Kadri Shala mbetet edhe për dy muaj në paraburgim për rastin e vjedhjes në Thesarin e Shtetit

Lajme

Kadri Shala mbetet edhe për dy muaj në paraburgim për rastin e vjedhjes në Thesarin e Shtetit

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 13:34
Kadri Shala

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Kadri Shalës, i dyshuar për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Këtë për median e ka konfirmuar, zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me aktvendim i ka vazhduar masën e paraburgimit të pandehurit K.SH. Të pandehurit K.SH. i është vazhduar masa e paraburgimit prej datës 24 janar 2021 deri me datë 23 mars 2021”, ka thënë Gashi.

Ditë më parë gjykata i ka vazhduar paraburgimin edhe të dyshuarit tjetër për vjedhjen e milionave nga Thesari i Shtetit, Labinot Grudës. Grudës i është vazhduar paraburgimi deri më 17 mars 2021.

Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ndodhi në tetor të vitit 2020, ku përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ministrja tashmë në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, ajo bëri të ditur se nga Thesari i Shtetit ishin “avulluar” më tepër se 2 milionë euro.

Pa dhënë shumë detaje ministrja tregoi se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një Operator Ekonomik.

Në anën tjetër Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë ende detaje shtesë se çfarë ka ndodhur me procesin e hetimit për këtë rast. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat