Kadri Tarelli nga Durrësi vlerësohet me çmim ndërkombëtar në Itali

Kultura

Kadri Tarelli nga Durrësi vlerësohet me çmim ndërkombëtar në Itali

Nga: Vilhelme Vrana Haxhiraj Më: 22 qershor 2022 Në ora: 17:20
Kadri Tarelli nga Durrësi vlerësohet me çmim ndërkombëtar në Itali

Dyrrahu antik, është qyteti i vlerave kombëtare, jo vetëm nga pikpamja e lashtësisë që i takon shek XIII-XI pr Kr. Ai u ndërtua nga Taulantët ose dallëndyshasit. Rikthimi i tij i përhershëm, pas çdo shkatërrimi, i ngjet shtegtimit të dallëndysheve që migrojnë në vjeshtë dhe kthehen në pranverë.

Durrësi njihet për pasurinë e madhe të kulturës arkeologjike, por sot ky qytet bregdetar, veç trasëgimisë kuturore arkeologjike, ka të drejtë të mburret me njerëzit e tij.

I lashtë, njëri ndër portet më të mëdhenj të Mesdheut në antikitet dhe Mesjetë, sot është porti më i madh i Shqipërisë së kohës moderne. Qyteti i lashtë bregdetar ka qenë si pikë strategjike për të lidhur perëndimin me lindjen. Ndaj pushtuesit e huaj që nga Helenët, Romakët, Venecianët dhe gjithë të tjerët me radhë, kanë synuar ta kenë Durrësin rezidencë të tyre sinjë portë hyrëse për të arritur në kryeqendrën e lindjes, Kostandinopojën. Banorët e tij në çdo kohë i kanë pritur pushtuesit me armë. Pikërisht për këtë rezistencë dhe mosbindje të banorëve durrsak, e kanë djegur dhe shkatërruar disa herë. Veç dorës gjakatare të të huajit, Durrësin e kanë ndjekur dhe fenomenet tragjike të natyrës, tërmetet. Shkatërrimet e tij kanë filluar me tërmetin që shfarrosi Epidamnin antik, deri në atë të 26 nëntor 2019, gjurmët e të cilit janë ende të pranishme. Megjithatë Durrësi e ruan fizionominë e tij si një qytet i bukur legjendar. Kjo është meritë e njerëzve të tij të mrekullueshëm, bujar, punëtorë dhe të kulturuar që e kanë ruajtur strukturën e tij të hershme. Pikërisht qytetarët e tij e zbukurojnë dhe ia rritin madhështinë t të lashtë.

Durrësi ka dhënë mjaft vlera në të gjitha fushat e jetës, por unë do të veçoja vlerat e tij në art dhe letërsi. Ishte nga Durrësi aktori i madh me famë botërore; Aleksandër Moisiu që bëri përmbysje të teatrit mondan dhe solli risi në aktrim si në skenën e teatrit, dhe në ekranin e kinemasë të shek XX. Për vlerat e tij të padiskutueshme në modernizimin e teatrit dhe filmit, pasi ka përjetësuar kryeveprat botërore si askush tjetër. Për vendin që zë ai në artin botëror, unë e kam përzgjedhur tek studimi im, njërin ndër 90 Elitat Kombëtare.

Durrësi gjithashtu njihet si qytet i arsimit, kulturës, i poezisë dhe i teatrit. Nuk do të përmend të gjitha figurat e ndritura që lindën, u rritën dhe i dhanë vlerat në Durrës.

Vetmohimin dhe vlerat që kanë dhënë si një homazh nderimi, po sjell ndëmend me veneracion, aktorët e mirënjohur të Durrësit që nuk jetojnë më. Nderim për Regjisorin Gjergj Vlashi, aktorin e ekranit, Gulielm Radoja, aktotrin Vangjel Heba, aktorin e paharruar të humorit dhe mikun e familjes sonë, Fadil Hasa. Njerëzit e ndritur as i kanë munguar dhe as i mungojnë Durrësit.

Për këto pak rreshta që po i kushtoj Durrësit, shkak u bë qytetari i mirë, Njeriu “Njeri”, mësuesi i palodhur veteran, studiuesi, analisti letrar dhe poeti Kadri Tarelli, i cili mori pjesë në një konkurs internacional dhe fitoi një çmim prestigjioz. Poezia fituese e tij është e çmuar sepse hyri në Antologjinë Internacionale të Poezisë, me autorë nga e gjithë bota. Ky është një vlerësim i madh sepse i bëhet nder Kadriut, Shqipërisë, Durrësit dhe Lidhjes së shkrimtarëve.

Kadri Tarelli fiton çmim ndërkombëtar poetik në Itali

Si e njohim z. Kadri Tarelli ?

Z.Kadri Tarelli është një vlerë e shtuar dhe e pamohueshme për Durrësin. Është çudi e madhe me ne shqiptarët! Shteti me institucionet e tij dhe politika shumëngjyrshe shqiptare, i kanë njerëzit para syve dhe nuk i shohin. Këta krijues, me punën e tyre vetmohuese, reklamojnë vlerat e kombit në ekranet e TV, në mediat e shkruara apo elektronike, nëpër podiume festive si brenda vendit dhe në trojet tona etnike, apo nëpër libra dhe askush nuk kujtohet se edhe këta njerëz janë një vlerë e veçantë e kombit. Intelektualët shqiptarë gjithmonë i ka vlerësuar bota. Mirë ata që janë në emigracion, por Kadriu dhe sa të tjerë, më parë i ka spikatur bota se, vendi i tyre i kalënë në harresë.

Shqipëria e politizuar hesht për intelektualët që bëjnë një punë krijuese, e cila u vlen situatave të rënda që jeton sot kombi ynë që po shkon drejt shpërbërjes dhe plakjes së kombit.

Njerëz vizionarë si Z Kadri, me punën e tyre krijuese apo shkencore, u japin shpresë shqiptarëve të demoralizuar nga rritja e çmimeve, varfëria e skajshme, papunësia, korrupsioni, padrejtësia, krimi i pandëshkuar, mërgimi etj. Këto plagë të pashërueshme në trupin e mëmës sonë Shqipëri, janë bërë gangrenë për kombin më të lashtë. Kadri Tarelli shquhet si një veprimtar i shquar në mbrojtjen e të drejtave të fëmijlëve dhe në fushën e edukimit. Ndaj zëri poetik i Kadriut, analist i shquar si ai, poet që tematikën e merr nga përditësia dhengre zërin për realitetin e hidhur, ai aludon me poezinë e bukur e domethënëse që titullohet, “E Pabesë Është Dashuria” ! Një paralelizëm fantastik i kësaj ndjenje lozonjare,por e domosdoshme dhe pabesisë së jetës!

Urime zoti Kadri!

Kadri Tarelli me z. Alessandro Villa gjatë ceremonisë së konkursit

Jetëshkrimi dhe aktivetiti i tij i shquar në disa fusha edukimi

. Kadri Tarelli ka lindur në Devoll të Korçës, Prill 1943.

. Prej viti 1954 jeton në Durrës, ku mbaroi arsimin 7-vjeçar dhe gjimnazin.

. Ka kryer Universitetin Shtetëror të Tiranës në degën Histori-gjeografi.

. Ka punuar si mësues dhe drejtues shkolle rreth 45 vjet, në disa rrethe të vendit, mes tyre edhe katër vite në arsim jopublik.

. Në shtator 2010, ftohet në Kolegjin “Turgut Ozal”, në Durrës, si hartues i revistës letrare-shkollore-shkencore, me titull “Buletini”. Detyrë që vazhdoi për katër vjet.

. Ka mbi 30 vite që publikon shkrime në shtypin e shkruar të Tiranës, Durrësit, më tej në Kosovë, Britani e Madhe, Zvicër dhe në SHBA, Suedi, etj.

Vlerësime të merituara

*Medalja “Naim Frashëri”, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë. Motivacioni: “Është dalluar për punë të ndërgjegjshme dhe për arritje në mësimin dhe edukimin e nxënësve”. Tiranë, më: 12. 06. 1990. Dekret: 7390.”

*Çertifikatë "Noble Star for literature”, nga Akademia Kombetare e Artit dhe Kulturës në Indi, më: 31. 12. 2019, me motivacion: “Kjo certifikatë i paraqitet zotit Kadri Tarelli, poet, autor, botues, dhe veprimtar shoqëror. Për njohjen e kontributit të tij në letërsinë dhe kulturën botërore".

*Pranuar “Ambasador for Peace”, nga “Universal Peace Federation”.

*Dhjetra certifikata vlerësimi dhe mirënjohje, nga konkurse, organizma letrare, shoqërore dhe shtetërore.

*Në konkursin poetik “Ora e poezisë”, Tropojë, maj 2018, vlerësohet me “Çmim special”.

*Në konkursin poetik, zhvilluar në Itali, Qershor 2022, vlerësohet me çmim internacional.

Libra të Botuar: Sh B. “Milienum i Ri” Durrës

* “Misionarë në udhën e dijes”. Publicistikë, 2013.

* “Kur lexoj një libër”. Kritikë letrare, opinione, intervista, reportazhe. 2017.

* “Hytbi Tarelli, Mjeshtër i penelit dhe daltës (monografi).2019

* “Koha në vargje”, 2020,

Mirënjohje konkursit poetik në Itali.

Përshëndetje miq dhe dashamirë të nderuar dhe lexues të zellshëm të shkrimeve dhe poezive.

Sapo jam kthyer nga Italia, ku mora pjesë në ceremoninë kushtuar konkursit poetik, në: 5 Qershor, 2022, organizuar në 31 vjet me radhë, në “Vila Santa Cuore”, në Triuggio, pranë qytetit Monxa.

Në konkurs morën pjesë rreth 70 krijues nga shumë vende të botës, ku pjesëmarrës isha edhe unë me poezinë: “E pabesë është dashuria”, poezi që u vlerësua me vend të katërt.

Nga Shqipëria në konkurrim ishim tre pjesëmarrës: Unë nga Durrësi, Dhimitër Pojanaku nga Pogradeci dhe Matilda Miraka nga Elbasani. Në këtë veprimtari, Dhimitiri dhe Matilda nuk u paraqitën. Shpreh kënaqësi që takova italianen Silvia Storti Shelyta, njohëse e gjuhës shqipe, që ka përkthyer poezinë e poetes Matilda Miraka. Mes nesh si shqiptarë ishte edhe Mehdi Krasniqi, nga Malisheva e Dardanisë.

Me këtë rast falënderoj znj. Irma Kurti, banuese në Itali, e cila bëri të mundur pjesëmarrjen time, duke përkthyer poezinë, në Italisht.

Përshëndes organizatorin e këtij kuvendi poetik, z. Alessandro Villa, që dejtoi të gjithë veprimtarinë dhe jurinë, tepër objektive dhe profesionale artistikisht.

Të gjitha poezitë konkuruese u përfshinë në librin: “Antologia del Premio Internazionale”.

Lexim të këndshëm!

Poezia fituese Kadri Tarellit që hyri në antologjinë internacionale:

E PABESË ËSHTË DASHURIA!

Frymë deti,

puhi mbi valë,

Shtrihet bregut dhe përtej...

Psherëtinë...,

më sjell ca fjalë:

-Më rri pranë dhe unë rrëfej…..!

E pabesë...

është dashuria!

Mos u fshih,

kudo të gjen.

Ka bekim nga perëndia,

Në çdo moshë të rrëmben.

Mos mbyll sy...,

e mos rrudh ballë,

S’shuhet prushi nën hi,

Dashuria mbetet gjallë,

Në çdo shpirt...

ndez një qiri.

Miku ynë, Kadri Tarelli, edhe një herë Urime, suksese të mëtejshme, jetë e shëndet dhe sa më shumë prodhimtari!

Me konsideratë, Vilhelme e Fitim Haxhiraj

Vlorë, 22.6.2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat