Dy botime për popullsinë e Prizrenit me rrethinë sipas Defterëve të vitit 1833 janë promovuar në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
“Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (Luma, Opoja dhe Gora)” nga autori Dr. Sadik Mehmeti dhe “Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas Defterëve të vitit 1833” nga autorët Dr. Sadik Mehmeti dhe Dr. Hatixhe Ahmedi, është thënë se janë vepra që ndriçojnë përbërjen demografike dhe shoqërore të Prizrenit dhe rrethinës në fillim të shekullit XIX, bazuar në defterët osmanë të vitit 1833.
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Mentor Alishani ka vlerësuar se botimet në fjalë trajtojnë fillimisht historinë, pastaj edhe demografinë dhe trashëgiminë e popullsisë së Prizrenit dhe të rrethinës.
“Këto botime përfaqësojnë një kontribut të çmuar në dokumentimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kolektiv, pasqyrojnë përkushtimin e studiuesve tanë të ndriçuar për të ofruar njohuri të thelluara për brezat e ardhshëm”, ka thënë Alishani.
Studiuesi nga Instituti Albanologjik, Hysen Matoshi, në cilësi të recensentit të botimit të parë ka dhënë hollësi lidhur me materien e trajtuar në vepër, duke vlerësuar punën kërkimore të autorit Sadik Mehmeti.
Ndërkaq, recensenti tjetër, historiani Parim Kosova, ka theksuar se bashkautorët Dr. Sadik Mehmeti dhe Dr. Hatixhe Ahmedi, me veprën e tyre kërkimore kanë mundësuar kuptimin e jetës së përditshme të popullatës së asaj kohe.