Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit dhe njëherësh ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq nuk do të merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet më 25 nëntor në Bruksel, e ku do të jetë i pranishëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Lajmi u bë i ditur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi gjatë një takimi të premten, në ditën e parë të plotë të mandatit të Çupiq si kryetar i Kuvendit dhe ushtrues detyre i presidentit.
Duke shprehur keqardhje për mospjesëmarrje, Çupiq theksoi se udhëheqja e re e Serbisë i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me BE-në dhe se marrëdhëniet me familjen e madhe evropiane së bashku me progresin në fushat kyçe të reformave mbeten prioritetet e tyre kryesore.
Gjatë takimit në Bruksel, liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të nxjerrin në pah rëndësinë strategjike të marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, ka thënë se samiti do të jetë një mundësi për të riafirmuar angazhimin e BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të inkurajuar partnerët të përshpejtojnë reformat vendimtare për të përparuar në rrugët e tyre drejt BE-së.
Udhëheqësit gjatë këtij samiti gjithashtu do të vlerësojnë progresin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe do të diskutojnë se si ta çojnë atë më tej.
Ata do të shqyrtojnë edhe sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në mes të një peizazhi gjeopolitik gjithnjë e më kompleks.