Tepihu i Kuq ndez emocionet e natës finale të Festivalit të Këngës

Kultura

Tepihu i Kuq ndez emocionet e natës finale të Festivalit të Këngës

Më: 8 nëntor 2025 Në ora: 21:10
Shkurte Fejza

Tepihu i Kuq në prag të natës finale të edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK u shndërrua në një skenë emocionesh dhe elegance, ku parakaluan personalitetet e njohura të artit, muzikës dhe kulturës e jetës publike.

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës dhe një nga figurat që ka mbështetur këtë festival përgëzoi RTK-në dhe stafin për organizimin e këtij eventi: “Urime për këtë edicion të mrekullueshëm! Kemi punuar shumë së bashku me RTK-në dhe rezultatet janë të dukshme, një transformim monumental. Organizimi i jashtëzakonshëm i festivalit u jep zë artistëve tanë të talentuar. Çmimi i kryeqytetit është një surprizë e bukur për sonte dhe edhe pse zgjedhja ka qenë sfiduese, procesi ka qenë fantastik”, tha Rama. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet dhe tha se Kosova ka talente të jashtëzakonshëm që duhet të mbështeten për të ecur përpara.

Shkurte Fejza, ikonë e muzikës shqiptare, u shpreh me emocion për festivalin: “Është kënaqësi për mua që jam sonte me ju, për të parë një festival që Kosova e admiron dhe jemi shumë të lumtur që mbajtja e festivaleve është gjithmonë në të mirë të muzikës dhe kulturës sonë.  Mbajtja e festivaleve për artistin është diçka shumë e bukur, sepse vijnë artistë të rinj, të cilët Kosova fatmirësisht ka shumë. E kam përcjell këtë festival dhe vit pas viti është në nivel tjetër”.

Këngëtarja e mirënjohur Adelina Ismaili po ashtu u shpreh plot emocione që sonte është pjesë e natës finale: “Kam filluar karrierën time si 6-vjeçare në ‘Akordet e Kosovës’ dhe për mua është emocion i veçantë të jem këtu. . E kam përcjellë festivalin dhe më kanë pëlqyer shumë këngët. Mendoj se është kulminacioni i festivalit sonte. Në krahasim me dy edicionet e kaluara ky edicion mu ka dukur si kulm i gjithë asaj që ka ndodhur, por ende e kemi foshnje festivalin tonë dhe mezi pres sonte në finale të shoh se çfarë do të ndodhë. Janë emocione të veçanta”, tha ajo.

Nikollë Nikprelaj po ashtu përgëzoi RTK-në për organizimin e shkëlqyeshëm dhe tha se ky është momenti më i madh dhe më i bukur për të.

“Për mua kjo është ngjarja më e madhe dhe më e bukur. Ky festival na bën më të vërtetë krenarë. Bravo RTK-së, bravo drejtuesit të festivalit Florent Boshnjaku dhe një bravo e madhe për gjithë stafin. Mezi e kemi pritur këtë festë, por unë si këngëtar me eksperiencë dhe në moshë i ftoj autoritetet dhe ata që kanë mundësi që të krijojnë dhe të vazhdojnë Akordet e Kosovës, që të ketë një festival edhe për këngë popullore pse jo. Sidoqoftë është një start jashtëzakonisht i nivelit të lartë ky festival, edhe pse është shumë i ri”, tha ai.

Në mesin e mysafirëve të shumtë në Tepihun e Kuq parakaloi edhe Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili vuri në pah lidhjen mes sportit dhe artit: “Sporti, kultura dhe muzika janë një familje. Jam i lumtur që Kosova ka talente që njihet në mbarë botën. Kur udhëtoj në shumë vende të botës më rastis të dëgjoj muzikë shqipe në restorante e vende të ndryshme. Kosova e meriton vendin në Eurovision dhe shpresoj që të tregojmë talentin tonë së shpejti në të gjithë Evropën”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat