Gjergj Kastrioti nuk ka vdekë, ai është fryma që e mbanë gjallë shpirtin e trupin e kombit tonë

Kultura

Gjergj Kastrioti nuk ka vdekë, ai është fryma që e mbanë gjallë shpirtin e trupin e kombit tonë

Nga: Gjon Keka Më: 16 janar 2026 Në ora: 19:14
Gjon Keka

Gjergj Kastrioti kryeheroi, gjenerali, burrështetasi i shkëlqyer dhe kryepatrioti i madh e shembull për të gjithë, me zemrën bujare që rrihte fort për gjithçka që është e madhe dhe sublime, në dashuri dhe besnikëri ndaj atdheut të tij arbëror qëndron para nesh si një dritë e madhe(si një Diell e Apollon, si një Aleksandër e Herkul), si një shenjtor e engjëll mbrojtës, si një yll që na mbanë të orientuar se ku qëndron djepi i së ardhmes kombëtare dhe europiane të kombit tonë.

Por vetulla e tij e lartë e fisnikut, e kryetrimit arbëror ajo mendje e madhe që banonte brenda tij, ato sytë e tij të shqiponjës por edhe që rrezatonin fisnikërinë e shpirtit të tij arbëror e ilirë, na shikojnë edhe sot kur ne përkujtojmë përjetësimin e tij në qiellin arbëror dhe europian. Ai nuk ka vdek,si mund të shuhet një shpirt i tillë heroik, një kryepatriot e At i një kombi që i ka rrënjët e tij të natyrshme në tokën që ia dhuroi Perëndia, prandaj Gjergj Kastrioti nuk ka vdek, por zemra e tij, shpirti e trupi i tij edhe sa ishte në tokë ishte me paraardhësit e tij, kështu që ai iu bashkua paraardhësve të pavdekshmë të tij të cilët qëndrojnë si yje e diell për kombin tonë pa të cilët ne do të ishim në terrë, pa histori,pa themele,pa rrënjë, pa flamur, pa shtet dhe pa të ardhme. Kjo tegon se disa herë më parë për gjatë shekujve Iliro-Arbëria e kishte habitur botën me shpërthimin e papritur të dijes dhe forcës së saj të fshehur heroike, humaniste, shkencore etj.

Ky rol udhëheqës dhe pjesëmarrja vendimtare e atdheut tonë Iliro-Abëror në luftërat e saj mbrojtëse kundër armiqëve të ndryshëm shpesh është keqkuptuar dhe nënvlerësuar, madje edhe është tentuar të fshihet si me gomë nga faqet e librave të historisë. Por o arbëror, e miq dhe botë mosnjohëse kush tjetër përveç Arbërisë, që nga flaka e parë e Luftës kundër pushtuesit otoman u bë mburoja dhe kishte vendos kufijtë e hekurt për otomanët që të mos e shkatërronin civilizimin dhe nderin e Europës si familje?

Kush tjetër përveç Arbërisë e cila në vitin 1443 kur e gjithë Europa lëngonte e pafuqishme për të përballuar një Perandori pushtues sikur ishte ajo otomane e cila përparonte çdo ditë në zemër të Europës mori shpatën, duke u mbështetur në forcën e vet? Atëherë ishte vetëm një princ i shquar i linjës së Kastriotëve, Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) i madh, udhëhoqi atëherë kauzën e Europës e cila ishte e rrezikuar nga ideologjia islamike dhe perandoria otomane.

Kështu me një dorë e krah të fortë, ai shkatërroi besimin në pathyeshmërinë e sulltanit dhe u dha popujve të Gadishullit Ilirik dhe mbarë popujve të Europës shpresë për ditë më të mira. Në kështjellën e Krujës së Iliro-Arbërisë, liria e Europës kishte gjetur strehë në atë kohë dhe kushdo që e donte lirinë dhe atdheun e tij nxitoi nën flamurin e Kastriotëve që nënkuptonte padyshim lirinë e Arbërisë dhe me këtë edhe lirinë dhe shpëtimin e Europës.

Sot kur edhe po e përkujtojmë ditën e vdekjes së tij,na kujtohen në bazë të veprave dhe jetës së tij të përshkruar gjallërisht si nga Pal Engjëlli, Marin Barleti, Dhimitër Frangu dhe shumë autor të tjerë e bashkohës se si ai asnjë ditë nuk pushoi së dashuri e së sakrifikuari për Arbërinë e tij ,madje sikur thuhet ai nuk bënte më shumë se dy orë gjumë e ndonjëherë në raste paqeje pak më tepër,por asnjëherë nuk pushoi se mbajturi sytë hapur për ta dashur dhe rujatur Arbërinë që ai e ngriti dhe e bëri strehën e lirisë dhe mburojë të Europës së asaj kohe.

Vuajtja e tij në shtratin e vdekjes nuk ishte vetëm vuajtje për dhimbjet e tij por edhe dhimbja për Arbërinë e tij që duke qenë i pafuqishëm si trup nuk arrinte ta printe ushtrinë e tij në frontin e betejës,por duke qenë se karakteri i tij i fortë dhe urtësia e tij e trimëria dhe shpirti i tij i lirë dhe udhëheqës e ngrinte atë nga shtrati për të treguar se ende është gjallë se dëshira e tij e madhe e tij ishte t'i bashkohej arbërorëve në betejën e tyre për ekzistencën, lirjnë dhe shtetësin e tyre. Nga kjo shihet se ai edhe nga shtrati e udhëhiqte ushtrinë e tij arbërore dhe ajo ende korrte fitore, por edhe sfidat pasi që i mungonte fizikisht udhëheqësi i tyre. Ai vazhdoi të kryente të gjitha punët e shtetit arbëror deri një ditë para vdekjes së tij.

Më 17 janar 1468, syri i fuqishëm i shqiponjës iliro-arbërore që e kishte vëzhguar aq qartë kohën e tij, që e kishte udhëhequr mbretërinë respektivisht shtetin e tij arbëror me aq urtësi, vizion, guxim dhe madhështi, i mbylli sytë. Ai vdiq në Lezhën e tij të dashur të Bashkimit të arbërorëve të tij, aty ku i bashkoi arbërorët aty edhe u varros në Kishën e shën Nikollës duke u bërë kështu simboli që vendi ku prehet trupi i tij t'i mbledh dhe bashkojë në çdo kohë dhe në të gjithë shekujt e ardhshëm dardano-arbërorët e tij.

Prandaj dita e vdekjes së tij ishte dita e parë e pushimit në jetën e tij,ai kurrë nuk u lodhë për vendin e tij ,shtetin e tij ushtarët e qytetarët e tij arbëror që i donte dhe e donin aq fortë sa lidhja e tyre ishte lidhje e thellë vëllazërore si dhe e një Babai që i don të gjithë pa dallim. Kudo që arrinte lajmi i trishtueshëm i vdekjes së tij, hidhërimi i vërtetë mbushte zemrat e njerëzve. Të gjithë u tronditën nga goditja e tmerrshme e humbjes së pësuar, dhe madhështia e Gjergj Kastriotit(Skënderbeut) , si dhe madhësia e humbjes, nuk mund të përmblidhen më mirë ose më shkurt sesa në fjalët e Lekë Dukagjinit i cili pasi dëgjoi lajmin e vdekjes së tij, thirri: "Kush do të na udhëheq tani? Ejani këtu o qytetarë, e princa fisnikë arbëror! Mbrojeni veten! Sepse,sot muret e Arbërisë janë bërë pluhur, u tretë e tërë forca e jonë,u varrosën fuqia dhe shpresa jonë,froni i mbretërisë është përmbysur me vdekjen e këtij njeriu." Ndërsa populli që mori lajmin e kobshëm me rastin e vdekjes së mbretit të tyre e udhëheqësit të tyre nxorri fjalët si këto:: “O Mbreti ynë Skënderbe, o shenjtor i mirë, ngushëllimi ynë i të gjithëve, ati ynë, vëllai ynë, mbrojtës i ynë, na la të gjithëve si jetimë dhe popullin si delet pa bari.” Sepse deri në frymën e tij të fundit, e gjithë jeta e shtetit arbëror kishte rrjedhur nga ky njeri i vetëm. Testamenti i tij i tregoi përsëri popullit iliro-arbëror dashurinë e zjarrtë të tij për atdheun, duke përfunduar me

fjalët: „Unë jetova jo vetëm për veten time,por edhe për ju të gjithë dhe për fëmijët tuaj dhe u mundova e djerësita më një mënyrë të atillë që së pushova as ditë e as natë nga mundi e pagjumësia. Mua s'më teproj asnjëherë koha në gjithë jetën time për pushim, as për qetësi,së pata vend të caktuar, as kohë për të ngrënë apo për të fjetur; unë rrinja si ditën , si natën pa gjumë. Unë nuk e kisha më pak për zemër kujdesin dhe sigurinë e mbretërisë dhe të pushtetit tuaj se sa të timit.

Mjaft më me këtë botë dhe me fatin që pata. Por , përpara se të heq frymën e fundit dhe të ikë nga ju e të ju lë, është nevoja para së gjithash për një gjë, për të cilën unë, sipas zakonit që kam pasur gjithmonë në vitet më fatlume të moshës sime,mendova të ju flas dhe të ju këshilloj, që shpëtimin dhe nderin e Republikës dhe të besës ta keni edhe këtej e tutjepas vdekjes sime, gjithmonë para syve dhe të derdhni për të gjerë në pikën e fundit tërë djersën tuaj, poashtu siç e keni derdhur gjerë tani,me mua gjallë, tërë mundin tuaj me një simpati e admirim aq të madh nga të gjithë prijësit.“

Një pikëllim i përgjithshëm u përhap në të gjithë Arbërinë me të dëgjuar lajmin ai përshkoi gjithë gadishullin ilirik, gjithë popujt, mbretërit e principatat e Europës së assaj kohe, qytetarë të zakonshëm arbëror e europian etj. Kudo që u përhap më pas lajmi i vdekjes së Gjergj Kastriotit(Skënderbeut) ngjalli ankth dhe pasiguri,e gjithë Europa e ndjeu pikëllimin më të sinqertë për humbjen e Mburojës së saj, ndërsa Arbëria dhe gadishulli Ilirik ndjeu më thellë humbjen e liriprurësit të saj, udhëheqësit të mençur, strategut të madh, komandantit të madh ushtarak. Por edhe çdo qytetarë dhe njeri i zakonshëm e ndjeu me ankth rëndësinë e asaj ngjarjeje të pashmangshme natyrore që tani i kishte ndodhur kryheroit arbëror të festuar në gojëdhënat dhe këngët popullore. Ushtarët arbëror që ai i njihte me emra dhe i donte në veçanti e vajtuan vdekjen e idhullit të tyre, babait të tyre dhe udhëhësit të tyre. Me lot në sy u varros dhe nga ajo ditë Arbëria binte pak nga pak në duar të armikut, pra pushtuesit otoman.

Qindra mijëra dardano-arbëror që nga ajo kohë bëjnë pelegrinazhe në vendpushimin e Atit të kombit tonë, kryeheroit dhe udhëheqësit të tyre të papërsëritshëm. Kjo është arsyeja që tërheq miliona dardano-arbëror e njerëz anë e mbanë botës së civilizuar të mbushur me emocione nderuese dhe admirim të jashtëzakonshëm për këtë strateg, gjeneral, burrështeti,këtë figurë mbikohore arbërore dhe europiane. Pikërisht kjo është ajo që e bënë këtë ditë zie kombëtare për gjithë kombin arbëror në vete kaq unike dhe kaq prekëse.

Si atëherë edhe sot imazhi i Gjergj Kastriotit shkëlqen midis kryeheronjve më të mëdhenj dhe të preferuarve të kombit tonë arbëror dhe Europës. Me pak fjalë, Gjergj Kastrioti u bë jo vetëm njeriu,burrështeti e strategu më i madh, por edhe arbërori dhe europiani më popullor dhe më i dashur i kohës së tij, një princ e udhëheqës sipas zemrës së popullit të tij arbëror, i cili e vajtoi thellësisht vdekjen e tij. Me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Arbëria humbi gjeneralin e saj më të madh dhe burrështetasin më fisnik, një burrë vërtetë të shkëlqyer dhe fisnik iliro-arbëror. Në fakt ai nuk ishte vetëm gjenerali më i madh i Arbërisë, por ishte edhe një nga gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe të të gjitha kombeve dhe një kryehero i vërtetë i cili në orën e rrezikut më të madh jo vetëm për atdheun e tij, por edhe për gjithë Europën nuk hezitoi t'i dilte përballë një Perandorie sikur ishte ajo otomane, e cila ishte më e shumtë në numra ushtarësh e mjetesh luftarake sesa ai dhe ushtria e tij.

Për sa kohe jetoi e veproi dhe udhëhoqi Arbërinë ai e mbrojti Arbërinë, Gadishullin Ilirk dhe Europën kundër sulmeve të tërbuara të otomanëve(turqve) pushtues.

Është një bekim i madh për kombin tonë sepse Gjergj Kastrioti i madh ka penguar shpërbërjen dhe zhdukjen e Arbërisë, ka penguar që ne si komb të mbesim pa flamur, pa identitet dhe të huaj në atdheun arbëror.

Prandaj mund të them më plotë bindje dhe pa asnjë dyshim se Gjergj Kastrioti është bekimi dhe çertifikata apo pasaporta e Arbërisë sonë europiane. Në fakt Gjergj Kastrioti është kryeura e kombit që na lidh me Europën. Tani është koha të reflektojmë të gjithë në këtë situat konfuze e kaotike në mbarë botën që atdheu ynë, kombi ynë, Dardania e Arbëria jonë ashtu si në epokën e kryeheroit tonë edhe sot ta mbush shpirtin me frymën e Gjergj Kastriotit ashtu që të mos lejojmë që kombi ynë të devijojë apo të zhduket nga rruga dhe themelet e saj kombëtare dhe europiane, civilizimit të së cilës i përket që në rrënjët e saj historike.

(Ky shkrim është shkruar nga autori Gjon Keka në shenjë përkujtimi me rastin e përvjetorit të 558 të vdekjes së kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti – Skënderbeut) [Gjon Keka]

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat