Çfarë na nxit të mendojmë libri i jeton Kelmendit “Jeta jeton në mua”?

Kultura

Çfarë na nxit të mendojmë libri i jeton Kelmendit “Jeta jeton në mua”?

Nga: Prof. Dr. Hasan Erkek, Turqi Më: 21 mars 2022 Në ora: 21:58
Libri

Arti, në një farë mënyre, është drama e njeriut të mbetur pa veprim, në udhëkryqin e hapësirës së pafundme dhe kohës së pacaktuar. Është shprehje e pavendosmërisë dhe pazgjidhshmërisë së tij. Është një lutje e tij me dhimbje, me duar të ngritura drejt qiellit. Është ngrohja shpresës me frymën e tij. Është kërkim kuptimi për ekzistencën e vetvetes. Është përpjekja e tij për t'i dhënë kuptim botës në të cilën është hedhur.

Njeriu ndoshta edhe në epokën primitive kështu është ndier. Ai përjetoi kontradikta të ngjashme. Me dilema të caktuara iu drejtua artit. Përjetimet e tija i pasqyronte herë me zë, herë me lëvizje, e herë me fjalë. Edhe pse jo me të njëjtat fjalë, ai u përpoq të shprehë pazgjidhshmërinë, dëshpërimin, shpresën e tij.

Njerëzit, për dallim nga kafshët, prodhojnë pasuri kulturore dhe këtë pasuri ia trashëgojnë njëri-tjetrit brez pas brezi. Një pasuri dhe trashëgimi e ngjashme ndodh padyshim edhe në fushën e poezisë. Megjithatë, në një farë mënyre, është e natyrshme që çdo poet ta fillojë me veten e tij aktin e të shkruarit, duke e shikuar hapësirën dhe kohën në të cilën është lindur. Sepse çdo poet që është një individ, është i vetëm, unik dhe i pangjashëm. Duke njohur traditën e poezisë së shkruar para tij dhe duke u mbështetur në të, ai rifillon aktin e të shkruarit me veten e tij, në një farë mënyre, duke parë kohën dhe hapësirën në të cilën është lindur. Po mos të ishte kështu, si do të mundë përpiqej të shkruaj një poet i ri në një fushë tashmë të lëvruar me poezi nga: Homeri, Molieri, Shekspiri, Cervantesi, Gëte, Brehti, Neruda, Aragoni, Majakovski, Nazım Hikmeti, Levçevi, Adonisi?

“Nuk ka fjalë të pathënë nën diell”, por “dielli për çdo ditë rilind prapë”

Thënia që i atribuohet Ciceronit, “Nuk ka fjalë të pathëna nën diell” në një farë mënyre është e vërtetë, por nuk duhet harruar se, siç thoshte Herakliti, “dielli çdo ditë rilind serish”. Sa herë që lind, është një diell i ri.

Pavarësisht traditës së fortë poetike, shfaqja e poetëve të rinj, në një farë mënyre, është e natyrshme, madje edhe e nevojshme. Sepse Homeri nuk ishte dëshmitar i luftës së parë dhe të dytë botërore. Molieri nuk kishte dëgjuar për fuzionin e atomit. Shekspiri nuk ka mundur të ketë parë njeriun duke shkuar në hapësirë. Cervantes kurrë nuk e ka pasur mundësinë të udhëtojë me aeroplan. Lorca nuk e ka ditur internetin, Nazım Hikmeti nuk ka pasur mundësi të ketë telefon të mençur. Brehti nuk e ka përjetuar rënien e Murit të Berlinit. Aragoni nuk ka pasur mundësi të shikonte në televizion procesin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Mayakosvki kurrë nuk ka pasur një video-bisedë me Elsa Triolet.

Mbase për këto arsye, të gjithë poetët janë shërbyes të papërvojë të poezisë. Edhe mjeshtëria e atyre që kanë mësuar dhe zotëruar teknikat e poezisë, është mjeshtri e të mësuarit të fillestarit. Sado që të bëhemi mjeshtër të poezisë, të gjithë ne ndjekim një thjeshtësi të poezisë, të cilën Sappho, Lorca, Orhan Veli, Fürug, Gülten Akın dhe Metin Altıok bënin përpjekje ta kapnin. Kur arrijmë të bëjmë një gjë tët tillë, kënaqemi tej mase.

Pikërisht për këtë arsye, pothuajse çdo ditë, në Suedi, Kubë, Japoni, Zelandë të Re, Turqi apo Kosovë, poetë të rinj nisin rrugëtimin e tyre të poezisë dhe në njëfarë mënyre e nisin poezinë me veten e tyre. Prandaj ndjehet si “artisti i parë” i epokës primitive, që shprehte dhimbjen, lutjen apo dashurinë e tij. Së këndejmi, ai mundohet t’i sfidoj vështirësitë e kësaj epoke. Përpiqet t’i del ballë me poezi.

Poezia e Jeton Kelmendit në një truall të copëtuar dhe të rrëshqitshëm, dhe në një kohë lozonjare

Kur e lexova librin e Jeton Kelmendit, Jeta jeton në mua, i përkthyer në turqisht nga Yeliz Altunel dhe i botuar nga Poetry Publishing, qysh në momentin e parë më bëri të mendoj këto gjëra.

Jeton Kelmendi është poet i lindur në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (1978); fëmijëria dhe rinia e tij e hershme përkojnë me shpërbërjen e kësaj federate të pashoq (1980-2000), e cila u themelua me shpresa të mëdha. Pjesa më e madhe e jetës së tij, ka kaluar në procese të shpërbërjes dhe të ribërjes. Shpirti i tij i tronditur, përpiqet të rikuperohet me themelimin e Republikës së Kosovës (2008). Reflektimet e këtyre tronditjeve shpirtërore shihen qartë në vargjet e tij. Ndërtimi i copëtuar i poezisë së tij, duhet të jenë projeksione të truallit të rrëshqitshme që përpiqet të ribëhet pas shpërbërjes së tij. Madje në një pjesë të jetës së tij, ai ka përjetuar aq shumë ngjarje dhe ka qenë dëshmitar i të shumtave, saqë historisë “i është rrudhosur balli” tani.

Teksa lexojmë librin e tij, pothuajse në të gjitha poezitë e tij, takojmë një subjekt-poet që kërkon kuptimin në një pikë ku puqen koha dhe trualli. Ne jemi dëshmitarë të një orvatjeje të subjektit-poetit të dëshpëruar. Shohim se herë pas herë rrëshqet në të njëjtin vend, duke mos arritur të shkoj përpara. Vërejmë se ai gjithmonë është i vetëdijshëm për humbjen, edhe kur nuk çalon, por edhe kur vrapon përpara. Për kundër moshës së re, konstatimi i tij: “Jeta ka vetëm një drejtim, vdekjen/dhe ne jemi duke udhëtuar në po atë drejtim” është lëndues.

Subjekti-poeti ynë, i cili udhëton me ndërprerje dhe shpesh ndalet për të parë horizontin, pyetët “kush jam unë në këtë kohë”. Ky subjekt-poet, që bën këtë pyetje themelore dhe kërkon kuptimin e jetës, gradualisht është duke e vërejtur veten e tij. Ai me shpejtësi kalon nëpër etapa të ndryshme, dhe në moshë të re duke lënë pas vete kështjellën e “mërgimit” dhe të “mallëngjimit”, kështjella këto të përcaktuara nga Behçet Nexhatigil, dhe i afrohet “kështjellës së urtësisë”. Në një nga poezitë e tij thotë “Jam i shpërndarë nëpër horizonte”.

Kelmendi, i rritur në kohën e ndërrimit të mijëvjeçarit dhe në fakt duke qenë përfaqësues i një brezi “veprimtar”, krahas poezisë merret edhe me veprimtari nga shumë fusha tjera. Gazetaria, përkthimi, analizat politike janë disa nga këto veprimtari. Zaten si profesion zgjodhi të bëhet pedagog universitar dhe bëri karrierë akademike. Megjithatë, duke i sfiduar realitet e përditshmërisë, ai me poezi ngrihet mbi to, dhe ndeshet me realitetin e gjithësisë, duke u tronditur nga “invazioni i së vërtetës”. Sepse edhe jeta jashtëzakonisht "i ngjason vdekjes".

Lojtari më misterioz dhe më i çuditshëm në udhëtimin e quajtur jetë, është koha. Koha është një lozonjare. Ajo “luan sipas rregullave të lojës”. Koha pareshtur “e ngjyros vetën”, kamuflohet vazhdimisht dhe e mashtron syrin. Mirazhi në kohë, është shumë më iluzor dhe joshës se mirazhi në hapësirë. Kështu edhe jeta shndërrohet në një “dinakëri”. “Nëse nuk ke çfarë t’i bësh kohës” nuk ke zgjidhje tjetër veçse të vuash dhe të shkruash poezi.

Së këndejmi, edhe hapësira në një farë mënyre është e pabesë. Bile edhe hapësira që e trajtojmë si vatër e shtëpi, në të vërtetë nuk na përket neve. "Mëmëdheu ka një zakon të keq / herë pas here e harron pjesën e mbetur."

Në fakt, përkundër gjithë këtyre, gjithçka është e mundur. Është shumë joshëse të ndërtosh një jetë të re duke ëndërruar dhe duke u orvatur. Dhe nuk është i pashpresë subjekti-poeti. Ai kujton shpresën dhe "shpreson për ditë më të mira nga sot". Por koha lozonjare prapë është në detyrë. “E nesërmja nuk i beson të sotmes” ndërsa “e sotmja shikon të nesërmen / nga dritarja e jetës”.

Me gjithë përpjekjet, herë koha, herë trualli e herë mundësitë nuk janë të favorshme për ndërtimin e një jete të re. "Jeta shtrihet në kohë". Me një anë pasurohet, ndërsa në anën tjetër bëhet e padurueshme.

Sikur ka mbetur vetëm një mundësi, për t'i dhënë kuptim jetës. E ajo mundësi është dashuria. "Njeriu ka nevojë për guxim që të përpiqet të besojë në dashuri". Dashuria lind "si drita e diellit" mbi kuptimin. Megjithatë, në vete ngërthen edhe problemin e besueshmërisë. Dashuria që nuk depërton thellë, është si boja dhe llaku i jetës. Kur ajo thahet dhe duke u plasaritur bie, mungesa e kuptimit të jetës shfaqet me gjithë lakuriqësinë e saj. Vdekja i shfaqë dhëmbët, sikur një skelet.

Është një kontradiktë e përjetshme; ku jeta e individit është rraskapitur në kërkim të kuptimit të jetës së përgjithshme. Bile edhe “kuptimi e humb kuptimin”; sepse "realiteti i vyshk të gjitha ëndrrat".

Në këtë epokë kur trualli endet nga stuhitë e rërës, kur koha kthehet në një kumarxhi që fiton vazhdimisht dhe kur jetët që përpiqemi të ndërtojmë i ngjajnë kështjellave nga rëra, madje as dashuria nuk mund të bëhet melhem për plagët tona. Në këtë rrugëtim, që mendojmë se kemi ecur përpara, si individë dhe si shoqëri, por në realitet kemi bërë shumë pak progres, në dorë na mbetët vetëm arti që kemi vënë re. Me të ngushëllohemi.

Jeton Kelmendi, i lindur në Jugosllavi, i rritur në Kosovë, Ka arritur të bëhet poet botëror. Ai deri më tani i ka botuar 11 libra me poezi. Poezitë e tij janë përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë. Ka fituar më shumë se 20 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai përktheu në shqip shumë poetë të huaj. Me poezinë dhe veprimtarinë e tij, që në moshë të re u bë një poet i njohur në nivel ndërkombëtar. Poezia dhe shtegu i tij poetik, meritojnë të vëzhgohen me kujdes nga kritika dhe nga poetët e rinj.

Nëse politikanët, ata që nuk i dëgjojnë artistët dhe shkencëtarët, nuk e shkatërrojnë këtë botë, ose nëse kapitalizmi nuk e shndërron botën në një plehërishte të padurueshme, poetët e formuar në mesin brezave të rinj do të vazhdojnë të jetojnë jetë të ndryshme në shtigje të ngjashme. Ata do të fillojnë të shkruajnë poezi duke parë dhe njohur traditën e poezisë, ose pavarësisht nga ajo, dhe do të fillojnë përsëri poezinë, në njëfarë mënyre, me veten e tyre. Çdo përvojë jetësore dhe poetike vlen për poetin që e ka përjetuar atë jetë. Kurse për poetin që nuk e ka përjetuar por vetëm e ka njohur, një përvojë e tillë gjithmonë do të mbetet pjesërisht e vlefshme. Çdo poet i ri do t’i kaloj kështjellat e mërgimit dhe të mallëngjimit, dhe secili në mënyrën e vetë, do të orvatet të arrijë në një kështjellë të urtësisë.

Jeton Kelmendit i uroj suksese në këtë rrugëtim të vështirë dhe poetik...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat