Kosova deri tash ka lëshuar mbi 13 mijë tiketa ngjitëse për tabela serbe

Lajme

Kosova deri tash ka lëshuar mbi 13 mijë tiketa ngjitëse për tabela serbe

Nga: F.B Më: 11 tetor 2021 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Kosova deri tash ka lëshuar mbi 13 mijë komplete të tiketave ngjitëse për tabela të automjeteve të regjistruara në Serbi, por që qarkullojnë në Kosovë, sipas marrëveshjes së arritur për tabela në Bruksel në fund të shtatorit, shkruan “RTS”, transmeton “Bota sot”.

Ky medium citon zyrtar nga qeveria e Kosovës përkatësisht këshilltarin politik të ministrit të brendshëm Ferdinand Nikolla i cili ka deklaruar se “implementimi i marrëveshjes për tabela po shkon me dinamikë të kënaqshme, ndërsa kërkesat për tiketa ngjitëse në tabela janë në rritje”.

"Nga periudha 4 deri 8 tetor në Qendrën e regjistrimit të automjeteve janë lëshuar 3 mijë e 863 tiketa ngjitëse , ndërkohë që numri i tiketave të lëshuara në vendkalime është tri herë më i madh (9 mijë e 430), ose nëse numërohen të gjitha shifrat e tiketave të lëshuara deri tash janë 13 mijë e 293”, tha Nikolla.

Ai ka shtuar se situata në pikëkalimet po përmbushet sipas marrëveshjes së arritur me 2 tetor dhe nuk është shënuar asnjë problem apo incident, ndërkohë që beson se marrëveshja do të vazhdojë të përmbushet edhe pas largimit të trupave shumëkombëshe nga ajo zonë, por nuk ka dhënë detaje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat