‘Bileta e vdekjes’, sa kushton sjellja e një të vdekuri jashtë vendit, për ta varrosur në Kosovë?

Lajme

‘Bileta e vdekjes’, sa kushton sjellja e një të vdekuri jashtë vendit, për ta varrosur në Kosovë?

Më: 7 janar 2021 Në ora: 12:56
Ilustrim

Sjellja e kufomave të të afërme që vdesin jashtë Kosovës, po u kushton shtrenjtë qytetarëve të Kosovës. Për “biletën e vdekjes”, ata po shpenzojnë deri në 3 mijë e 500 euro. Për çmimet e transportit nga shtetet ku ka më shumë shqiptarë dhe procedurat për sjelljen e kufomave në Kosovë, kanë dhënë detaje kompanitë e funeraleve.

Para gati dy muajsh, Ademit nga Podujeva, i kishte vdekur babai në Gjermani. 72-vjeçari kishte qenë i infektuar me COVID-19, por kishte pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

E përveç mërzisë për humbjen e babait, brengë e kishte edhe mënyrën se si do ta sillnin në Kosovë për ta varrosur, ashtu siç edhe e kishte lënë amanet.

Zgjidhjen e kishte gjetur te një kompani e funeraleve. Brenda 24 orëve, kompania e kishte kompletuar të gjithë dokumentacionin dhe e kishte sjellë trupin e pajetë të të moshuarit për në ceremoninë e varrimit.

“Baba e pat lanë amanet që edhe nëse e gjen vdekja jashtë vendit, me e varros në Kosovë. Menjëherë masi na lajmëruan që s’është ma gjallë, mendojsha qysh kemi me çu. E gjeta në internet një kompani të funeraleve, edhe për 24 orë m’i kryjtën krejt”, tregon Ademi.

Cilat janë çmimet dhe procedurat për kthimin e kufomave në atdhe?

Informacione më të detajuara se si sjellet një kufomë në Kosovë dhe çmimet e transportimit, kanë dhënë pronarët e dy kompanive të funeraleve.

Avni Elezi, pronar i një kompanie të funeraleve, ka thënë se çmimet për transport të kufomave fillojnë nga 2 mijë e 500 euro dhe shkojnë deri në 3 mijë e 500 euro.

“Çmimorja është nga gjithë territori i Gjermanisë është 2 mijë e 500 euro. Nga shtetet e tjera të Evropës, çmimi është nga 2 mijë e 700 euro deri në 3 mijë e 500 euro, varet nga largësia”, ka thënë Elezi.

Elezi ka treguar se transportimin e kufomave e bëjnë me vetura dhe aeroplan.

Për një vit, ai thotë se transportojnë rreth 420 kufoma nga shtetet e huaja, derisa tregon se vetëm gjatë ditës së djeshme i kanë sjellë tetë kufoma në vend.

“Ne i regullojmë të gjitha dokumentet përkatëse për transport deri në vendin ku varroset. Transporti bëhet me makinë dhe aeroplan. Çmimi është i njejtë. Trupi i pajetë transportohet me aeroplanin e njejtë me të cilin transportohen dhe pasagjerë të tjerë. Kompania jonë transporton nga 30-40 kufoma në muaj, apo që i bie rreth 420 kufoma në vit”, ka thënë Elezi.

Më shumë informacione për koston e këtij shërbimi kanë dhënë nga një kompani tjetër e funeraleve.

Bazuar në çmimet që ka ofruar kjo kompani, transporti i kufomave kushton më së shtrenjti nga Italia, Austria dhe Hungaria. Për ta sjellë një kufomë nga këto shtete, duhet të paguani nga 3 mijë e 500 euro.

Ndërkohë, më së paku para nevojiten për të sjellë një kufomë nga Gjermania, përkatësisht 2 mijë e 500 euro.

Dokumentet që iu nevojiten për të transportuar një kufomë

E për të transportuar një kufomë në Kosovë, duhet t’i keni edhe këto dokumente me vete:

-Pasaportë ose letërnjoftim i personit të vdekur. Për personat e pamartuar ose të mitur: çertifikatën zyrtare të lindjes, për shtetasit e huaj kërkohet përkthimi.

-për personat e martuar: çertifikatën e lindjes si dhe çertifikatën e martesës.

-për personat e ve: çertifikatën e lindjes, çertifikatën e martesës dhe certifikatën e vdekjes të bashkëshortit/es.

– divorcuar: certifikatën e lindjes, të martesës dhe dekretin përkatës të divorcit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat