Në kuadër të edicionit të sivjetmë të DokuFest, sot në Prizren ka nisur punëtoria “NextGen Filmmakers”, një aktivitet dyditor i dedikuar për të rinjtë e moshës 12–15 vjeç që ëndërrojnë të bëhen krijues filmash.
Punëtoria, e cila po mbahet në hapësirat e Innovation and Training Park (ITP), është organizuar nga DokuFest në bashkëpunim me kompaninë IPKO dhe është pjesë e programit edukativ DokuKids.
Aktiviteti do të zgjasë deri më 3 gusht dhe zhvillohet çdo ditë nga ora 12:00 deri në 15:00.
Gjatë këtyre dy ditëve intensive, pjesëmarrësit do të mësojnë hapat bazë për krijimin e një dokumentari të shkurtër – që nga konceptimi i idesë, xhirimi me smartphone apo kamera profesionale, deri te montimi final. Përveç kësaj, të rinjtë do të kenë mundësinë të mësojnë bazat e fotografisë nga fotografi i njohur Korab Basha.
Ky projekt synon të nxisë kreativitetin dhe aftësitë e tregimit vizual tek fëmijët përmes një përvoje praktike dhe argëtuese. Në fund të punëtorisë, filmi i realizuar nga pjesëmarrësit me titull “The NextGen Filmmakers of DokuFest” do të shfaqet në kuadër të festivalit.
Organizatorët inkurajojnë të gjithë të rinjtë e apasionuar pas kinematografisë të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e kësaj përvoje unike, duke kontribuar në të ardhmen e filmit dokumentar në Kosovë.