Dënohet e akuzuara, përfitoi kundërligjshëm mbi 5 mijë euro nga pensioni i veteranës së UÇK-së

Lajme

Dënohet e akuzuara, përfitoi kundërligjshëm mbi 5 mijë euro nga pensioni i veteranës së UÇK-së

Më: 9 mars 2021 Në ora: 17:46
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, e ka shpallur fajtore të akuzuarën që përfitoi kundërligjshëm pensionin e veteranes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Vera Mirakaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Ilirjana Hoti, e akuzuara Mirakaj është dënuar me 8 muaj burgim me kusht.

Dënimi me burgim ndaj të akuzuarës nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

E njëjta është obliguar që të dëmtuarës, përkatësisht Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumën e përgjithshme prej 5,440 euro.

Ajo këtë dëm është e obliguar që ta kompensojë në afat prej gjashtë muajsh.

Të akuzuarës i është konfiskuar edhe certifikata e veteranës luftëtare të UÇK -së.

E akuzuara Mirakaj e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet në seancën fillestare të mbajtur më 3 mars 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Vera Mirakaj, po ngarkohet me veprën penale “legalizim i përmbatjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 2-1 të KPRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, më 21 maj 2018 e deri në kohë të pacaktuar, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Gjakovë, pranë MPMS-së, ka vënë në lajthim organin kompetent të lartcekur, që në dokumentin publik-regjistrin, të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore.

Tutje sipas aktakuzës, ajo këtë e ka bërë në atë mënyrë që pranë organit të lartcekur prezanton dokumentet e falsifikuara dhe atë certifikatën mbi statusin e veteranit luftëtarë, si dhe vërtetimin e datës 16.05.2018, se kinse e njëjta është veterane luftëtare e UÇK -së, ku e njëjta edhe e përfiton pagën e veteranit në vlerë prej 170 euro, nga data 01.05.2018 deri më sot, me c’rast të dëmtuarës MPMS-së, deri në ngritje të aktakuzës i shkakton dëm material në shumën prej 5440 euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat