Nuk ka tërheqje nga Open Balkan, Edi Rama nesër shkon në Beograd

Lajme

Nuk ka tërheqje nga Open Balkan, Edi Rama nesër shkon në Beograd

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 12:08
Open Balkan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë nesër i pranishëm në Beograd për takimet e radhës për Open Balkan që pritet të zhvillohen në datat 3 dhe 4 nëntor.

Zyra e kryeministrit ka konfirmuar për Euronews Albania se nuk ka asnjë ndryshim plani për takimin e nesërm, pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Pritet që në takimin e nesërm të jetë i pranishëm në Beograd një përfaqësues i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq vuri në dyshim zhvillimin e takimeve në Beograd, pasi në një postim në Facebook u shpreh se, “mbështetje e fortë Open Balkan. A duhet të mbajmë apo shtyjmë një takim në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup?”.

Open Balkan është një nismë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të angazhohen.

Në fund të muajit korrik liderët, Rama, Zaev dhe Vuçiç firmosën tri marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat