As pas 32 vjetësh nuk dihet se sa persona sulmuan me thikë 25 vjeçarin

Lajme

As pas 32 vjetësh nuk dihet se sa persona sulmuan me thikë 25 vjeçarin

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 16:09
Foto ilustrim

Për 16 goditjet me thikë të cilat shkaktuan vdekjen e 25 vjeçarit Zekë Ukaj para 32 vitesh në Deçan, eksperti mjekoligjor Naim Uka tha se është e pamundur të përcaktohet nëse ishin bërë nga një apo më shumë persona.

Për këtë vrasje po akuzohet Hasan Zenelaj. Në aktakuzë thuhet se për qëllim të hakmarrjes, në vitin 1989 në Deçan, i pandehuri në bashkëkryerje me vëllain e tij, tani të ndjerin Selim Zenelaj, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj.

Për këtë rast, eksperti mjekoligjor është ftuar në seancën e së martës, për të dëshmuar nëse plagët e të ndjerit ishin shkaktuar me veprimin e dy personave apo me përdorimin e dy thikave.

Mirëpo në lidhje me këto rrethana, eksperti Uka tha ishte e pamundur të përcaktonte se goditjet me thikë në trupin e të ndjerit të ishin bërë nga një person apo dy persona.

“Është e pamundur të vërtetohet fakti se plagët e shkaktuara në trupin e të ndjerit janë shkaktuar nga një person apo më shumë se një person. Nuk kemi bazë mjekoligjore të themi se plaga a është shkaktuar nga një apo dy thika, bazuar në karakteristikat e plagëve të shkaktuara nga veprimi mekanik të mjetit të fortë të mprehtë”, tha eksperti Ukaj.

Ai shtoi se ekspertizën mjekoligjore e kishte bërë duke u bazuar në raportin e obduksionit të ndjerit Ukaj dhe sqaroi se plagët e tij ishin shkaktuar nga mjeti i fortë me maje apo thikë.

Sipas Ukës, sikur ekspertimi mjekoligjor të bëhej në vendin e ngjarjes, atëherë do të ishte e mundur të sqaroheshin më shumë rrethana.Në seancën e së martës, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Sami Sharraxhiu aprovoi propozimin e prokurores Sahide Gashi, që Arkivi i Komunës së Pejës ta dorëzojë dosjen e plotë origjinale të dosjes penale të krijuar për këtë rast para 302 viteve.

Këtë propozim për sigurimin e kësaj dosje penale e kundërshtoi mbrojtësi kryesor i të pandehurit, Hasan Zenelaj, avokati Ramiz Krasniqi. I njëjti shtoi se propozimi ishte i vonshëm dhe këto prova ishin të papranueshme.

Gjatë kësaj seance gjithashtu u konstatuan të lexuara dëshmitë e dëshmitarëve Musa Ramaj, Sabrije Ukaj dhe Haki Ukaj dhe përkundër udhëzimit të Gjykatës së Apelit, palët u pajtuan që të mos dilet në rikonstruim të vendit të ngjarjes, me arsyetimin se nuk do kontribuonte në zbardhjen e rastit.Seanca e radhës u caktua për 5 gusht 2021, nga ora 10:00,..

Në shkurt të vitit 2020, ish-kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, e kishte gjetur fajtor të pandehurin Zenelaj dhe e kishte dënuar me 11 vite burgim.Mirëpo, Gjykata e Apelit i kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurit, avokatëve Ramiz Krasniqi dhe Berat Tmava, me ç’rast e kishte kthyer çështjen në rigjykim, me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë nuk mund të qëndrojë si i ligjshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hasan Zenelaj, i njohur më parë me emrin Besim Zenelaj, akuzohet se më 20 tetor 1989, rreth orës 9:30, në rrugën ish “Eduar Kardeli” në Deçan, në afërsi të kanalit për ujitje, me marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj, i moshës 25 vjeçare nga fshati Strellc i Epërm.

Sipas aktakuzës, rasti kishte pikënisjen në një rrahje që kishte ndodhur më 12 qershor 1989, në mes të pandehurit dhe vëllait të tani të ndjerit.Bazuar në akuzë, tani i ndjeri Zekë Ukaj ishte përcjellë për një kohë, e pastaj i afrohen nga prapa, fillimisht i dënuari Selim Zenelaj, e kap për qafe me dorë të majtë, kurse me dorën e djathtë fillon ta godas me thikë në pjesën e përparme të regjionit të gjoksit.Gjithnjë sipas aktakuzës, kur i ndjeri në mbrojtje e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj bien në kanalin e ujit, i pandehuri Hasan Zenelaj zbret në kanal dhe derisa i dënuari Selim Zenelaj po e mbante tani të ndjerin për duarsh, e godet disa herë në shpinë e pjesë të tjera të trupit, gjithsej 16 goditje, shumicën prej tyre në organe vitale, ku për pasojë edhe ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Në shkresat e lëndës, thuhet se i akuzuari Hasan Zenaj, i njohur me emrin Besim Zenelaj, është arratisur menjëherë pas ngjarjes kritike dhe nuk i është ditur vendndodhja, me ç’rast ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 28 tetor 1989, ka lëshuar letër-rreshtim.Pasi që i akuzuari ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, thuhet se Gjykata e Pejës ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar, më 5 dhjetor 2015, ndërsa i pandehuri është arrestuar në shtetin e Zvicrës më 27 janar 2019, ku edhe është ekstraduar në Kosovë më 8 maj 2019.Kurse, ndaj të pandehurit tjetër, Selim Zenelaj, i cili akuzohet se me Hasan Zenelaj ka kryer vrasjen e rëndë, ishte vazhduar procedura, me ç’ rast, më 20 shtator 1991, ai ishte dënuar me 11 vjet burgim, me aktgjykim të plotfuqishëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat