Ministri i jashtëm serb kërkon kompromis në dialog, por jo njohjen e Kosovës

Lajme

Ministri i jashtëm serb kërkon kompromis në dialog, por jo njohjen e Kosovës

Nga: F.B Më: 3 mars 2021 Në ora: 09:18
Nikola Selakoviç

Në prag të vizitës zyrtare në Berlin, ministri i jashtëm i Serbisë Nikola Selakoviç, paralajmëroi shfrytëzimin e rastit për të njoftuar homologun gjerman me atë që ka arritur Serbia, gjë që do ishte e pamenduar pa mbështetjen gjermane, për gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe dialogut politik me Berlinin, shkruajnë mediat serbe, përcjell “Bota Sot”.

Selakoviç në intervistën për gazetën e njohur gjermane “Zudojçe Cajtung”, nënvizoi se mbështetja e Gjermanisë është shumë e rëndësishme për Serbinë, posaçërisht në procesin e bashkëngjitjes në BE.

Lidhur me normalizimin e raporteve me Kosovën, Selakoviç potencoi se Beogradi ka ndërmarrë disa hapa në atë drejtim, duke përmbushur obligimet nga marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe vazhdon të pres që edhe Prishtina të përmbush obligimin e saj lidhur me Asociacionin e komunave serbe.

“Ne mbështesim rolin e të dërguarit evropian të BE-së Lajçak. Sinqerisht, besojmë se zgjidhja e vetme e kësaj çështje është kompromisi. Ndërsa kompromisi i qëndrueshëm nuk mund të përbëhet në atë që njëra palë të fitojë gjithçka, e tjetra asgjë”, ka thënë Selakoviç.

Në pyetjen e gazetarit gjerman nëse një kompromis i tillë përfshinë pranimin e Kosovës si shtet sovran, Selakoviç iu përgjigj me pyetjen “çka është atëherë kompromisi?”

“Unë nuk shoh kompromis në një kuadër të tillë. E di që Berlini e konsideron Kosovën si shtet sovran. Por Beogradi nuk e ka një vështrim të tillë, sikur as Madridi, Athina, Bratisllava, Nikozia dhe Bukureshti. Duhet të gjejmë zgjidhje që është e qëndrueshme dhe e pranueshme”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat