Bullgaria arreston rrjetin më të madh të spiunëve rusë, në mesin e tyre janë Ivan Iliev dhe Lyubomir Medarov

Lajme

Bullgaria arreston rrjetin më të madh të spiunëve rusë, në mesin e tyre janë Ivan Iliev dhe Lyubomir Medarov

Më: 19 mars 2021 Në ora: 18:28
Foto ilustrim

Agjencia Shtetërore për Siguri Kombëtare e Bullgarisë (SANS) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë kryer operacionin në shkallën më të gjerë për arrestimin e spiunëve rusë në Bullgari, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Mediat bullgare kanë raportuar se dy nga gjashtë të arrestuarit janë Ivan Iliev dhe Lyubomir Medarov.

Iliev, sipas të dhënave bullgare, ishte drejtuesi i grupit kriminal dhe ish-oficer i Shërbimit Ushtarak rus të Inteligjencës (GRU).

Zyra e Prokurorit bullgar njoftoi se grupi i spiunazhit përfshinë gjithashtu një drejtor të një regjistri për informacionin e klasifikuar në Asamblenë Kombëtare të Bullgarisë.

Sipas shtypit bullgar, një pozitë të tillë e mban një person i quajtur Lyubomir Medarov.

Analisti i sigurisë Agim Musliu ka thënë se, aksioni i arrestimit të spiunëve rusë është për t’u përshëndetur.

“Siç jemi mësuar, kjo tashmë është bërë dukuri dhe unë besoj së iu shërben popujve të cilët i arrestojnë spiunët armiqësorë”, ka thënë Musliu.

Ai më tej ka shtuar se, Bullgaria është vend anëtare e NATO-s dhe për Rusinë përbën një interes të veçantë.

“Shërbimet e sigurisë së Bullgarisë janë treguar shumë profesionale dhe kanë kryer detyrën e tyre. Bullgaria është anëtare e NATO-s, dhe kjo nuk është asgjë për t’u habitur. Viteve të fundit, kjo është dukuri e zakonshme. Askush në rajon nuk po i do rusët apo spiunët e tyre, sepse ata ndjellin vetëm keq dhe natyrshëm e kërcënojnë NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai.

“Bullgarët, si shumica e sllavëve nuk i urrejnë rusët e as Rusinë, por arrestimi i spiunëve rusë tregon për vendosmërinë që po tregon ky shtet në raport me influencën malinje ruse”, ka përfunduar Musliu.

Vlen të theksohet se më pak se dy vite më parë, edhe në Serbi, e cila njihet si aleate kulturore e Rusisë, ishte publikuar një video, ku një zyrtar i ambasadës ruse në Beograd po merrrte informacione nga një serb që vinte nga radhët e ushtrisë.

Georgy Kleban, nga ambasada ruse, ishte pjesë e GRU-së. Kjo ngjarje pati pezmatuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili publikisht kishte pyetur “Pse e tërë kjo? Nga një vend mik si Rusia, një gjë e tillë ka qenë pa sens”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat