Shyqyri Sako, artisti që i dha frymë imazhit të filmit shqiptar

Kultura

Shyqyri Sako, artisti që i dha frymë imazhit të filmit shqiptar

Nga: Ilir Çumani Më: 15 maj 2026 Në ora: 20:12

Me dhimbje të madhe, mora vesh nga Ergysi lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të babait të tij, piktorit të mirënjohur të filmave shqiptarë, mikut tim të çmuar, Shyqyri Sako, (Artist i Merituar).

Me largimin e tij nga jeta, mbyllet rrugëtimi i një artisti jo të zakonshëm, emri i të cilit lidhet ngushtësisht me historinë e kinemasë shqiptare.

Një jetë e tërë e lidhur me artin, me studiot - atelie të Kinostudios, me dekorin, me ngjyrën, me imazhin dhe me atë punë të palodhur e të heshtur që publiku rrallë e sheh, por pa të cilën filmi nuk do të kishte frymë, nuk do të kishte kuptim.

Shyqyri Sako i përkiste asaj plejade  krijuesish që e ndërtuan kinematografinë shqiptare që nga themeli gur - gur, në kohë të vështira, me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me një dashuri të pakushtëzuar për artin.

Për më shumë se pesë dekada, ai mbeti një nga emrat më të përveçuar dhe shumë të rëndësishëm të pikturës filmike shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në dhjetëra filma artistikë që sot janë pjesë e fondit të pasur kinematografik dhe të memories kolektive të shqiptarëve gjithashtu.

I lindur në vitin 1937, jeta e tij nisi mes vështirësive dhe mungesave të mëdha. Historia e fëmijërisë së tij mbart një dhimbje të thellë njerëzore, ngase ai, i humbi të dy prindërit nga bombardimet që gjermanët bënë në Kolonjë, dhe që në mituri, u rrit jetim në Strehën e Parë Vorfnore, duke njohur që herët mungesën, vetminë dhe përballjen me jetën.

Pikërisht nga ajo plagë e hershme njerëzore duket se lindi edhe ndjeshmëria e tij artistike, ajo aftësi për ta kuptuar thellë njeriun si qënie humane, atmosferën, dramën dhe emocionin.

Ndoshta vetëm ata që kanë kaluar nëpër skuta të tilla të errëta të dhimbjes e trishtimit, arrijnë të krijojnë më pas kaq shumë dritë përmes artit.

Rruga e tij drejt pikturës dhe filmit ishte rruga e një njeriu që e ndërtoi vetveten me mund, me shumë punë dhe talent.

Studioi për tre vite në Moskë, në Institutin e njohur të Artit VGIK, një nga shkollat më prestigjioze të kinematografisë në botën lindore të asaj kohe.

Edhe pse nuk mundi t’i përfundonte studimet atje, ai e vazhdoi rrugën akademike në Tiranë, duke u bërë më pas pjesë e brezit themelues të artistëve të institucionit të rëndësishëm të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Në vitin 1963 nisi punën në Kinostudio dhe, që nga filmi i tij i parë “Detyrë e posaçme”, emri i Shyqyri Sakos do të lidhej përgjithmonë me historinë vizuale të filmit shqiptar.

Për dekada me radhë, ai krijoi dekore, ambiente, objekte, atmosferë dhe identitet estetik në sheshxhirrime filmash anëmbanë vendit për shumë filma artistikë shqiptarë, deri te filmi i fundit, “Plumba prej plasteline”, në vitin 1997, kur doli në pension.

Në çdo film ku ai punoi, ekzistonte dora e një artisti që dinte të fliste përmes emocionit dhe detajit, ngase ai nuk ishte thjesht një realizues dekori, por një përjetues dhe krijues i mirëfilltë i botës filmike.

Përmes ngjyrës, hapësirës dhe objektit, Shyqyri Sako arrinte të ndërtonte kohën, psikologjinë dhe frymën e filmit. Punët e tij nuk ishin vetëm skenografi, por atmosferë, kujtesë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, si pjesë e padukshme e emocionit që publiku e ndjen edhe sot në ekran.

Kontributi i tij u vlerësua edhe nga ana e institucioneve shteterore. Në Festivalin e Katërt të Filmit Shqiptar, ai u nderua me medalion për punën artistike në dekorin dhe rekuizitën e filmit “Mësonjëtorja”, një nga filmat më domethënës të kinematografisë shqiptare. Ndërkohë mbante titullin e lartë: (Artist i Merituar).

Por, përtej çmimeve, vlera më e madhe e tij mbetet trashëgimia që la pas në kulturën shqiptare.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i krijimtarisë së tij ishte edhe arti i afishit filmik (posteri i prezantimit të filmave shqiptarë).

Shyqyri Sako krijoi një pjesë të konsiderueshme të koleksionit të afisheve të filmit shqiptar, të cilat sot ruhen si pasuri e vyer kulturore dhe historike në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Në ato afishe nuk kishte vetëm grafikë dhe ngjyrë, por jetë dhe frymën e një kohe, estetika e një epoke dhe identiteti vizual i kinemasë shqiptare.

Ikja e tij sot, sjell jo vetëm dhimbjen njerëzore për një mik e artist të rrallë, por edhe reflektimin për fatin e atyre krijuesve të heshtur që i dhanë kulturës shqiptare gjithçka, pa kërkuar pas asgjë në këmbim, pa kërkuar asnjëherë duartrokitje.

Shyqyri Sako ishte nga ata artistë që me takentin sipëror nuk ndërtonin zhurmë dhe bujë rreth vetes, ngase i përkiste atij brezi njerëzish që besonin se puna flet vetë. Dhe puna e tij flet ende sot, në çdo kornizë filmi, në çdo dekor, në çdo afishe dhe në çdo kujtim të brezave që u rritën me filmat shqiptarë.

Për ata që e njohën nga afër, ai mbetet edhe më shumë se një artist: një njeri fisnik, i urtë, i thjeshtë dhe me një botë të brendshme të pasur, që jetën kishte mësuar ta përballonte me dinjitet që në fëmijëri.

Ndaj kujtimi i tij nuk do të mbetet vetëm në arkiva, fotografi apo titra filmash, por, mbi të gjitha, në kujtesën shpirtërore të kinematografisë shqiptare.

Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Lamtumirë, mik i dashur dhe i paharruar.

I përjetshëm qoftë kujtimi, emri dhe vepra që ke pas!

Tiranë, e premte - 15 maj, 2026

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat