“Shqipëria nga sytë e mi”, ekspozita me fotografi nga refugjatët afganë

Kultura

“Shqipëria nga sytë e mi”, ekspozita me fotografi nga refugjatët afganë

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 19:11
Pamje nga ekspozita

“Shqipëria nga sytë e mi” është ekspozita me fotografi që është hapur në Galerinë e Arteve në Tiranë nga një grup refugjatësh afganë, sipas të cilëve qëllimi i vetëm është të tregojnë përvojën e jetës së tyre në Shqipëri.

“Bukuria e një vendi, e Shqipërisë, e parë me sytë tanë. Kjo ekspozitë tregon se si një popull tjetër e sheh bukurinë e Shqipërisë, siç e shohim ne nga sytë tanë. Dhe ne vetëm ua tregojmë këtë shqiptarëve. Shqipëria është kaq shumë e bukur, unike, vendi më i gëzuar që kemi parë”, thotë Madiha Talash, studente për mjekësi nga Afganistani.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që pranoi refugjatët afganë, pasi talebanët morën kontrollin e vendit verën e kaluar. Rreth 2400 afganë u evakuuan në Shqipëri përkohësisht. Rreth 300 prej tyre janë larguar tashmë, kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara.

Organizatori i ekspozitës, Mohammad Zafar Jaamay thotë se është mirënjohës për atë që ka bërë Shqipëria.

“Ne thjesht po përpiqeshim të gjenim një mënyrë për t’i falënderuar njerëzit. Pastaj menduam, të ndërtonim një klasë fotografie dhe tani kemi këtë ekspozitë. Përmes kësaj ekspozite ne dëshirojmë të falënderojmë popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare. Kjo është një lloj dhuratë nga komuniteti ynë afgan për popullin e Shqipërisë, për qeverinë e Shqipërisë”, thotë ai.

“Unë po përpiqem të harroj të kaluarën time në Afganistan dhe dua t’i them botës se afganët nuk do të heshtin kurrë”, thotë Firroz Mashoof një fotograf afgan që ka punuar për këtë ekspozitë.

Pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan miliona njerëz rrezikohen nga uria. Sipas organizatave bamirëse 90 për qind e 38 milionë banorëve të Afganistanit janë të varur nga ndihmat ndërkombëtare.

Nga ana tjetër OKB thotë se rreth 3 milionë afganë janë të zhvendosur brenda vendit të tyre./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat