Poezia dhe arti poetik ka për qëllim trasimin e rrugëtimit të shëndetshëm në përmasa njerëzore

Kultura

Poezia dhe arti poetik ka për qëllim trasimin e rrugëtimit të shëndetshëm në përmasa njerëzore

Nga: Tahir Bezhani Më: 16 prill 2023 Në ora: 10:49
Kopertina e librit

Autorja e librit, Bukurie Hajdarmataj, para lexuesve del për herë të parë me librin poetik të lartcekur me të cilin ndez dritën e shpresës tek lexuesi se do kemi një poete të mirëfilltë me një talent të spikatur. Ky vlerësim buron nga penda e saj e mprehtë e cila me një modesti njerëzore e krijuese, skalit vargun brilant duke dhënë mesazhe të brumosura nga jeta njerëzore, nga përditshmëria e rrethanave të së kaluarës dhe së tanishmes.

Bukurie Hajdarmataj, e lindur në Shoshan të Tropojës, e punësuar në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Hoxhë Zogu” në Zogaj, në vete mbart një përvojë jete e pune të gjatë, ku përjetimet e saja, kanë prekur ndjenjat e saj intelektual, duke nxitur në krijimtari që nga shkolla fillore dhe ajo e mesme. Idetë e saja krijuese prekin të gjitha fushat e jetës njerëzore, duke ngërthyer në brendi dhembjen dhe dashurinë si shtylla të ndërgjegjes njerëzore nëpër kohë....

Libri poetik me titull mjaft provokativ, “Grua pa faj,” përmban sekuenca të ndjeshmërisë shpirtërore duke dhënë preferenca plot dhembje mbi fatin e femrës shqiptare në trojet tona. Njëkosisht, pos vuajtjes së saj, nxjerr në dritë edhe kontributin historik, si pjesë e pandashme dhe e barabartë e shoqërisë sonë.

Poezia “Shqiponja e malësisë ”, dedikuar mësueses e cila vuajti nga diktatura e monizmit në Shqipëri, Rukie Ramës, përmban gjithë kalavarën e dhimbjes së femrës shqiptare, duke personifikuar atë me gjitha vuajtjet e nënave shqiptare në kohë e rrethana tejet të ndërlikuara. Duke paraqitur një sistem tejet monstruoz të kohës, në poezinë e lartëcekur shkruan:

”Bisha të sëmura ata ishin/ Ah!.../Njollë e zezë e shoqërisë/Ja gjakosën këmbët shqiponjës/Në jetë e vdekje gjynahe mbajnë mbi kurriz”

Duke cilësuar personalitetin e një mësueseje në rrethana të tilla, si Rukie Ramën poetja më tej e karakterizon, duke nxjerrë si heroinë, simbol të qëndresës:

“Ishte vajza e parë që grisi shaminë/udhëtare në rrugën e shpresës së thyer/vrapon një vajzë, djalë, a shqiponjë fluturon/ mes shtigjeve bytyqase, / nga vapa dhe shirat gërryer”.

Ideja për të arritur qëllimin duhet të kaloi përmes një martirizimi ideologjik, duke kredhur në baltimin e brendshëm. Mënyra e tillë e qasjes së vargut poetik, poezinë e bënë art kreativ përmasash, ku autori mbetet gjatë në mbamendje. Mendoj se refleksioni i kësaj poezie përkushtuese ka prodhuar me arsye gjithë përjetimin e dhimbshëm të një mësueseje brenda një diktature të egër e të gjatë....

Ndonëse, poezia e titulluar “Grua pa faj”, ngritë në piedestal gjithë fatin ecejakeve jetësore, duke triumfuar në luftë me kohën, si në vargjet:

”Grua gri në k’të botë gri/Gëzimi yt i vetëm fëmijët/Bota të shkeli ty?/ Apo botën po e shkel tash ti?”

Autorja e librit, Bukurie Hajdarmataj, duke qenë edukatore brezash, përditshmëria e saj është përherë e atakuar me ngjarje të rëndësishme të jetës, të cilat, si valë deti, e trazojnë deri në hidhërime e gëzime jete. Uni i saj krijues kacafytet me çdo rrethanë nga ku pikon arti këndshëm....

Poetja Bukurie Hajdarmataj artin poetik e ka si kështjellë të ndërgjegjes njerëzore e shoqërore, përmes së cilës jeta lë gjurmë të kohës . Ajo i detyrohet profesionit të edukatores dhe përmes poezisë, tregon gjithë dashurinë për shkollën, nxënësit, brezat e ardhshëm, dritë ardhmërie e vendit tonë. Duke përjetuar thellë dashurinë ndaj nxënësve, natyrshëm, reflekton me vargje: “çdo ditë marr buzëqeshje /Çdo mëngjes ndihem e gëzuar /ndihem e bekuar me nxënësit e mi...”

E përkushtuar tërësisht në edukimin e brezave, me sinqeritet krijues, nxjerr në pah tërë respektin edukativ që duhet të ketë një mësues apo mësuese. Me të tillë karakter dashurie për gjeneratat paraqitet edhe tek poezia “Maturantët,” ku përditshmëria e jetës përkon me dashuri dhe përkushtim të sinqertë kudo.

Në librin poetik “Grua pa faj” gërshetohen edhe një mori termash të cilat spikasin dhimbje e dashuri kohësh, por edhe gëzime nga fëmijëria, duke përkujtuar një jetë të ëmbël në prehërin e nënës e gjyshërve, aty ku jeta merr hov lartësive. Autorja me forcë shpirti i kushton vargje motrës së dashur, duke kujtuar atë “ që njeh detin e tallazeve brenda meje,” duke iu drejtuar se çfarë të quaj ty, ”Rreze dielli kur bie shi/Apo....Në mjegullën time ylberi im?.”.

Ndërsa për vëllain, ka një peshë akoma më të ndjeshme, sigurisht, bazuar edhe në traditën tonë me rastin e lindjes se djalit. Autorja vëllait i drejtohet me vargje madhështore:” Vëlla është dera e pragut/Është gëzimi i konakut/Vëllai fjala e shpresës/Vëllai është drita e jetës...”.

Një element i veçantë që bie në sy të lexuesit është glorifikimi deri ne piedestal të gjyshit të fëmijëve të saj, gjegjësisht, vjehrrit, ku rrallë e ndeshim në poezi një përkushtim vjehërror, ose fare. Kjo flet për një përkushtim të mirëfilltë familjarë, një dashuri edukative si rregullator i jetës brenda familjes.

Bukurie Hajdarmataj, në librin e saj “Grua pa faj,” trajton një mori temash aktuale duke u nisur nga motivet e vjetra e që akoma kanë rrënjë në kohën tonë, pastaj duke iu qasur gyrbetit, si dukuri dhe dhimbje e madhe e kohës sonë, me pasojë zbrazja e vendit nga brezat e rij dhe asimilimi i tyre në botën perëndimore, pa a asnjë arsye.

Duke lexuar një libër me poezi të arrira e tema të llojllojshmërisë të jetës sonë në tërësi, mbesim me shpresë se nga autorja Bukurie Hajdarmataj, do lexojmë vepra të reja poetike, e pse jo edhe në prozë, duke na befasuar këndshëm me boten e saj të brendshme plot thesar jete....

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat