Ndërron jetë ikona e kinematografisë shqiptare, ja kush ishte Margarita Xhepa

Kultura

Ndërron jetë ikona e kinematografisë shqiptare, ja kush ishte Margarita Xhepa

Më: 3 prill 2025 Në ora: 13:39
Margarita Xhepa

Është ndarë nga jeta njëra prej figurave më të mëdha të skenës dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa.

Aktorja e njohur vdiq në moshën 93-vjeçare, vetëm një ditë pasi kishte festuar ditëlindjen e saj. Lajmin e hidhur e ka konfirmuar djali i saj, aktori Ndriçim Xhepa.

Sipas burimeve familjare, artistja kishte vuajtur prej kohësh nga probleme shëndetësore, ndërsa gjendja e saj ishte përkeqësuar së fundmi për shkak të komplikacioneve me mushkëritë, shkruan Ajo u shua në një spital privat, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në artin shqiptar.

Margarita Xhepa ishte një ikonë e teatrit dhe kinemasë, duke interpretuar në mbi 150 role teatrale dhe 32 role në kinematografi. Karriera e saj e pasur ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit shqiptar. Ndër interpretimet më të spikatura në teatër përmenden rolet e saj në “Cuca e maleve”, “Kush e solli Doruntinën”, “Përballë vetes”, si dhe në klasikët botërorë si “Hamleti”, “Mbreti Lir”, “Romeo e Xhulieta” dhe “Revizori”.

Në kinematografi, Margarita Xhepa ka interpretuar në filma të njohur si “Gjeneral gramafoni”, “Dimri i fundit”, “Koncert në vitin 1936”, “Dora e ngrohtë”, “Pranvera s’erdhi vetëm” dhe “Apasionata”. Në vitin 1997, ajo interpretoi në filmin grek “Mirupafshim”, i cili u nderua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa vetë Xhepa mori Çmimin e Nderit.

Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në artin dhe kulturën shqiptare, Margarita Xhepa është vlerësuar me titujt më të lartë shtetërorë, përfshirë “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Në vitin 2007, ajo u nderua me “Çmimin e Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” të Anton Çehovit.

Me ndarjen e saj nga jeta, skena shqiptare humbi një nga figurat më të ndritura, por trashëgimia artistike e Margarita Xhepës do të mbetet e pavdekshme. Interpretimet e saj të paharrueshme dhe dedikimi ndaj artit do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm të aktorëve dhe artdashësve shqiptarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat