​Rambujeja dhe intervenimi i NATO-s, libri i ri i Arsim Bajramit zbardh prapaskenat historike

Kultura

​Rambujeja dhe intervenimi i NATO-s, libri i ri i Arsim Bajramit zbardh prapaskenat historike

Më: 18 mars 2026 Në ora: 14:24
Foto nga vendi i ngjarjes

"Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë", është titulli i botimit të ri të profesor Arsim Bajramit. Ky punim shkencor u promovua në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në mesin e shumë akademikëve dhe profesorëve.

Arsim Bajrami, i cili ka botuar 40 libra, ka qenë edhe pjesëmarrës në negociatat në Rambuje të Parisit, në cilësinë e këshilltarit ligjor të delegacionit të Kosovës.

Në këtë libër prej më shumë se 500 faqesh, ai i prezanton prapaskenat, sfidat por edhe dilemat e delegacionit për të pranuar apo refuzuar përmbajtjen e dokumentit kosovar.

Profesor Arsim Bajrami tha se në historinë politike të Kosovës pas datës së 17 shkurtit, nuk ka datë më të rëndësishme se Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë.

Bajrami: Pas datës 17 shkurt nuk ka datë më të historike se Konferenca e Rambujesë

"Në historinë politike të Kosovës, pas datës së 17 shkurtit – shpalljes së Pavarësisë, nuk ka datë më të ndritshme apo moment më të rëndësishëm historik se sa konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s. Kjo ngjarje është realizim i ëndrrës shekullore të popullit të Kosovës, realizim i doktrinës të presidentit Ibrahim Rugova, i cili jetoi dhe punoi për ditën e Pavarësisë dhe i cili kishte ëndërr që të mbahet një konferencë ndërkombëtare dhe të vendoset për Pavarësinë e Kosovës. Ishte një rezultat i drejtpërdrejt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i drejtorisë politike që diti ta udhëheq Kosovën dhe ta shndërroj në çështje ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Në Konferencën e Rambujesë, Bajrami tha se shqiptarët u bashkuan, për dallim nga sot.

Bajrami: Konferenca e Rambujesë është fitore politike dhe diplomatike e shqiptarëve

“Kjo konferencë është fitore politike dhe diplomatike e shqiptarëve të Kosovës. Është fitore politike se shqiptarët e mundën Serbinë. Duke pranuar një marrëveshje jo perfekte por duke hapur rrugën që Kosova fillimisht të çlirohet e pastaj të pavarësohet dhe tërë ky proces të bëhet me mbështetje të ndërkombëtarëve. Në këtë konferencë, shqiptarët si klasë politike, si lidership u bashkuan, një bashkim që po na mungon tash", u shpreh ai.

Akademik Jusuf Bajraktari në paraqitjen e recensionit të tij tregoi se çka përmban libri i Arsim Bajramit.

Bajraktari: Libri përmban 10 kapitujë në dy gjuhë

"11 kapituj ku shtjellohet materia kryesore, rezymeja në dy gjuhë dhe përmbyllet me regjistrin e literaturës dhe burimeve historike që autori i ka shfryrtëzuar. Objekti i studimit të kësaj vepre është Konferenca e Rambujesë që paraqet ngjarjen historike, në të cilën bashkësia ndërkombëtare përmes grupit të kontaktit vendosi që të gjej një zgjidhje për statusin e Kosovës. Konferenca e Rambujesë ishte rasti i parë kur shqiptarët e Kosovës ishin thirrur në një konferencë ndërkombëtare për të vendosur për fatin e tyre”, tha Bajraktari.

Edhe profesor Ismet Salihu ka vlerësuar lartë këtë botim të profesor Arsim Bajramit, duke thënë se përmban periudhat më të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës.

Salihu: Në 512 faqe prezantohen ngjarjet historike dhe sfidat e Konferencës së Rambujesë

"Në aspektin shkencor, autori Bajrami këtë temë shumë të rëndësishme në këtë libër e prezanton në 512 faqe të cilën e ka sistemuar në 11 kapitujë. Në këta 11 kapitujë, autori prezanton ngjarjet historike që i paraprijnë Konferencën e Rambujesë, veçmas e prezanton rezistencën aktive, paqësore, gjatë viteve 1990 deri në vitet 1997. Paraqitjen e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe luftën e UÇK-së, organizimin dhe sfidat, peripetitë e Konferencës së Rambujesë. Më tutje, cek prapaskenat e Konferencës së Rambujesë, pastaj analizën juridike të marrëveshjes së Rambujesë, efektet ushtarake, politike, juridike dhe ndërkombëtare të Rambujesë”, përfundoi Salihu.

Më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat