“Çartet” Daçiq: Izraeli njohu Kosovën, do ketë pasoja

Lajme

“Çartet” Daçiq: Izraeli njohu Kosovën, do ketë pasoja

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 20:38
Ivica Daçiq

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, në Radiotelevizionin e Vojvodinës është shprehur se diplomacia serbe ka të drejtë të indinjohet me Izraelin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sepse, sipas tij, Kosova është Jerusalemi i Serbisë.

Ai është shprehur se veprimi i Izraelit me siguri se do të lë pasoja në raportet me Serbinë.

“Ne gjithmonë kemi thënë se Kosova është Jerusalemi ynë, e tash dikush e njeh Jerusalemin tonë për shqiptar, e kjo natyrisht se nuk mund të mos lë pasoja në raportet mes Serbisë dhe Izraelit”, tha Daçiqi, kur u pyet që të komentojë deklaratën e ambasadorit të Izraelit në Serbi, Yahel Vilan, i cili shfaqi shpresën se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë “raportet e mira” mes Serbisë dhe Izraelit.

Njohja e Kosovës nga Izraeli, sipas Daçiqit, është edhe një tregues se çdo vend dhe çdo popull në botë sheh para së gjithash interesat e veta, dhe këtu, siç thotë ai, interes i Izraelit ishte që “një shtet mysliman” ta hapë ambasadën në Jerusalem.

Ai thotë se Serbia do të vendos në lidhje me raportet e ardhshme me Izraelin dhe me zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem, “bazuar në raportet e Izraelit ndaj Serbisë”.

“Edhe presidenti Vuçiq menjëherë ka thënë se raporti ndaj Izraelit do të bazohet në raportet e Izraelit ndaj nesh”, tha më tej Daçiqi.

Siç deklaron ai, në Prishtinë njohja e Kosovës nga Izraeli është përjetuar si “fitore ndaj bllokadës së njohjeve”, por Daçiqi shton se kjo “nuk është fitore ndaj bllokadës së njohjeve”, por ndihmë amerikane.

“Po të mos ishte Amerika, kjo s’do të ndodhte kurrë”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Serbisë.

Duke folur për fushatën e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, fushatë e cila sipas marrëveshjes së Uashingtonit është bllokuar deri në qershor të këtij viti, Daçiqi u përgjigj shkurt: “Do të vijë edhe ai qershor”.

“Nëse dikush mendon se vendet do të vrapojnë ta njohin Kosovën, mendoj se gabojnë. Në periudhën e fundit, 19 shtete i kanë tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe ky proces është i pandalshëm, ndoshta vetëm përkohësisht”, theksoi ai. Sipas tij, Kosova, edhe me njohjen e Izraelit, nuk e ka shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku nga 193 vota, sipas tij, Kosova mund të marrë më së shumti 93

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat