Gjatë këtij viti në Kosovë u braktisën 14 fëmijë

Lajme

Gjatë këtij viti në Kosovë u braktisën 14 fëmijë

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 23:22
Foto ilustrim

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka bërë të ditur se nga janari i këtij viti e deri më tani, janë braktisur 14 fëmijë në Kosovë.

Numri i fëmijëve të braktisur krahasuar me vitet e kaluara ka filluar të bjerë dukshëm. Këtë e thonë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku nga muaji janar 2021 deri më tani janë evidentuar 14 raste të fëmijëve të braktisur.

Të njëjtën gjë e thonë edhe nga reparti i Neonatologjisë.

Në repartin e Neonatologjisë në QKUK ku është dhoma e posaçme për kujdesin e tyre, nuk ka asnjë fëmijë të braktisur tash e disa javë.

Kryeinfermierja e repartit e cila me vite punon me këtë fëmijë, thotë se nuk i ka ndodhur asnjëherë që të shoh këtë dhomë boshe.

“Deri më sot, nuk ka ndodh për këtë përvojën time me mbet kështu pa asnjë fëmijë”, tha Lushe Jusufi.

Se numri i fëmijëve të braktisur është ulur e thonë nga ky repart, madje sipas tyre shumica e fëmijëve të braktisur gjatë këtij viti janë ribashkuar me familjet e tyre. Zakonisht këta fëmijë qëndrojnë në QKUK deri në moshën neonatale që i bie deri në 28 ditë ose mund të qëndrojnë edhe në një muaj.

Pas përfundimit të kësaj periudhe në këtë klinike, është punëtori social ai i cili merret me procedurat ligjore për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur.

Nga MPMS kanë treguar se procedura e mëtutjeshme ndahet në forma të ndryshme, si kujdestari, strehim familjar brenda farefisit, strehim në strehimore me qëndrim të përkohshëm apo adoptim.

Organi i kujdestarisë së Qendrës për Punë Sociale komunale është i obliguar që me prioritet të angazhohet për bashkimin familjar të fëmijës me familjen biologjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat