Tri raste të armëmbajtjes në Obiliq dhe Podujevë, policia sekuestron disa armë dhe dhjetëra fishekë

Kronikë

Tri raste të armëmbajtjes në Obiliq dhe Podujevë, policia sekuestron disa armë dhe dhjetëra fishekë

Nga: A.SH. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 08:37
Fotoilustrim

Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të armëmbajtjes në kundërshtim me ligjin, të cilat janë evidentuar më 21 nëntor në Milloshevë të Obiliqit dhe në fshatin Dyz të Podujevës, përcjell Bota sot.

Rasti i parë është regjistruar në orën 01:25 në Milloshevë, ku është arrestuar një person i dyshuar, pasi gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me shtatë fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në fshatin Dyz të Podujevës, në orën 10:43, një njësi policore gjatë patrullimit ka ndaluar një person i cili ishte parë me një pushkë gjuetie dhe një rrethatore me fishekë në brez.

I dyshuari është arrestuar dhe gjatë intervistimit ka deklaruar se armën e posedonte me leje, por nuk i kishte respektuar kushtet e saj. Me vendim të prokurorit, pushka dhe 27 fishekë janë sekuestruar, ndërsa personi është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është regjistruar po në Dyz, në orën 12:30, kur policia ka ndaluar një veturë, drejtuesi i së cilës ka deklaruar se posedonte një pushkë gjuetie.

Pas arrestimit të tij dhe konsultimit me prokurorin, policia ka kontrolluar edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe tri pushkë gjuetie me leje dhe dy fishekë.

Pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, edhe ky i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.

Të tri rastet janë evidentuar brenda një dite, ndërsa Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municion gjatë kontrolleve të zhvilluara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat