Praktikat e së kaluarës të papërshtatshme për zhvillimin e kulturës sot

Kultura

Praktikat e së kaluarës të papërshtatshme për zhvillimin e kulturës sot

Nga: Hejza Art Më: 7 qershor 2022 Në ora: 11:31
Foto ilustrim

Edhe pas tridhjetë vite komunizëm, populli shqiptar akoma duket i çorientuar. Ende nuk e ka të qartë se pse nuk po ia del që t’i arrijë popujt evropianë. Pra, si të bëhemi me tamam evropianë?

Për dyzet vite komunizëm populli shqiptar paska “arritur” mjaftueshëm, madje tepër shumë në krahasim me këto tridhjetë vite mendim e shprehje të lirë, vlera këto kulmore të sistemit demokratik. Fatkeqësisht, ne si shqiptarë, edhe më tej veprojmë, edhe më tej mendojmë, edhe më tej organizohemi duke u bazuar në filozofinë dhe mentalitetin që e kemi ndërtuar dhe trashëguar nga sistemi komunist! Sepse këtë sistem e patëm si më të organizuarin pas robërimit që e jetuam shekuj me radhë! Ne, në aparencë, paraqitemi demokratë, por edhe më tej rezonojmë dhe veprojmë si komunistë! Ne akoma nuk kemi kuptuar se na ka ikur koha kur është dashur të fillojmë me dekonstruimin e mentalitetit komunist dhe të nisim t’i mësojmë praktikat dhe vlerat perëndimore. Në politikë ne mendojmë siç mendon i pari dhe lideri, për shtetin kujdesemi po aq sa kujdesemi për partinë! Për shoqërinë kujdesemi aq sa ajo na bëhet elektorat, përtej këtij perceptimi ne kemi vetëm armiq që nuk ia donë të mirën partisë shtet, apo edhe shtetit parti! Ne edhe më tej presim që të mirat të na vijnë nga partia si dhe nga shteti. Shteti dhe partia duhet të përkujdeset për popullin dhe jo populli për shtetin dhe për vlerat kombëtare!

Tashmë është dëshmuar se ish-sistemi politik për shqiptarët ishte katastrofal, ndërsa ne assesi të lirohemi nga ai mentalitet! Le të ndalemi në rrafshin kulturor dhe le ta faktojmë këtë konstatim, fatkeqësisht, të vërtetë! Ne nuk dëshirojmë të kuptojmë apo thjesht është përtej kapaciteteve tona mendore të kuptuarit se kultura tashmë është industri më vete! Përveçse në trashëgiminë kulturore ku ndjehet dora dhe fuqia e shtetit, në sferat e tjera të krijimtarisë dhe të kulturës, gjithçka është në dorë të produksioneve, shtëpive botuese, galerive! Vetëm shqiptarët ankohen se shteti apo ministria e kulturës, nuk po na jep mjaftueshëm para për një film!

Vetëm shqiptarët hartojnë repertor duke u bazuar në “mirësinë” e shtetit që vjen nga buxheti qendror! Vetëm shtëpitë tona botuese ankohen se shteti dhe ministria e kulturës ka humbur ndjeshmërinë për librin, nuk subvencionojnë për botime! A nuk është ky një mentalitet i trashëguar nga praktikat e ish-sistemit?

Në botën perëndimore shtëpitë botuese përkujdesen për librin, për lexueshmërinë e librit si dhe për shtimin e numrit të blerësve! Tashmë shtëpitë botuese e kanë publikun lexues të vetin! Vetë lexuesit ua kërkojnë librin e ri, duke ndikuar në politikat botuese të çdo produksioni! Pothuajse të gjithë shtëpitë botuese e dinë saktësish se me cilin tirazh duhet të dalin gjatë botimit të titullit të ri! E gjithë kjo është arritur pasi që shtëpitë botuese janë lënë “në baltë”, pa ndihmën e institucioneve shtetërore dhe me këtë janë ndërgjegjësuar duke u profilizuar në profesionin e tyre si botues! Investimi në libër nuk është vetëm me para për botim! Që të jetë një libër i suksesshëm, në treg kërkon impenjim më të gjerë nga produksioni: angazhim në reklamim, cytje të opinionit për të vrapuar pas librit, shtimin e besimit te opinioni si një botues serioz, aktivitete kulturore rreth librit, promovime të tij! Këto ditë u publikua një informacion plotë entuziazëm që thoshte se ja, pas tridhjetë viteve, Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve do të organizojë turne me koncerte në viset etnike shqiptare! Ku është stafi menaxhues-propagandistik i këtij Ansambli? A doli dikush nëpër qendra më të mëdha për të informuar se cili është qëllimi i këtij aktiviteti të planifikuar, me çfarë risish në repertor do të gëzohen shqiptarët, si t’i organizojmë koncertet që të jenë sa më madhështore, sepse një Ansambël shtetëror duhet ta gëzojë maksimalisht respektin e popullit të vet, apo thjesht, na mjafton të shëtisim pak nëpër disa vende etnike dhe le të jenë koncertet edhe në sallat me 200-300 vetë! Shëtitjen na e paguan shteti!

Këto ditë, në Maqedoninë e Veriut ka kënduar një prej sopranove më të mëdha në botë, Ermonela Jaho! Në vend se ky event të marrë formën e një ngjarje që do të shënohej si festë kombëtare, ajo erdhi, këndoi në një sallë të mbushur gjysmë shqiptarë e gjysmë maqedonas dhe iku! Madje, as që u regjistrua si ngjarje kulturore!

Bota këto probleme i ka tejkaluar përmes formimit të serviseve profesionale që merren me organizim të ngjarjeve kulturore dhe, pastaj, prej tyre janë mësuar produksionet e ndryshme kulturore. Për momentin jemi në fazën e hapjes së “serviseve” që na organizojnë dasmat dhe eventet familjare! Sepse, janë më pak të kushtueshme dhe sjellin përfitime të mëdha! Këto “servise” nuk kanë nevojë për investime në reklamë dhe në organizim të eventeve promovuese dhe propagandistike, siç do të kërkonte një servis, për shembull, për botimin e librave, për organizim të ekspozitave etj. E aq shumë kemi nevojë për servise kulturore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat