Dita Botërore e Sportit Italian, shfaqet filmi "Rinascere", Antonini: Sporti, gjuhë universale që i bashkon Italinë dhe Kosovën

Kultura

Dita Botërore e Sportit Italian, shfaqet filmi "Rinascere", Antonini: Sporti, gjuhë universale që i bashkon Italinë dhe Kosovën

Më: 17 shtator 2025 Në ora: 20:01
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini

Në kuadër të edicionit të dytë të Ditës Botërore të Sportit Italian, në Festivalin e Filmit Sportiv Prishtina 2025 u shfaq filmi “Rinascere” (Rilindja), një prodhim i regjisorit italian Umberto Marino, i cili sjell historinë frymëzuese të notarët të ri italian, Manuel Bortuzzo.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se ndihet i nderuar që ky film u prezantua në Prishtinë dhe theksoi fuqinë e diplomacisë së sportit.

Antonini tha se ky film që po shfaqet sot, është një dëshmi e fuqishme për ata që, përballë vështirësive, arrijnë të shohin mundësinë për të ecur përpara.

Tutje, ai shtoi se sporti është një protagonist i vërtetë në shoqëri, ku bashkohen atletët, industria dhe publiku.

Jemi veçanërisht të nderuar që paraqesim filmin e prodhuar nga italiani Umberto Marino, i cili tregon historinë e Manuel Bortuzzo-s, një notari të ri italian që pas një ngjarjeje tragjike arriti të rindërtojë jetën e tij. Ky film është një dëshmi e fuqishme për ata që, përballë vështirësive, arrijnë të shohin mundësinë për të ecur përpara. Në mendimin tonë, diplomacia e sportit përfaqëson një hap të rëndësishëm për ta paraqitur Italinë në mënyra të reja dhe të ndryshme. Sporti është një protagonist i vërtetë në shoqëri, ku bashkohen atletët, industria dhe publiku”, tha Antonini.

Tutje, Antonini shtoi se ky film synon të përcjellë një mesazh bashkimi mes Italisë dhe Kosovës.

“Duke e prezantuar këtë film në Prishtinë, dëshirojmë të përcjellim një ndjenjë pozitive dhe një mesazh bashkimi, pavarësisht prejardhjes, besimit apo dallimeve. Në kohën tonë, sporti është një gjuhë universale që i bashkon Italinë dhe Kosovën, duke na sjellë të gjithëve më afër, së bashku”, u shpreh ai.

I pranishëm ishte edhe Shefi i EULEXIT në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat