‘Haj, medet, haj!’, deputeti i PDK-së ka disa fjalë për Vjosa Osmanin

Lajme

‘Haj, medet, haj!’, deputeti i PDK-së ka disa fjalë për Vjosa Osmanin

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 14:06
Vjosa Osmani

Deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, ka reaguar ndaj u.d. së presidences Vjosa Osmani, pas ndërprerjes së kontratës me ambasadorin William Walker, i cili me raportimet e tij kishte bërë që tërë bota t’u shoh krimet serbe.

Bytyqi, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Osmanit si duket nuk po i mjaftojnë punët e përditshme, që supozohet t’i ketë, bazuar në rolin e saj, por ka nisur të nxjerrë në publik vlerësimin e miqve që na ndihmuan në kohët më të vështira.

“Ajo po dëshiron ta matë edhe rolin e z. Walker në përkrahjen dhe lobimin për vendin tonë, madje me një raport se çfarë aktiviteti bën saktësisht ai.Haj, medet, haj!” ka shkruar Bytyqi.

Tutje, ai ka kujtuar kohën kur përfaqësues i misionit verifikues të OSBE-së, ishte present në vendin e ngjarjes pas masakrës së Reçakut.

“Ai ecte para nesh. Ai i kontrollonte të masakruarit një nga një para nesh. Ai qante para nesh. Pastaj u drejtua para botës dhe foli! Nuk më kujtohet çfarë tha, se po shihja një fëmijë të vrarë dhe po qaja! Vetëm më kujtohet se pastaj u ndez qielli dhe filloi të zbardhte Dita…!” shkrun Bytyqi

Ndryshe, Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj disa mediave të cilat kanë raportuar se gjoja kjo e fundit ia ka ndërprerë kontratën ish-ambasadorit, Willam Walker

Shkrimi i plotë i Bytyqit:

Një raport për Ud Presidenten
Kjo foto është nga varrimi i viktimave të masakrës së Reçakut!
Unë s’munda të bëja asgjë më shumë…

Walker bëri çdo gjë vetë! Ishte ai arsyeja, që e verteta të kalonte kufijtë dhe të shpërndahej në gjithë botën.
Nga ajo e vertetë nisi tregimi i Lirisë së Kosovës.

Ud e Presidentes si duket nuk po i mjaftojnë punët e përditshme, që supozohet t’i ketë, bazuar në rolin e saj, por ka nisur të nxjerrë në publik vlerësimin e miqve që na ndihmuan në kohët më të vështira.
Ajo po dëshiron ta matë edhe rolin e z. Walker në përkrahjen dhe lobimin për vendin tonë, madje me një raport se çfarë aktiviteti bën saktësisht ai.

Haj, medet, haj!
E nëse ajo nuk e ka një raport të asaj kontrate për këshilltarin e Presidentit, ja, po ia jap unë një të tillë.

“Ishte janari më i ftohtë që unë mbaj mend në jetën time! Jo që e kam matur unë, apo dikush nga ne ushtarët, temperturën e atij dimri, por në Reçak ndodhi një ngjarje makabër, ndodhi një masakër, ku nuk u kursye askush nga ata që u zunë nga forcat paramilitare policore dhe ushtarake serbe. Të gjithë u tronditën nga kjo gjë, bashkë me ne, ushtarët e UÇK-së.

Na u vranë shumë bashkëluftëtarë, ndërsa kishte shumë të tjerë të cilëve iu vranë nga dy e tre familjarë.
Na u vranë afër nesh njerëzit tanë, ndërsa dhimbja ishte e akullt, e ftohtë, deri në palcë.

Nuk ishte në mundësinë tonë t’i mbronim banorët e Reçakut e as t’i thoshim botës se çfarë kishte ndodhur e kush e kishte bërë këtë masakër (për disa ndoshta incident?!). Atëherë u shfaq ai!

Ishte William Walker, përfaqësues i misionit verifikues të OSBE-së. Ai ecte para nesh. Ai i kontrollonte të masakruarit një nga një para nesh. Ai qante para nesh. Pastaj u drejtua para botës dhe foli! Nuk më kujtohet çfarë tha, se po shihja një fëmijë të vrarë dhe po qaja! Vetëm më kujtohet se pastaj u ndez qielli dhe filloi të zbardhte Dita…!”

P.S. Kaq raport besoj të mjaftojë, zonja ushtruese e detyrës së Presidentit. Liria nuk është falas! As ndërtimi i shtetit – jo! Pra, mos luaj me Lirinë dhe Shtetin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat