Përsiatje rreth vëllimit poetik “Shkëndija jete”, të autorse ferdane Pllana-Zabërgja

Kultura

Përsiatje rreth vëllimit poetik “Shkëndija jete”, të autorse ferdane Pllana-Zabërgja

Nga: Zymer Mehani Më: 21 qershor 2022 Në ora: 13:52
Foto ilustrim

Poezitë e autores Ferdane Pllana-Zabërgja, të përmbledhura në vëllimin poetik “Shkëndija jete”, shquhen si strukturë tematiko-motivore, duke përçuar te lexuesi optimizëm ndaj jetës dhe duke na shtuar besimin ndaj njeriut dhe misionit të tij. Me poezitë e vëllimit në fjalë, do të mund të marrim diçka nga jeta e autores, me tërë gëzimet, por edhe hidhërimet e çastit, laryshitë dhe emocionalitetin që na ofron poetja me vargjet e veta, siç janë poezitë: JAM E LUMTUR, E DUA JETËN, VËRTET M’KE GËZUAR, për të vazhduar me figurën markante të qenies që na dha jetë, që është nëna, të portretizuar aq bukur me penelin prej poeteje të talentuar të autores, në poezitë: DASHURIA E NËNËS, LOTI I NËNËS, DIELL PËR SYTË TANË, PËRKULEM etj.

Për poeten nëna është:Ilaçi më i mirë i jetës, Halle dhe brenga (që) largon. (poezia DASHURIA E NËNËS) Ajo për të do të thotë: Fuqi e saj është e madhe Dhe qiellin me duar e mban. Për të mbrojtë fëmijët e saj, Nëna shpërthen si uragan.

......

Në krahë të saj ti je mbret.

Nëna, dhe frymën e fundit

la falë fëmijës së vet…

(po aty)

Për nënën, poetja do të thotë metaforikisht:

Ajo është DIELL,

Ajo është HËNË,

Ajo tërë mundin

Për ne e ka dhënë

duke vënë në pah se ajo për mirërritjen e fëmijëve dhe për lumturinë e tyre:

Gjer n’orë të vona

Ka ndejtë e zgjuar,

Krahët e secilit

Duke i mbuluar.

Duke arnuar

Në dritë të llambës,

Si krah i një mashkulli

Ndihmu’ i ka babës.

(poezia DIELL PËR SYTË TANË)

dhe pastaj për t’u ndalur te tri gëzimet e saj (te fëmijët), që për autoren janë: DIELLI, UJI E AJRI (siç e titullon një poezi të saj, me këtë tematikë):

Njëri ma ndrin jetën,

Tjetri ma shuan etjen.

E ajër për mushkëri

E kam këtë të tretën.

(poezia DIELLI, UJI E AJRI).

Për poeten (fëmijët):

Ata janë vetë pasuria,

Ardhmëria janë fëmija.

(poezia FËMIJËT)

Nga vëllimi poetik i autores Ferdane Pllana-Zabërgja do të mund të marrim diç edhe nga aktualiteti, si te poezitë: NDËRGJEGJJA, PO T’I KISHA DY JETË, ZBUTNI ZEMRAT, MOS MË QUAJ MIKE etj., sepse janë lindur, zhvilluar (strukturuar) dhe në fund janë shkruar në ambientin autentik tonin, me të cilin vetë autorja është mishëruar, që nga fëmijëria, prandaj tematikën dhe motivikën e vargjeve të veta, ajo do ta end (thur) me “avlemendin e saj” krijues, sipas botëkuptimit (mendimve, ideve...) të “botës së vet”. Mund të themi lirisht se Ferdane Pllana-Zabërgja disponon një zjarr të fshehur (të brendshëm), që e cyt (nxit) për të krijuar në vazhdimësi (në kontinuitet).

Këtë fakt e dëshmon vetë poezia e saj.

Ja një shembull:

Në fletën e pastër, t’bardhë,

Me atë penën majemprehtë,

... do t’ thur t’bukurat fjalë,

Zemra (më) buçet si det.

do të thotë ajo (te poezia POETI).

Thamë edhe një herë se autorja Ferdane Pllana-Zabërgja është mishëruar me ambientin e vet (jetësor) në të gjitha kahet e vetëdijes shoqërore. Prandaj, meqë për poezinë e saj ky ambient është gurrë frymëzimi poetik, ajo çdo pjesëtar të këtij ambienti, me të drejtë do ta porosit:

Zbutni zemrat në mes vete,

Se nuk gjen njeri pa derte!

Zbutni zemrat, duart shtrëngoni,

Vëllai vëllanë mos e lëshoni!

(poezia ZBUTNI ZEMRAT).

Ajo na porosit që të jemi unikë, si vëllezër të një gjaku (shqiptarë) që jemi:

Mos lejoni t'ju thyejnë dot,

Njëri- tjetrin duane fort!

Një i huaj s'ka interes,

Fjalën tënde se vë n'vesh.

Dhembja jote s’e brengos dot,

Kur t’i vuan, s’i dalin lot.

Ai që vuan për ty n'këtë botë,

Është jot’ motër, vëllai jot…

(po aty)

për të përfunduar:

Në mes veti mos u përçani,

Një copë bukë bashkë ta ndani!

...

Sepse kush e ka vëllanë në krah,

Të gjithë botën me vete e ka!.…

(Po aty)

Poetja Pllana do të jetë prore refuzuese ndaj dukurive negative në shoqëri. Ajo është zë kundërshtues kundruall së keqes dhe të shëmtuarës (veseve, degjenerimeve, deformiteteve etj.) në jetë, gjithnjë në kufijtë e tolerancës dhe të natyrës së njeriut. Të tillë janë ata që gjuajnë gurin e fshehin dorën (tinëzarët), të cilët:

Para sysh shtiren të dashur

E pas shpine të godasin.

(poezia TINËZARËT)

Prandaj, poetja do të na rikujtojë se ata:

Në sy të shikojnë dhe shtiren,

Si këta njerëz, thua s'gjen dot!

Por me mjeshtrinë tinëzare,

Sillen e të sulmojnë aq fort.

(Po aty)

Poezitë e motivit atdhetar zënë vendin meritor në vëllimin “Shkëndija jete” të autores Ferdane Pllana-Zabërgja. Nëpërmjet tyre ajo e ka artikuluar artistikisht botën shqiptare, si përkatësi individuale e kolektive në rrafshin shoqëror dhe historik kombëtar.

Ajo do të dëshmojë se është pjesëtare e një kombi (atdheu) të lashtë, që e do shumë, me vargjet emblematike:

E dua e s’e ndërroj dot

Asnjë pëllëmbë të kësaj toke.

Këtu ndjehem, në çdo cep,

Më e lumtura e kësaj bote.

(poezia VENDI IM)

për të na e rikujtuar se atdheu është:

(...) i stërmbjellë me varre,

Me lulegjaku (i) kuqëluar.

Bijtë tu që ranë për liri,

Zot’ i Madh i pastë bekuar!

(Poezia TË DUA, SHQIPËRI)

dhe duke na shpjeguar, se:

Ngado n’qytete e fshatra,

Lapidaret seç (i) bëjnë dritë.

(Me) themele aq të forta,

Që s’mund t’i rrënojnë stuhitë.

(po aty)

Meqë autorja Ferdane Pllana-Zabërgja, para se gjithash është femër, pastaj edhe nënë, për të pikë e dobët janë fëmijët, për çka edhe në këtë vëllim poetik figura e fëmijës paraqet tablo dhe imazhe ngajeta e tyre, si në poezitë: FËMIJËT, LUTJE PËR JETIMËT, NA DHEMB, FËMIJA I BRAKTISUR etj.

Meqë është e tillë, poetja tregon përmes vargjeve: Loti i një fëmije t’vogël, Në rrugë, ç’më preku fort! U ndala tek ai vogëlush, Ia lëmova faqe e flokë. ... U mundova ta qetësoja: -Mos qaj, të lutem,- i thashë,Nga qielli nëna të shikon,Nga loti yt ajo lëngon…(poezia AI LOT)Në poezitë e vëllimit “Shkëndija jete”, autorja e ka konsoliduar mjaft suksesshëm figurshmërinë, formacionin dhe strukturën stilistike, duke e shfaqur shprehjen poetike (të shprehurit poetik) si artikulim struktural.

Ja, çfarë figure të fuqishme (hiperbolë) ka ndërtuar ajo:

E gjithë bota u lëkund

Nga pushka e këtij burrit,

Gjaku i tij u ngjit

Në palë të flamurit.

(poezia ADEM JASHARI)

Dhe krejt në fund, poezia e poetes Ferdane Pllana-Zabërgja përçon mesazhe besimi ndaj njeriut, ngase ajo ka qëndrim afirmues ndaj jetës dhe për jetën.

E poetja do të na porosit:

Ofroni dashuri për tjetrin,

Ta mbillni në tuajin shpirt,

Mos rrini larg njëri-tjetrit,

Mos i mbani shpirtat ngrirë!

(poezia MBILLNI DASHURI).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat