u kthye në një mision të vërtetë në Malësi, duke i paraprirë një plejade të meshtarëve françeskanë nga Kraja që shërbyen në famullitë e saj , si: Patër Gjergj Marstepaj, famullitar i Tuzit (1960-1991), Patër Dedë Markolaj, famullitar i Grudës ( 1924- 2011) , Patër Zef Jankaj, famullitar i Trieshit ( 1927-1999) , Patër Vinçenc Malaj, famullitar i Tuzit ( 1928-2000), dhe Patër Leonard Tagaj, famullitar i Hotit i cili, siç theksuam më lartë, është pushkatuar nga partizanët në vitin 1945.

Vendosja e përmendores dhe shënimi i 105- vjetorit të vrasjes

Më 11 gusht 2013 vendoset përmendorja e Patër Andreut në oborrin e Kishës “ Zoja Rruxare” në Triesh, ku i mori mësimet e para dhe u kthye për të dhënë kontributin e vet.

Në vitin 2017 në Tuz dhe në Triesh , në një aktivitet madhështor përkujtimor, u shënua 105-vjetori i vdekjes së tij. Kjo ceremoni u organizua nga pjesëtari i kësaj vëllazërie, meshtari i mirënjohur françeskan shqiptar, Patër Prelë Gjurashaj.

Ekranizimi i jetës dhe veprës së tij

Në muajin korrik 2021 Misioni Françeskan në Malësi dhe Nikollë Deda Gjurashaj me familje, pasardhës i Patër Lulit, realizuan me sukses filmin dokumentar “ Martir i Kishës dhe i Kombit -Patër Andrea Gjekaj, ( Lul Vuksani Gjurashaj)”. Ky ekranizim i jetës dhe veprës së tij , nga Televizioni “ Boin” u realizua me rastin e 1o9-vjetorit të martirizimit të tij.Për 76 minuta të këtij filmi dokumentar kuptojmë më mirë se kush ishte kleriku dhe atdhetari Patër Andrea. Përmbajtja e filmit ofron të dhëna, deri më tani të panjohura për jetën dhe veprën e këtij meshtari të përkushtuar ruajtjes së vlerave fetare dhe kombëtare. Xhirimet e filmit janë zhvilluar në vendlindjen e meshtarit- në Triesh ( Komuna e Tuzit), në Ljare - Krajë ( Komuna e Tivarit) në Laç (Komuna e Ulqinit), ku ka kryer shërbesat fetare, në Kukël e Velipojë ( Shqipëri) , ku është varrosur dhe rivarrosur etj.

Ky film dokumentar shërben më së miri për transmetimin e ideve dhe vlerave fetare, kulturore dhe atdhetare tek brezat e rinj. Realizimi i këtij dokumentari është një fillim i mbarë drejt një mundimi, rrugëtimi e shtegtimi të gjatë në përpjekje të gjurmimeve dhe hulumtimeve të reja që do të hedhin dritë dhe do të zbardhin fakte të reja historike për këtë figurë të madhe fetare dhe kombëtare, e cila meriton vëmendjen e duhur të Kishës Katolike, të studiuesve dhe historianëve shqiptarë. Dhe jo vetëm kaq. Por, edhe shteti shqiptar do të duhej t’i japë Patër Andresë vendin e duhur, sepse bashkë me popullin e vet dha jetën në luftën e Shkodrës në misionin e shenjt. Me këtë ai dëshmoi se nuk deshi t’i nënshtrohet regjimit, por Krishtit, nuk deshi të njohë pushtues as pushtetarë tokësorë përveç Zotit në qiell dhe mbretërinë e tij qiellore. Flijoi jetën për Krishtin, duke i shërbyer popullit. Si shumë klerikë ( fretër) të tjerë shqiptarë para dhe pas tij.(Fund)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat