Tri raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Gjakovë.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se ishte dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ish-i dashuri i saj, i cili e kishte kërcënuar me jetë atë dhe familjen e saj. I dyshuari nuk është gjetur dhe ndodhet në arrati, përcjell Bota sot.
Në Fushë Kosovë, një person dyshohet se e ka kërcënuar të dashurën përmes mesazheve telefonike, ndërsa gjatë takimit e kishte kapur dhe shtyrë. Pas intervistimit, palët janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Gjakovë, një rast ka përfunduar me sulm me thikë. Një burrë dyshohet se ka sulmuar axhën e bashkëshortes së tij, pasi kishte shkuar për të biseduar me gruan, e cila ishte larguar nga shtëpia për shkak të dhunës sistematike.
“Prishtinë / 21.11.2026 – 18:59. Raportohet se i dyshuari (ish i dashuri i saj) m/k ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës f/k si dhe e ka kanosur me jetë atë dhe familjen e saj. I dyshuari nuk është takuar dhe gjendet në arrati. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar.
Fushë Kosovë / 21.11.2026 – 22:00. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje i dashuri i viktimës f/k, i dyshuari m/k përmes telefonit (me mesazhe ) e ka kërcënuar, ndërsa pas takimit i njëjti e kishte kapur dhe shtyrë. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Gjakovë / 21.11.2026 – 02:10. I dyshuari m/k dyshohet se kishte shkuar të bisedon me gruan e tij viktimën f/k në shtëpinë e axhës së gruas, e cila kishte ikur nga dhuna sistematike e tij, dhe më pas i dyshuari kishte sulmuar me thikë axhën e gruas viktimën m/k. I dyshuar dhe viktima kanë pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar, nga i cili janë konfiskuar tri thika dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.