U mbajt Forumi “Zá n’Kujtesë” kushtuar helmimeve të nxënësve në Kosovë gjatë viteve ’90-ta

Kultura

U mbajt Forumi “Zá n’Kujtesë” kushtuar helmimeve të nxënësve në Kosovë gjatë viteve ’90-ta

Më: 26 nëntor 2025 Në ora: 18:40
Foto ilustrim

Sot u mbajt edicioni i dytë i Forumit "Zá n’Kujtesë" që këtë vit iu kushtua helmimeve të nxënësve në Kosovë gjatë viteve 1990–1992.

Ky edicion i realizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë në bashkëpunim me MASHTI-n sjell dokumente, fotografi dhe dëshmi të kohës që ndriçojnë një nga episodet më të errëta të viteve ’90, raporton KosovaPress.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se mes krimeve të kryera nga shteti okupator i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, një prej krimeve më makabre kanë qenë pikërisht helmimet e nxënësve.

“Shumë prej nesh këtu e kanë përjetuar atë kohë të errët, e cila edhe në kujtesën time edhe sot është shumë e gjallë, meqë kam qenë nxënës i vitit të parë në gjimnazin "Xhevdet Doda" në Prishtinë, kur në pranverën e vitit 1990, u bë e qartë që nxënësit po helmoheshin nëpër shkolla", tha Kurti.

Ai kujtoi kohën kur në Kosovë kishin filluar helmimet e nxënësve, më 21 mars 1989 në Klinë dhe më 6 dhjetor 1989 në Prizren, duke thënë se teksa po përgatitej suprimimi i autonomisë së Kosovës, që u realizua më 23 mars 1989, vetëm dy ditë më herët, në shkollën "Luigj Gurakuqi" të Klinës, u shënuan rastet e para të helmimeve.

Në muajt në vijim, duke filluar nga 15 marsi 1990, raste të helmimeve të nxënësve do të shënoheshin edhe në 20 qytete dhe 11 fshatra në tërë Kosovën. Përtej nxënësve në shkolla, raste helmimesh do të regjistroheshin edhe mes punëtorëve në fabrikën e tekstilit "Emin Duraku" në Gjakovë, në fabrikën "Ballkan" të Suharekës, në fabrikën "Polet" të Vushtrrisë dhe sporadikisht mes kalimtarëve.

Madje u raportua edhe për helmimin e shtatë fëmijëve në çerdhen "Emin Duraku" në Gjakovë. Më 19 mars 1990, pati helmime masive të nxënësve shqiptarë në Podujevë, që u pasuan nga një valë tjetër helmimesh edhe më 22 mars. 20 marsi 1990, ishte dita kulmore e helmimeve, kur raste të nxënësve të helmuar u raportuan në shumë qytete të Kosovës.

Numri më i madh i të helmuarve do të rezultonte të jetë mes nxënësve të komunës së Ferizajt, ndërkaq ndër vite, është përllogaritur që numri total i nxënësve të helmuar ka qenë 7.421.

"Autoritetet serbe u orvatën t’i kamuflojnë gjithë këto raste helmimesh, duke i penguar hetimet dhe analizat mjekësore. Po ashtu, i patën përndjekur ata që ishin përfshirë në dhënien e ndihmës, sikur në rastin e 48 studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët u burgosën për shkak të, siç u tha, ofrimit të paautorizuar të ndihmës mjekësore. Pavarësisht këtyre përpjekjeve të tyre, këto krime shtetërore të Serbisë padyshim që kanë lënë pas shumë dëshmi", tha Kurti.

Ai tha se me qëllim të grumbullimit të çdo materiali dhe dëshmie për krimet e kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve, është themeluar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë që do të shërbejë për treguar të vërtetën mbi historinë e Kosovës.

"Duke grumbulluar dëshmi për helmimet dhe të gjitha krimet e kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë, duke u kujdesur përmes institucioneve tona si shtet dhe përmes kultivimit të mbamendjes si shoqëri, duke njohur dhe kujtuar, ne kujdesemi edhe që të mos kthehet fashizmi dhe që e kaluara të mos na përsëritet", tha Kurti. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat