Vandalizohet me imazh të pahijshëm një nga lokacionet e Trashëgimisë Botërore

Kultura

Vandalizohet me imazh të pahijshëm një nga lokacionet e Trashëgimisë Botërore

Më: 13 maj 2025 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Një akt vandalizmi ka ndodhur në një qytet shekullor peruan të njohur nga UNESCO si një lokacion i Trashëgimisë Botërore, ku një person ka vizatuar një imazh të organit gjenital mashkullor në një nga muret origjinale të qytetit, raporton BBC News.

Personi është filmuar teksa spërkaste me bojë murin në Chan Chan, një qytet para-kolumbian që ndodhet 500 kilometra në veri të Limës dhe që vizitohet nga mijëra njerëz çdo muaj.

Ministria e Kulturës së Perusë deklaroi se autori i aktit tregoi “një mungesë të thellë respekti ndaj historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, si dhe një shkelje të rregulloreve që mbrojnë vendet arkeologjike”.

Disa qytetarë peruanë ngritën pyetjen se si ishte e mundur që ai arriti të dëmtonte murin pa u ndalur nga askush, ndërsa të tjerë u shprehën të zhgënjyer nga mungesa e mbrojtjes së duhur të këtij siti. Videoja e incidentit u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale. Autori i mundshëm përballet me deri në gjashtë vjet burg nëse identifikohet dhe arrestohet.

Chan Chan ishte kryeqyteti i mbretërisë Chimú përpara se të pushtohej nga inkasët në shekullin XV dhe mbetet një nga lokacionet arkeologjike më të rëndësishme të Perusë.

UNESCO e përshkruan atë si qyteti më i madh në Amerikën para-kolumbiane, që shtrihet në një sipërfaqe të madhe dhe ndahet në disa “qytete” të rrethuara me mure të trasha.

Sulmi me bojë vjen vetëm disa muaj pasi një burrë dëmtoi “Gurin me 12 Këndesha”, një artefakt i famshëm inkas në qytetin Kuzko.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat