Lartpurlartizmi i shpifur ose publiku politiko-artistik!

Kultura

Lartpurlartizmi i shpifur ose publiku politiko-artistik!

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Kah fillimi i shekullit tetëmbëdhjetë, do të nisë një lëvizje e artistëve dhe krijuesve që do të mundohen ta bëjnë artin vetëm për art, artin për artistë, duke anashkaluar rrethanat shoqërore e politike, duke anashkaluar mënyrën e të jetuarit dhe robtuarit, duke sjellë tjetër art nga ajo që kultivohej nëpër oborret mbretërore e që për qëllim kishte argëtimin e puthadorëve dhe shërbëtorëve të pushteteve mbretërore. Kjo lëvizje solli edhe definicionin e një teorie të re estetike, l’art pour l’lart, të cilën, në vitin 1818, për herë të parë e përdori filozofi francez V. Cousin, i cili mbronte tezën e vetëmjaftueshmërisë së artit dhe pavarshmërinë e tij nga jeta e përgjithshme shoqërore. Natyrisht, teoria e letërsisë dhe estetikës e ka kritikuar deri në përjashtim, duke mos e preferuar si motiv për ta bërë artin!

Mosnjohësit e periudhave letrare, filozofike e artistike, shpesh ndodhë që të futen hullive të mbuluara me plehra dhe pikërisht aty përpiqen të vegjetojnë! Tanimë në mesin e kruzhoqeve artistike shqiptare sikur është bërë modë të vetëmjaftohen dhe artin ta bëjnë për vete si komunitet. Mblidhen poetë, ata që njihen në mes vete dhe, i shkrepë mendja dikujt për ndonjë orë letrare dhe, sakaq, do të mblidhen në ndonjë odë dhe do të kënaqen duke i lexuar njëri-tjetrit poezi!

Fatkeqësisht, ky trend po na shfaqet edhe në botën teatrale! Shfaqje për artistë, respektivisht për aktorë. Për aktorë të përzier me politikanë që e “njohin” teatrin, dramaturgjinë, aktrimin, koreografinë, kostumografinë, që i kuptojnë efektet e dritës, të hijes, kolonat zanore etj. Kohëve të fundit, ky “komunitet” po na del të jetë fatmirë me ekskluzivitet i premtuar për të qenë “publiku i zgjedhur” e i përjetshëm për të përcjellë ndonjë shfaqje! Edhe muzika klasike interpretohet për këtë lloj “shtrese publiku”, edhe koncertet e ansambleve, edhe ekspozitat... Këta, nëse nuk e kuptojnë artin, të paktën “dinë” ta shijojnë dhe janë shumë elekuentë në shprehjen e bravurozitetit të kotë për atë që kanë parë apo përcjellë. Nuk ka art, nuk ka shfaqje, nuk ka koncerte për publikun e gjerë, për vegjëlinë, sepse ata nuk po dinë të ngrenë moral as te poeti, as te shkrimtari, as te artisti, as te regjisori, as te tenori, as... askund! Prandaj, nuk ka art për vegjëlinë, ka vetëm për ata që e bëjnë artin! Art për artin!

Po ata që nuk dinë të bëjnë art, që nuk e kuptojnë artin, që nuk e kanë të qartë se arti bëhet për publikun e gjerë e jo për kruzhoqe snobistësh; si t’i definojmë ata “artistë” që me të madhe i mëshojnë tezës se arti i tyre është ekskluzivisht për miqtë të vet nga “esnafi krijues” dhe për duartrokitës të verbër nga esnafi politik? Këta nuk janë shumë, prandaj dhe përthakohen që të gjithë me një orë letrare, me një shfaqje, me një koncert. Përsëritje, reprizë, shëtitje nga një qendër në qendrën tjetër, nuk ka. Sepse, publiku i gjerë shpesh di të fshehë edhe njohës, kritikë dhe zbërthyes gjenialë të artit të këtyre lartpurlartistëve të shpifur.

Fatkeqësisht, falë këtyre “artistëve” të cilëve për momentin po u shkon kungulli mbi ujë, jemi i vetmi popull në rajon që konsumojmë shumë pak art, që shijojmë shumë pak vlera, që kemi teatro e skena muzikore, por që nuk kemi publik. Ky lloj i krijuesve artistikë, nuk ndjehet rehat dhe komod para publikut, të cilin ose e llogaritë për primitiv ose të padenjë për shijim të artit, ndaj dhe krijimtaria e tyre bëhet eksluzivisht për artistë e për partiashë! Para tyre mund t’i shpalosin gjithë “vlerat” e veta. Përtej këtij “publiku politiko-artistik” është edhe një publik “i verbër”, por mjeshtër i përkryer në vlerësim objektiv, në dallimin e së mirës nga e keqja, në shijimin e vlerës, artit!

Nëse të duartroket publiku, të ka bekuar Zoti! Nëse të duartroket artisti, për më tepër artisti politikan, të ka hëngër dreqi! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat