Tipare të poezisë së Sami Mulajt – ‘Lisat e mi të diellit”

Kultura

Tipare të poezisë së Sami Mulajt – ‘Lisat e mi të diellit”

Nga: Artur Shemaj Më: 26 prill 2023 Në ora: 11:55
Foto ilustrim

Njohja me poezinë e Sami Mulajt nuk është rastësore.Me kohë i kisha lexuar poezitë e tij ,por vëllimi që më ra në dorë ma përforcoi bindjen për një poet të sinqertë që është vetvetja dhe mëton të shprehë në mënyrë origjinale ato që përjeton e ndjen.Vëllimi “Lisat e mi të diellit” e shpreh një konotacion të mirëfilltë ideo-estetik:lisat janë njerëzit,ngjarjet,ndodhitë,episode,kujtesa,ndërsa dielli mbetet vendlindja.

Poeti,edhe pse jeton në Amerikë,e ka gjithnjë një shtysë që nuk e lë të qetë:kthimin në atdhe herë pas here, kthimin në vendlindje dhe kjo jo thjeshtë për qëllime udhëtimi,por si një gravitet i brendshëm,si një vetëtërheqje instiktive drejt viteve të shkuara dhe si një dëshirë për të tashmen e të ardhem.Kjo përbën frymën që buron nga shqetësimi poetik i këtij vëllimi.

Jo rastësisht,motive të këtij vëllimi mbeten:Morina, Shkëlzeni, Dradania, poetët e Tropojës,Lahuta e malësisë,Rugova,Çiftelia etj. Këto motive dhe të tjera bëhen farëza të ngrohta shpirtërore prej nga buron dëlirësia e vargut spontan të Sami Mulajt,një shpresë e sinqertë që arrin po në këtë rrugë në përpunimin estetik të idesë:”Toka nuk ju thotë hajdeni/a ndoshta ju thotë/edhe dashuritë sot nuk e dinë/as kur nisin,as kur shkojnë”.

Poeti,i ndodhur larg, e ndjen këtë peng dhe e manifeston përmes këtyre vargjeve kaq të thjeshta.Vargu i tij shpreh vetmjaftueshëm hapësirën e vet me një intesitet mendimi që rri si në një dialog me kohën dhe sendet që e shqetësojnë.Valët e shpirtit të tij janë të qeta,por përmes kësaj qetësie përftohet dramë e ikjes së njeriut të sotëm shqiptar ndërthurur me pengun e mallit dhe të destinacionit shpirtëror.Edhe pse shpesh në vargjet e tij ka racionalitet që shprehet në konstatime të thjeshta,ky rracionalitet nuk e dëmton vetshprehjen autentike.Kjo është domethënëse për poezinë e këtij vëllimi.Do të veçoja këtu poezinë “Morinë”,që është një baladë e fuqishme ku ndehet tisi i rënduar i trishtimit mbi zbrazjen e trojeve shqiptare prej ikjes:”Vetëm rrënoja shtëpish/që duken si gojë të shtrembra/me dhëmbë të thyer e të ramë”.

Mjaftojnë këto detaje për të kuptuar më së miri sesi zbrazëtia nuk e bluan më bukën e jetës, dhe buka e jetës janë njerëzit.

Sami Mulaj zbulon çaste dhe momente larg çdo qëllimi vetëm për të thënë,por ato vijnë nga një vetëdnjerje poetike,larg çdo konstatimi të thatë e vizatimi të thjeshtë.Ai vizaton poetikisht,me dy- tri penelata dhe hedh shpesh mbi to bojën gri të mërzisë për lëndimet e vendlindjes dhe të atdheut.

Origjinal e bën si poet lirshmëria e fjalës së tij larg çdo përngjasimi.Edhe pse është vëllimi i parë,duket se kemi të bëjmë me një poet që e rrok penën në mënyrë të sigurt,që shpreh përmes ndjenjës dhe atë që shpreh e përforcon me një mendim sa konkret e here- herë nëntekstual.Kështu poezia e tij bëhet bartëse e vizatimit konkret, por edhe tw ëndrrës transcedentale.”U shtriva në livadh/e me sytë në qiell/piskata me shpirt/o ëndërr kurrë mos më zgjo”.

Vazhdimi i ëndrrës nuk është një tentim për të rrëmuar atë,por për ta ndjerë dhe për t`u pushtuar nga magjia e saj.Ëndrra te ky poet nuk është një devijim i turbullirës ,por një kthjelltësi e dashurisë për vendlindjen,për lisat e saj…Lisi,në kuptimin metonimik merret që nga De Rada dhe lisa janë njerëzit jo vetëm natyra si dekoracion poetike dhe pse elementët e natyrës që vijnë natyrshëm në poezinë e tij e tregojnë dhe e veçojnë atë si poet nga Trpoja.”Harrova të zgjohem/me boçat e pishave/luaj si me guraleca/e drenushat më ndjekin”.Përvijëzimet e peizazhit autori i ndërfut në poezi jo thjesht si detaje por si frymë,si ndjesi,ku shprehet bota poetike.I rrëmbyer nga bukuria e natyrës, poeti nuk mund të mos e sjellë atë në një shpalosje ndjesish të holla,me fare pak fjalë të kursyera,por që të impoojnë.Shpirti i poetit është pranues dhe reflektues dhe ky reflektim shprehet përmes vargjeve që vijnë e derdhen larg organizimeve strofike të rregullta,jo më kot poeti në këtë vëllim e thirr kujtesën,jo si nevojë për plotësim identiteti, por si nevojë për ta shprehur identitetin.”Dikur më thërrisnin Sami/e tash nganjë- herë në Amertikë, Sem/por unë tek emri i parë/dua të jem”.

Përgjithësisht në këtë vëllim shprehen tipare të theksuara të një poezie që realizohet me ton intim të thekshëm malli dhe kujtese,ku autori u drejtohet edhe njerëzve apo ndikimeve nga ngjarje të rastit me peshë nga vendlindja,prandaj edhe dielli shndërrohet në një metonimi funksionale.

Poezia e Mulajt shfaq rrjedhën e kohës dhe përmes pozicionit të një intelektuali(Sami Mulaj është inxhinier) në Perëndim manifeston atë rrjedhë të pashkëputshme të njeriut me vendorigjinën edhe pse sot autori gjendet në rrjedhat e vorbullat e një shoqërie tjetër,sepse,siç e thotë poeti:”yjet shalojnë qiellin/poetët tokën shtegtojnë”.Por ky shtegtim nuk është aq komod duke pasë parasysh faktin se njeriu nuk mund të udhëtojë pa një ngarkesë specifike mbi shpatulla për t`i hequr lehtësisht vitet e shkuara.

Poezia e tij është e shkurtër,me tekste e nëntekste të kuptueshme,larg çdo manierizmi dhe kërkimi të figurës për modë,simbolika është e hapur dhe mesazhet të qarta.Kjo qartësi përcillet përmes një fryme të ngrohtë të dashurisë për vendlindjen dhe Dardaninë.Një poezi e ngjeshur deri-diku me mendim,por edhe spontane e konkrete,e cila në ligjërimin e saj merr edhe tiparet e një dialogu të munguar dhe të kërkimeve të kuptimeve pse pikërisht kjo apo ajo ndodh kështu.Përjetimet janë të thjeshta,por të besueshme të shkaktuara nga një konkretësi dhe kapje e një detaji.

Libri “Lisat e mi të diellit” lexohet për rrjedhën e këndshme të vargut,forcën e frymëzimit,lirshmërinë e fjalës,detajin impresionues herë-herë dhe, ndonëse është libri i parë i autorit,ai ka bërë kujdes që të dalë me një nivel të mirë artistik dhe kjo premton e jep premisën se në librat e tjerë autori do ta rrisë edhe më cilësinë e fjalës artistike dhe ngjyrën e emocionit në të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat