Edhe të dielave u lejohet puna bizneseve në Podujevë

Lajme

Edhe të dielave u lejohet puna bizneseve në Podujevë

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Kuvendi Komunal i Podujevës ka pezulluar përkohësisht rregulloren e 31 janarit të vitit 2020, përmes së cilës bizneseve të kësaj komune nuk u lejohej të punonin të dielave.

Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të kësaj komune në “Facebook” thuhet se arsyeja e pezullimit të kësaj rregulloreje vjen si pasojë e dëmtimit të bizneseve gjatë pandemisë, duke synuar ringjalljen e tyre në këtë kohë kur në Kosovë vijnë bashkatdhetarët.

“Arsyeja e pezullimit të neneve të cekura, përkatësisht lejimi i punës edhe ditëve të diela për subjektet afariste/bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës, është ofrimi i mundësive për afarizëm dhe qarkullim të bizneseve me qëllim të ngritjes së tyre si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19, furnizim dhe shërbime të rregullta për qytetarët në këtë periudhë verore kur pritet edhe ardhja e një numri të madh të bashkatdhetarëve për pushime në Kosovë”, thekson KK i Podujevës.

Bëhet e ditur se ky vendim i ri do të jetë i përkohshëm dhe do të mbetet në fuqi deri më 30 shtator të këtij viti.

Vendimi i ri thuhet se hyn në fuqi 7 ditë pas publikimit të tij në uebfaqen zyrtare të Komunës së Podujevës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat