Opinionit shqiptar duhet shpjeguar, se çka është “Familja tradicionale shqiptare”, sepse gjeneratat e reja nuk e kanë idenë, se cilat ishin vlerat që përmbante në vete familja tradicionale shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, cilat ishin vlerat e saj kombëtare, humane, patriotike dhe kulturore, etj., për ta kuptuar më mirë, se pse sot në Kosovë kemi një grupim intelektualësh të cilët i ka bashkuar kauza për t’i mbrojtur vlerat dhe traditat e familjes tradicionale shqiptare.
Siç dihet nga e kaluara, familja tradicionale shqiptare ishte një strukturë sociale, shpirtërore, etike, morale, reproduktive dhe edukative me role dhe marrëdhënie personale dhe kolektive të rregulluara brenda saj, si themel i shoqërisë, me një hierarki dhe autoritet të pakontestueshëm të zotit të shtëpisë.
Familja tradicionale shqiptare i kishte këto vlera;
Besimin në Zot, si ndjenjë shpirtërore dhe përcaktim religjioz ndaj vlerave morale të fesë që i takonte.
Fejesat dhe martesat bëheshin mes një djali dhe një vajze me dëshirën e prindërve të tyre, kurse fshehurazi edhe me dëshirën e tyre përmes mësitit, me dëshmitarë dhe pëlqimin e dy familjeve, e që ishte një garant që siguronte ndërtimin e shëndosh dhe të qëndrueshëm të jetës bashkëshortore mes një burri dhe një gruaje.
Nderi familjar, nënkuptonte në mënyrë të prerë, se burri dhe gruaja kurrë nuk do e tradhtojnë njëri tjetrin me ndonjë femër, gjegjësisht me ndonjë burrë tjetër, sepse kjo ishte tradhtia më e madhe morale dhe familjare që e shkatërronte jetën bashkëshortore, dhe nëse kishin fëmijë, ata do rriteshin pa nënën biologjike, ngase në raste tilla ndarja mes tyre ishte e pashmangshme.
Mos e harroni kurrë këtë fakt; se në familjen tradicionale shqiptare, gruaja është lëshuar-divorcuar nga burri vetëm për dy shkaqe, tradhti bashkëshortore dhe hajni, për asgjë tjetër, ndërsa sot ajo divorcohet për gjëra banale dhe shkaqe krejtësisht minore.
Ndërtimi i një familjeje me trashëgimtarë dhe pasardhës ligjor, nga një nënë dhe nga një baba të njohur për familjen, fisin dhe rrethin ku ata jetojnë, ngase asokohe nuk ka pasur martesa brenda të njëjtit fis, sikur sot, të cilët i rrisnin fëmijë bashkërisht me mund dhe sakrifica të njëjta, pa e cenuar unin-egon gjinor të njëri-tjetrit. Pra, duke e ruajtur individualitetin personal, burri burrërinë dhe krenarinë e tij, ndërsa gruaja femërinë dhe sedrën e saj të gruas mbretëreshë në kuptimin alegorik, të cilët jetonin në harmoni të plotë, respekt dhe dashuri reciproke.
Ndërtimi i familjes së aftë për punë dhe sakrificë për të siguruar ekzistencën fizike dhe shpirtërore të tyre dhe të fëmijëve, si një bazament për shumimin biologjik të familjes, fisit dhe kombit.
Rritja, edukimi dhe aftësimi i fëmijëve për t’u bërë të pavarur nga prindërit, si vazhdimësi e llojit dhe sojit njerëzor dhe etnik, duke i dhënë kuptim jetës familjare dhe rrethit ku jetonin, si individë dhe si subjekt që përbënin shtyllën kurrizore të një populli dhe një kombi me cilësi të veçanta, siç është gjuha, ngjyra, kultura dhe traditat burimore që i veçonin nga popujt tjerë në afërsi.
Ruajtja e tipareve etnike, fisnore, popullore dhe kombëtare, të cilat përfshinin mënyrën autoktone te të jetuarit, të veshurit, të ushqyerit, të folurit, të folklorit dhe muzikës popullore.
Ruajtja e zakoneve dhe trashëgimisë mes burrit dhe gruas, mes prindërit dhe fëmijëve, mes vëllezërve dhe nipave, që tek shqiptarët ligj kryesor ka qenë Kanuni i Lekë Dukagjinit, por edhe sullet dhe traditat burimore te të pleqnuarit nga burra pleqnarë brenda dhe jashtë fisit, të cilët në fakt kanë qenë gjyqe dhe vendime gojore, por të obligueshme për secilën palë në konflikt apo në ndonjë çështje tjetër kontestuese.
Ruajtja e traditave të dasmave, festave familjare dhe kombëtare brenda familjes tradicionale shqiptare, si ruajtja e rrobave dhe gardërobës me tipare, puro shqiptare, përdorimi i veglave autoktone muzikore me simbole dhe shenja etnike, kombëtare dhe heroike.
Ruajtja e simboleve kombëtare, të flamurit, armëve, mbulesave dhe shtrojave, si të qilimave kuq e zi, sexhadeve me figura të deleve, kuajve, ujqve, të djepave me simbole nacionale, të dekicave, pëlhurave, plisave, shamive, triçëve dhe shallave të bardhë, etj, etj, etj.
Mjerisht, familja tradicionale shqiptare është shndërruar sot në një anarki sociale, arenë grindjesh dhe konfliktesh mes burrit dhe gruas, që si pasojë ka shkaktuar çrregullime brenda familjes, siç është rënia e shtimit natyror të popullsisë shqiptare në Kosovë, ku sipas të dhënave të Entit të statistikës së Kosovës, shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë nga 15,4 në 12 promilë, ndërsa nga viti 2004 deri më 2010 janë shkurorëzuar 9810 çifte, ndërsa vetëm në vitin 2010 janë shkurorëzuar 1453 çifte. Shifra këto zyrtare, ndërsa në realitet numri i divorceve është shumë më i madh se ai zyrtar, sepse shumë divorce nuk janë bërë përmes gjykatave.
Shkaqet më të shpeshta të divorceve janë, dhuna fizike dhe psikike, ndryshimet në karakterin e çiftëve, pabesia dhe tradhtia bashkëshortore, homoseksualiteti, prostitucioni, braktisja e fëmijëve, përçarjet mes burrit dhe gruas, vështirësitë ekonomike, alkooli, droga, bixhozi, diferenca në moshë, xhelozia, egoizmi, karriera, dhe kështu me radhë.
Kështu që, këto dhe disa dukuri jo të natyrshme, siç është prindi 1 dhe prindi 2, fertilizimi, martesa mes të njëjtës gjini, etj., të cilat kurrë nuk kanë qenë pjesë e familjes tradicionale shqiptare, ka nxitur formimin e grupimit “Lista për familjen”, për t’iu kundërvënë shkatërrimit të mëtejmë të familjes shqiptare, si një angazhim legjitim, të cilin do duhej ta përkrahte çdo shqiptar, po qese duam t’i ruajmë traditat dhe vlerat e familjes së dëlirë dhe autoktone shqiptare.
me shkatërrimin e saj do zhbëhet edhe qenia jonë shqiptare, e që është qëllim numër një i armiqve tanë shekullorë.