Kurti: Shoqata e Matematikanëve të Kosovës na bëri krenar me përfaqësimin në IMC 2021

Lajme

Kurti: Shoqata e Matematikanëve të Kosovës na bëri krenar me përfaqësimin në IMC 2021

Nga: M.L. Më: 12 gusht 2021 Në ora: 14:54
Foto nga takimi

Medalistët e Olimpiadës së 28-të Ndërkombëtare të Matematikës për Studentë Universitarë - IMC 2021 u pritën në takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

"Kryeministri Kurti përgëzoi Ekipin e Kosovës dhe Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës për përfaqësimin e denjë të vendit në këtë garë të rëndësishme dhe suksesin e arritur të kurorëzuar me katër medalje. Pas triumfit sportiv në Olimpiadën e Tokios, ky sukses i Kosovës në Olimpiadën e Matematikës shton krenarinë për rininë tonë dhe besimin në potencialin e saj. Në të njëjtën kohë na rikujton përgjegjësinë që institucionet shtetërore kanë për identifikimin dhe kultivimin e potencialit të të rinjve", thuhet në një komunikatë të zyrës së kreyministrit.

Në takim ishin matematikani Valmir Krasniqi, trajner e lider i ekipit dhe Koordinator i olimpiadave në Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe profesor Kajtaz Bllaca, prodekan në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe studentët medalistë të Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Arben Ajredini, fitues i medaljes së artë, Duart Nishefci, fitues i medaljes së argjendtë, Andi Sejdiu, fitues i medaljes së bronztë, si dhe student i Universitetit të Primorskës në Matematike, Besfort Shala, fitues i medaljes së argjendtë.

Anëtarët e ekipit të Kosovës e njoftuan kryeministrin Kurti lidhur me pjesëmarrjen në IMC 2021, një ndër garat më të rëndësishme botërore të matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës. Këtë vit në IMC morën pjesë rreth 600 studentë nga mbi 113 universitete.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat