Sonte është përmbyllë edicioni i 12-të i festivalit gjithëkombëtar të folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, kushtuar rapsodëve, Dervish Shaqa e Demush Neziri.
Në 26-vjetorin e Ditës së Çlirimit, nën përkujdesjen e kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj u mbajt ky festival.
Gjatë këtyre netëve, Deçani u bë zemra rrahëse e kulturës mbarëkombëtare, një skenë ku solli artistë e grupe nga të gjitha trojet shqiptare, që ndezën eshkën e shpirtit kombëtar me këngë, valle dhe art të gjallë.
Aktivitetet kanë nisur dje pasdite me hapjen e ekspozitës me foto të festivalit që nga vitit dymijekatër kur është organizuar për herë të parë e deri më tash – edicioni i dymbëdhjetë, si dhe me defileun e grupeve artistike, raporton KosovaPress.
Në natën e dytë performuan Grupi “Rugova”, Shoqëria Kulturore Artistike “Zahir Pajaziti” nga Podujeva, Rapsodi Avdullah Musliu me Grup - me këngën “Kokën lartë moj Dardani”, këngëtari Samir Krasniqi nga Drenasi me këngën “Lulëzoj fusha”, dhe shumë të tjerë.
Festivali organizohet në nderim dhe respekt për dëshmorët e kombit dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kujtim respekti për rapsodët e njohur Dervish Shaqën e Demush Nezirin, si dhe të gjithë rapsodët e tjerë deçanas. Juria profesionale do të ndajë çmimet kryesore në festival.