Mbresë me rastin e vizitës në Muzeun në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Kultura

Mbresë me rastin e vizitës në Muzeun në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Nga: Nexhmedin Shehu Më: 22 gusht 2025 Në ora: 10:14
Pamje brenda muzeut

Në pjesën muzeale të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, çdo gjë e vendosur aty është monumentale në thjeshtësinë e saj, dhe njëkohësisht madhështore në porosinë që përcjell.

Është një vend që s’të lë të dalësh pa një lot në sy, por as pa një zjarr më shumë në zemër. Aty të ndalet fryma nga dhembja, por edhe të ngjallet kurajo nga lavdia. Ta shtrenjon lirinë dhe njëkohësisht ta jep vullnetin për ta ruajtur me çdo çmim – me jetë nëse duhet!

Aty, flijimi dhe lavdia pushojnë bashkë në një qetësi të shenjtë që kujton gjëmën e madhe të shkaktuar nga arma armike, por që nga ajo gjëmë lindi liria!

Aty nuk flet asgjë me zë, por gjithçka britet në ndërgjegje!

Jo rastësisht zgjodha ta prezantoj këtë eksponat: bukën e gojës, të shpuar nga plumbat e hasmit – simbol i çka është e shenjtë dhe e pambrojtur, por që në atë dhunë shndërrohet në dëshmi të qëndresës që nuk u përkul.

Është buka e rezistencës, buka e gjakut dhe e besës – që sot na shfaqet si kujtesë, si amanet, si porosi!

Lavdi e përjetshme, nder i pashterrshëm për ty – Familje e Adem Jasharit!

Jeni gurthemeli i lirisë sonë dhe vetë emri i Kosovës që sot ecën përpara!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat