Imagjino fillimin e ditës me një kafe dhe me shfletimin e gazetës “Rilindja”, apo të revistës letrare “Fjala”….
Ku mbetën ato gjëra aq të vlefshme, nga të cilat ne merrnim lajme, informacione, njohje me gjërat kulturore që po ndodhnin në vendin tonë?!”
Nga libri NJERËZ, në vazhdimësi, ju prezantoj Gani Mehmetaj, shkrimtar, gazetar, kryeredaktor i të së përditshmes “Bota sot”, botues i gazetës ‘Dardania pres”, drejtor i “Kosovafilmit”, fitues i çmimit “Kadare” në vitin 2021 me romanin “Zogjtë e qyqes”, producent I filmit “Kukumi, i cili u shpërblye me shumë çmime, mes të tjerash në Sarajevë dhe në Venedik….
Faktin se në Kosovë nuk botohet më asnjë gazetë e vetme ditore, Mehmetaj e konsideron si një tragjedi kombëtare dhe si shuarje e një kulture leximi e informimi. Shumë intelektualë, ish-gazetarë të “Rilindjes” kanë reaguar ndaj mbylljes dhe kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës rihapjen e saj dhe mbështetjen zyrtare.
Gani Mehmetaj është i brengosur se niveli i gazetarisë në Kosovë lë për t’u dëshiruar. Lajmet e shpejta, të pakonfirmuara, besa edhe të shtrembëruara, marrin dhenë për një kohë shumë të shkurtë. Kjo metodë e të bërit gazetari favorizon depërtimin e dezinformatës te popullata me qëllim të caktuar politik.
Intervistën e plotë me Gani Mehmetaj do ta gjeni te libri NJERËZ të autorit Driton Gashi.