Ekspozita e nxënësve kundër trafikimit me njerëz do të jetë e hapur në MASHTI për një muaj

Lajme

Ekspozita e nxënësve kundër trafikimit me njerëz do të jetë e hapur në MASHTI për një muaj

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 13:23
Foto ilustrim

Ekspozita e nxënësve kundër trafikimit me njerëz do të jetë e hapur në MASHTI për një muaj

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka organizuar sot ceremoninë përmbyllëse të garës nacionale për pikturën më të mirë në nivel të arsimit të mesëm të ulët me temë kundër trafikimit me njerëz, ndërkohë që shpërbleu nxënësit për pikturat më të mira.

Me këtë rast në objektin e MAShTI-t është hapur edhe ekspozita me punime të nxënësve që kanë marrë pjesë në këtë garë, e cila do të jetë e hapur për një muaj.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se përmes kësaj ekspozite përveç që po promovohet talenti i fëmijëve po jepet edhe një mesazh shumë i rëndësishëm kundër trafikimit me njerëz.

Nagavci: I bashkohemi thirrjeve për mobilizim në luftimin e kësaj dukurie të errët

I bashkohemi thirrjeve të koordinuara të institucioneve tona në Republikën e Kosovës, po edhe atyre ndërkombëtare për mobilizim edhe më të mirë në luftimin e kësaj dukurie të errët, e cila cenon rëndë të drejtat e njeriut gjithandej globit, po përtej kësaj edhe në vetëdijesimin dhe në mobilizimin e të gjithë neve si shoqëri që të mos kemi raste të tilla në të ardhmen. Ne kemi qenë pjesë aktive e punës në zbatimin e strategjisë nacionale dhe planit të veprimit, duke ushtruar fuqishëm rolin që na takon në parandalimin e kësaj dukurie të shëmtuar nëpërmjet edukimit dhe arsimimit cilësor dhe nëpërmjet vetëdijesimit për rreziqet nga kjo dukuri kriminale. Ju e dini që MASHTI i ka të integruara në kurrikulat e saj këtë temë në programet lëndore dhe në veprimtarinë në kapituj të veçantë dhe në përgjithësi të ndërlidhura me gjithë programin tonë, kryesisht tek lëndët e Edukatës Qytetare, e cila mësohet në të gjitha nivelet e arsimit, por edhe në lëndën Aftësi për Jetë në një kapitull të veçantë”, tha ajo.

Nagavci u shpreh se kanë organizuar edhe trajnime të shumta për mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollave, në mënyrë që të trajtohet kjo temë me profesionalizëm dhe me ndjeshmëri.

Naim Muja, nga Ministria e Punëve të Brendshme, tha se si institucione po i bashkërendojnë aktivitetet në parandalimin e trafikimit me njerëz.

Muja: Si Zyrë e koordinatorit nacional po i koordinojmë punët me të gjitha ministritë

Ne, si Zyrë e Koordinatorit nacional po i koordinojmë punët me të gjitha ministritë...Fitues jeni të gjithë, gara është për fituesit, nuk ka humbës. Unë duke ardhur lartë i pash pikturat, më të vërtetë është shumë vështirë me zgjedh cila është më e mira”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i hetuesisë kundër trafikimit në Policinë e Kosovës, Fehmi Gjata, tha se Policia prioritet të angazhimit e ka organizimin e aktiviteteve parandaluese.

Gjata: Policia e Kosovës ka zhvilluar mekanizma të veçantë sa i përket luftës kundër trafikimit me njerëz

Policia e Kosovës në kuadër të mekanizmit të saj ka zhvilluar mekanizma të veçantë sa i përket luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, respektivisht ka krijuar Drejtorinë për hetime të trafikimit me qenie njerëzore si drejtori e specializuar dhe e profilizuar për çështjen e parandalimit, çështjen e hetimit, luftimit, por po ashtu edhe asistimit dhe mbrojtjes së viktimave...Prioritet i angazhimit të drejtorisë tonë në vazhdimësi mbeten aktivitetet parandaluese, andaj përveç të tjerash drejtoria jonë në bashkëpunim me MASHTI ka qenë e kyçur edhe në ligjërata në disa komuna nëpër shkolla, duke e përfshirë këtu dhe duke mos e anashkaluar edhe Mitrovicën e Veriut”, tha ai.

MASHTI ka ndarë mirënjohje dhe dhurata për tri vendet e para të kësaj gare, mirëpo edhe për të gjithë nxënësit që kanë marrë pjesë në këtë garë ka ndarë mirënjohje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat