Publikohet libri “Në kujtim të kam” me mbi 100 poezi nga poeti dhe atdhetari Isa Mjeku

Kultura

Publikohet libri “Në kujtim të kam” me mbi 100 poezi nga poeti dhe atdhetari Isa Mjeku

Më: 19 maj 2025 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Ata që e ndjekin dhe e njohin, mezi kanë pritur librin e tij të parë. Bëhet fjalë për poetin dhe atdhetarin e njohur Isa Mjeku, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, ndërsa origjina e tij është, siç thotë ai vetë, nga Ilirida.

Sadik Bicaj, redaktori i këtij vëllimi, ndër të tjera shprehet për librin:

“Ka shumë vite që Isa B. Mjeku shkruan poezi dhe prozë në mënyrë të vazhdueshme, por vetëm këtë vit (2025) ai del për herë të parë para lexuesve, brenda dhe jashtë Kosovës – me theks të veçantë në Gjermani, ku jeton dhe vepron prej shumë vitesh si veprimtar i dalluar dhe aktivist i shquar në dobi të njerëzimit, për një jetë dhe shëndet më të mirë, veçanërisht për njerëzit në nevojë.

Përveç këtij angazhimi të përgjithshëm, Mjeku prej vitesh shkruan poezi dhe prozë për të rritur dhe merr pjesë në aktivitete të shumta të organizuara nga shoqata të ndryshme në Gjermani, si dhe në aktivitete të veçanta në Kosovë, duke përfaqësuar klube dhe shoqata që merren me aktivitete kulturore. Në këto aktivitete bëhen edhe vlerësime për krijimtarinë letrare në poezi dhe prozë.”

Në vijim, redaktori thekson: “Në vëllimin poetik Në kujtim të kam, trajtohen tema dhe motive të ndryshme, me theks të veçantë në: temën e dashurisë, atdhedashurisë, mallit për nënën, e të tjera. Gjithashtu, në faqet e këtij vëllimi hasim edhe tema atdhetare të realizuara me mjaft sukses.”

Për në fund, Sadik Bicaj shkruan: “Vëllimi poetik Në kujtim të kam është shkruar me një stil të veçantë dhe të ngritur, duke u veçuar me përdorimin e figurave stilistike, si: epitete, metafora, antiteza, etj. Poezitë janë ndërtuar në forma të ndryshme vargëzimi: distike, treshe, katërshe dhe disa të shkruara në formë kolone. Urime dhe suksese autorit!”

Libri sapo është publikuar, por mësohet se së shpejti pritet të botohet edhe vëllimi i dytë dhe i tretë me përmbledhje të tjera poetike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat