Ambasadorja Shala organizon sonte premieren e filmit dokumentar “Isha 10 vjec”

Kultura

Ambasadorja Shala organizon sonte premieren e filmit dokumentar “Isha 10 vjec”

Më: 30 mars 2026 Në ora: 10:05
Ilustrim

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC Elvana Shala organizon sonte premieren e filmit dokumentar “Isha 10 vjec” me regji të Velibor Coviq.

Filmi i dedikohet refugjatëve nga Kosova të cilët gjetën strehim në Mal të Zi. Ai sjell në vëmendje një nga kapitujt më të ndjeshëm të historisë së fundit të rajonit, vitin 1999, kur Mali i Zi hapi dyert për më shumë se 100 mijë refugjatë nga Kosova, pa dallim feje apo etnie, duke paraqitur dëshmi thellësisht prekëse dhe të fuqishme nga një periudhë shumë e vështirë për Kosovën.

Filmi dokumentar, i cili trajton përvojat e fëmijëve të zhvendosur dhe dimensionin njerëzor të solidaritetit malazez gjatë luftës, përfshirë edhe historinë personale të Ambasadores është nderuar me një çmim special në New  York International Film Festival për “kontribut të jashtëzakonshëm në filmin dokumentar”, duke u vlerësuar si një dëshmi e vlerave universale njerëzore mes trashëgimisë së dhimbshme të luftës.

Premiera solemne e filmit mbahet sonte 30 Mars 2026 ora 19:00  në  Cineplexx në  Albi Mall ku të  pranishëm do të  jenë  zyrtar të  lartë  shtetëror, diplomatë  ndërkombëtar, artist dhe përfaqësues të  shoqërisë  civile nga Kosova dhe Mali i Zi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat