Castelvecchio apo kështjella mesjetare që po ia rikthen historinë dhe artin Padovës

Kultura

Castelvecchio apo kështjella mesjetare që po ia rikthen historinë dhe artin Padovës

Nga: Gëzim Muçolli Më: 22 maj 2022 Në ora: 19:41
Padova

Të shtunën e kaluar në vend ndodhjen e Catelvecchio ose Castello dei Carraresi shkuam të ftuar të merrnim pjesë në orën e historisë kushtuar një pjesë të rëndësishme të kaluarës së qytetit të Padovës.

Ambientet më shumë i ngjanin një kantieri ndërtimor ku po zhvilloheshin punimet për restaurimin e këtij thesari të trashëgimisë kulturore, arkitektonike, ushtarake dhe artistike që datojnë që nga shekulli i dymbëdhjetë i epokës sonë.

Para qytetarëve të interesuar ishte Dott. Andrea Colasio, drejtor i komunës së Padovës për muzetë, kulturën, ndërtimtarinë monumentale dhe turizmin, i cili me kompetencë dhe shkathtësinë e tij oratorike i shoqëroi të pranishmit duke i shetitur jo vetëm në pjesët e ndryshme të pallatit mesjetar por edhe në ngjarje dhe zhvillime shoqërore në tetëqind vitet e fundit në Padova.

Për shkak të ndryshimeve historike kjo kështjellë, ndërtimi i të cilës ka filluar në vitin 1237, është quajtur edhe Castello della Torlonga,  Castello di Ezzelino, pastaj  Castello Carrarese si dhe Castello di Padova.

Punimet për ndërtimin e saj do të zgjatnin 4 vite dhe duheshin dhjetëra mijëra tulla të cilat në atë kohë furrat në Padova ishte e pamundur ti prodhonin për shkak të produktivitetit të kufizuar, por u shfrytëzua materiali nga dhjetë shtëpitë e mëdha të rrënuara të patricëve padovanë të dënuar për shkak të armiqësive me sundimtarim e atëhershëm padovan Ezelino III.

Rekonstruktimi i Kështjellës u bë në një periudhë tjetër nga Sinjoria e Karrarezëve ku Francesco I da Carrara i quajtur edhe Plaku ( Il Vecchio ), ishte zotërues i Padovës nga viti 1350 deri në 1388, duke zbatuar një politikë të espansionit.

Pas tyre vjen epoka venecjane ku edhe ata lanë gjurmët e tyre në këtë strukturë me rëndësi arkitektonike, administrative dhe ushtarake. Mes Padovës dhe Republikës (detare) të Venedikut janë zhvilluar luftëra rreth dominimit të sipërfaqes tokësore ku megjithë lidhjen e aleancës me sundimtarin e Hungarisë, padovanët e humbën luftën, por ngelën dëshmi historike dhe artistike të paraqitura në pikturat murale brenda dhomave të kështjellës të cilat fatmirësisht janë ruajtur deri në ditët e sotme edhe pse të dëmtuara nga inati i sundimtarëve venecianë dhe nga koha.

Padova në atë kohë iu nënshtrua një regjimi poshtërues të taksave që qytetarët duheshin ti paguanin Venecias. Colasio nënvizon se vetëm aty ku paguhen taksat, historikisht dëshmohet autoriteti dhe sovraniteti i plotë i shtetit dhe pushtetit!

Historia e kësaj vjen deri në ditët tona ku dihet se ka shërbyer edhe si burg që nga fillimi e deri para pak vitesh duke qenë nën administrimin e drejtorisë së burgjeve dhe ministrisë së drejtësisë. Pjesa e kullës së lartë shërben edhe sot për studentët e fizikës dhe astronomisë të Universitetit të Padovës si oservatorium astronomik.

Para nja dhjetë vitesh kjo pjesë e rëndësishme e qendrës historike të Padovës rrezikonte t’iu shitej privatëve dhe firmave që do ta shfrytëzonin për qëllime spekulative ndërtimore por duke iu falenderuar asesorit Colasio i cili ishte deputet i Parlamentit italian si dhe deputetëve të partive tjera nga Padova, duke lënë mënjanë inatet partiake u bashkuan dhe shpëtuan këtë pjesë të çmueshme të historisë së Padovës.

Sot asesori Colasio foli me shumë trasparencë edhe për fondet e restaurimit me vlerë prej 15 milion euro dhe punët që duhen të kryhen deri në fund për t’ia rikthyer shkëlqimin kësaj pjese monumentale të Padovës e cila do të bëhet qendër e ekspozitave artistike dhe muze.

Freskat e shek. XII pas restaurimit do ti bashkangjiten ciklit të freskave të projektit “Padova Urbis Picta” që u bë pjesë e Unescos.

Një kontribut i veçantë për tu vlerësuar është edhe i studiueses së palodhur shqiptare, historianes dhe arkeologes së njohur Elda Omari e cila ishte në organizim të këtij programi të vizitës së çmuar që vazhdoi me grupet tjera gjithë ditën e shtunë. Ajo vazhdon të kontribuojë në projekte bashkëpunimi midis studiuesve të Shqipërisë dhe Universitetit dhe autoriteteve kulturore, shkencore e administrative të Padovës.

Image
Padova
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat