Kultivues i traditës së pasur shpirtërore dhe kulturore, në rrudhat e ballit të të cilit shihnim pasqyrimin e jetës mes maleve

Kultura

Kultivues i traditës së pasur shpirtërore dhe kulturore, në rrudhat e ballit të të cilit shihnim pasqyrimin e jetës mes maleve

Nga: Valdet Hysenaj Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 09:16
Valdet Hysenaj

Është shuar në moshën 93-Vjeçare krenaria e Alpeve shqiptare, Malë (Kapllan) Nikqi, “Babushi”

Baca Malë ka marrë pjesë në mbi 1000 takime kulturore, në mbi 30 festivale, lokale dhe botërore, në dhjetëra e dhjetëra filma, duke kontribuar në marrjen e 15 medaljeve të arta, 16 të argjendëta, 35 të bronzëta dhe shumë diplomave e mirënjohjeve, duke prezantuar kështu dëshmi të qarta të identitetit etnik shqiptar që e pasurojnë, lartësojnë dhe begatojnë komplet ansamblin “Rugova”, si ruajtës të vlerave origjinale.

Një shkurti i shkurtoi shpresat për jetë malsorit nga Rugova, Malë (Kapllan) Nikqi, anëtarit më të vjetër të AFA “Rugova”. Kultura dhe traditat tona janë më të mira pikërisht duke Ju falënderuar aktivitetit kulturor të tij, si pjesë e AFA “Rugova” që nga themelimi e deri më sot.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Na la, baca Malë, krenaria e Alpeve shqiptare, krenaria e AFA “Rugova”, kultivuesi i traditës së pasur shpirtërore dhe kulturore, përmes këngëve dhe valleve folklorike, bartësi i veshjes tonë tradicionale kombëtare, njeriu që gjithë jetën na e ktheu në buzëqeshje dhe gëzim, njeriu që gjithë jetën mbolli mirësi, edukatë dhe ndershmëri… gjurmëlënësit në kulturën shqiptare në përgjithësi, shallabardhit rugovas, në rrudhat e ballit të të cilit shihnim pasqyrimin e jetës mes maleve, në rrudhat e ballit të cilit mësuam për folklorin dhe folkloristikën, për traditën dhe tradicionalen, për fjalën e dhënë, besën, burrërinë, trimërinë, sakrificën, qëndresën, pritjen miqësore …. në rrudhat e ballit të të cilit mësuam të çmojmë vlerat dhe kontributet kombëtare. … e baca Malë i barti mbi supe gati një shekull të gjitha cilësitë e sipërthëna …

Lindi më të vitit 1929, në fshatin Shtupeq i Madh, në një familje atdhetare me tradita patriotike, bujare e mikpritëse, lindi pikërisht në kohë luftërash të përgjakshme, rugovase – malaziase, në kohë mbrojtjeje kufijsh nga cubat e Malit të Zi e ushtria e Knjazit, nga Çakorri e deri në Treg të Ri, pikërisht në kohën kur Rugova ishte në luftë edhe me ushtrinë dhe xhandarmërinë serbe, duke e mbrojtur tokën e të parëve.

U rrit pikërisht në erë tymi e baroti, me emrat e tribunëve rugovas në gojë.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

U rrit në odën që gjithnjë i priste dhe i përcjellte burrat më në zë të kohës, sepse shtëpia bujare e tyre ishtë sofër e shtruar miqsh, në odën ku tradicionalish luhej e këndohej, në odën ku jehonte teli i çiftelisë e binte sharkia, ku luhej kapuça deri vonë, shoqëruar me këngë lahute.

Ishte pjesëtar i Ansamblit për më shumë 70 – Vjet, dhe për po aq vite ruajtën të gjallë traditën e cila rrezikohej që të zhdukej. Ishte promovues i kësaj tradite në Rugovë, Pejë, e shumë vende të botës, nëpër takime kulturore, manifestime dhe festivale, duke treguar se po këto vlera kulturore janë trashëgimi e një populli të vogël të Ballkanit por shumë të vjetra, që po ruhen më gjelozi dhe kanë vend në mesin e kulturave botërore.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Në moshën 18 vjeçare, së bashku me të vëllain Ramë K. Nikçi, me 14 qershor 1947, bashkë me disa djem të tjerë në Pejë paraqitën një program për rininë pejane, por nuk e dinte se pikërisht po këtë ditë u themelua Ansambli Folklorik Autokton " Rugova".

Mala, bashkë me shokë kultivoi, ruajti dhe përcolli nga brezi në brez, vlerat e trashëgimisë kulturore të Rugovës, siç janë: kënga,vallja, tradita, ritet e luftës, ritet e punës, ritet e dasmës, të lindjes, të vdekjes etj.

Veçanërisht, emblema e Ansamblit, Malë Kapllani ruajti burrërisht veshjen kombëtare dhe të folmen e Rugovës.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Malë Kapllani me AFA “Rugova” është paraqitur:

Në Kosovë, në të gjitha festivalet dhe në manifestimet kulturore, duke filluar nga Rugova, Peja e rrethina, Prishtina, Ferizajt, Prizreni, Gjilani, Mitrovica etj., si dhe në fes­tivalet gjithë­kombëtare: Drenas, Gjonaj, Tuz, Gjirokastër, Librazhd, Peshkopi, Durrës, Shkodër. Po ashtu ka marrë pjesë edhe në festivalet ndërkombëtare në Serbi, Maqedoni, Bosnjë, Mali i Zi, Slloveni, Kroaci, Itali, Francë, Angli, Gjermani, Poloni, Bullgari, Turqi.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Me AFA ''Rugova'' në festival është paraqitur 130 herë, në manifestime të ndryshme 752 herë, si dhe në takime kulturore, 320 herë, duke prezantuar kështu dëshmi të qarta të identitetit etnik shqiptar, kundruar nga karakteri autentik i veshjeve, këngëve, valleve, riteve, të interpretuara me elegancë nga bartësit e folkut shqiptar, mes tyre edhe Malë Kapllani, i cili nuk mungoi asnjëherë në skenë, duke i dhënë kështu krih kulturës folklorike.

Pra, Malë (Kapllan) Nikqi ka marrë pjesë në mbi 1000 takime kulturore, 30 festivale, lokale dhe botërore, dhjetëra e dhjetëra filma, duke kontribuar në marrjen e 15 medaljeve të arta, 16 të argjendta, 35 të bronzta dhe shumë diplomave e mirënjohjeve, që e pasurojnë, lartësojnë dhe begatojnë komplet ansamblin “Rugova”, si ruajtës të vlerave origjinale.

Veprimtaria, sukseset dhe punët e mbara të AFA “Rugova”do të ishin të mangëta pa anëtarin elokuent të tij, Malë Kapllani, i dëshmuar për bashkëpunim të ndërsjellë me grupe dhe individë të caktuar, si prezantues i i frymës vëllezërore, i cili përmes Ansamblit ringjalli jetën kulturore në Rugovë, duke mos e ndalur rrugëtimin, sepse shumë shpejt bashkë më ANSAMBLIN i kalojnë kufijtë shtetërorë, duke i dhënë forcën e një identiteti të gjallë të kulturës së kësaj treve, duke sjellë të kaluarën, duke tejpërshkruar kohën dhe duke rinovuar të tashmen si ngjyra ylberi.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Thonë se kënga është vaji i burrit … e kur e zëmë në gojë këngën themi se me këngë baca Malë i përshkoi ngjarjet historike, ja tha këngës malsorçe Zhuj Selmani dhe valles përmes krismave të pushkës, lojës së shpatave, ku mijëra herë prezantoi begatinë shpirtërore të trashëguar dhe të përcjellë nga brezi në brez.

- Kontributi i tij nuk mungoi asnjëherë në të gjitha etapat historike të kohës që e jetoi me krenari, dinjitet dhe nder, prandaj emri i i tij do të kujtohet gjithmonë me respekt të thellë, për kontributin dhe etikën e lartë njerëzore, si model për t’u ndjekur!

Gjatë aktivitetit të tij jetësor Malë Kapllani ka krijuar kulturën dhe artin, duke filluar nga festat dhe këngët e motmotit, ritet e lindjes dhe ninullat, këngët e dasmës, ritet e vdekjes dhe vajet, legjendat, muzikën dhe vallet, këngët e dashurisë, këngët epike, këngët legjendare, këngët e kreshnikëve, këngët e epikës historike, që nga epoka e Skënderbeut, këngët e nizamëve, këngët e kaçakëve e deri te këngët për luftën e UÇK-së.

Përmes folklorit, këngës dhe valles, me besnikëri e ruajti traditën e krijuar ndër shekuj, ishte doajen i këtij thesari të çmuar, baca Malë na riktheu te rikultivimi i folklorit, përmes prirjeve dhe aftësive profesionale e shpirtëtore që i kishte dhunti lindjeje, në vazhdimësi, pandërprerë të kësaj tradite të popullit, që nga kohërat e lashta e deri në ditët tona.

Sigurisht që AFA “Rugova” ndër vite nuk do të kishte rëndësinë dhe jetëgjatësinë që ka, sikur të mos ishin folklordashësit, artistët meritorë si Malë Kapllani, që edhe e themeluan, artistët e popullit që me dekada e mbajtën gjallë, duke i krijuar traditë dhe fizionomi, duke i dhënë edhe epitetin e ambasadorit të Kosovës në botë.

Shpirti i tij u prehtë në paqe dhe thelbi i respektit për të ndriçoftë zemrat tona sot e përgjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat