Disa fshatrave të Mitrovicës, rrezikojnë të bllokohen nga bora

Lajme

Disa fshatrave të Mitrovicës, rrezikojnë të bllokohen nga bora

Më: 14 janar 2022 Në ora: 16:53
Rruga për në fshatin Kaçandoll

Banorët e fshatit Bajgorë, Kaçandoll e Kovaçicë të Mitrovicës së Jugut rrezikohen të bllokohen nga bora.

Imer Xhafa, banor i fshatit Bare, në një rrëfim thotë se me rritjen e intensitetit të borës pritet të vështirësohet qarkullimi në këto fshatra.

“Në lagjet e Bajgorës, Kaçandollit dhe Kovaçicës atje bie më shumë borë dhe trashësia e borës është shumë më e madhe sesa në fshatrat tjerë për shembull në Bare, Reçan etj. Janë fshatra më të thella, frynë erë më e madhe që i bllokon rrugët”, ka thënë Xhafa.

Duke pasur parasysh se këto fshatra janë në zonë malore, Xhaferi thotë se trashësia e borës është 60 për qind më e lartë se sa në qytet.

Ai shpreh shqetësim edhe për disa lagje të tjera për të cilat thotë se qarkullimi është i vështirë.

“Lagjja Xhaferi aty është vështirë për qarkullim edhe lagja Osmani, është rrugë e papërshtatshme dhe qarkullimi është më i vështirë”, përfundon Xhafa.

Këto fshatra janë pjesë e rrugës regjionale Mitrovicë-Bajgorë të cilat kanë mbetur pa kompani mirëmbajtëse të rrugëve.

Përveç kësaj, edhe rrugët Mitrovicë-Prishtinë dhe Mitrovicë-Suharekë kanë mbetur në mëshirën e fatit.

Malë Lokaj, nga departamenti i menaxhimit të rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, tha se kanë gjetur një zgjidhje të përkohshme për këtë regjion.

“Në këtë rast jemi organizuar me regjionet fqinje, ta zëmë njërën anë Peja dhe rajonet tjera që i përfshinë Prishtina 1 dhe Prishtina 2 kah Podujeva jemi kombinuar për të gjetur operatorin ekonomik të veriut që ta mbulojë edhe këtë pjesë përkohësisht deri të bëhet përzgjedhja e përhershme”, ka theksuar Lokaj.

Në anën tjetër, komuna e Mitrovicës Jugore nuk është interesuar për të parë nëse rrugët e këtij regjioni janë të kalueshme.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Granit Tmava, në një bisedë ka thënë se ky regjion është nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe se nuk mund të bëjnë diçka më shumë në këtë drejtim.

“Rrugët e regjionit për të cilën ju po flisni janë nën menaxhimin e MI-së, andaj nuk kemi asgjë në dorë për këtë çështje. Krejt çfarë mund të të them është se rrugët janë të kalueshme”.

Teksa është pyetur se kush i ka pastruar rrugët e këtij regjioni, pasi nuk ka kompani mirëmbajtëse, Tmava, nuk ka pasur përgjigje.

Procedurat për këtë çështje kanë ngecur tek Organi Shqyrtues i Prokurimit që nga data 1 dhjetor 2021.

Ndërsa ka më shumë se nëntë muaj që Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord.

Atij të vjetrit i skadoi kontrata e për bordin e ri konkursi që është shpallur gjatë muajit maj është rishpallur meqë emrat e zgjedhur për këtë bord nuk morën besimin e deputetëve.

Nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë bërë të ditur se gjatë tërë javës moti do të jetë me temperatuara të ulëta dhe me ngrica e reshje bore.

“Temperaturat minimale për gjatë këtyre ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet -8 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 3 gradë Celsius. Në viset malore përveç reshjeve të dendura të borës parashihen temperatura më të ulëta për 3-5 gradë Celsius, varësisht nga lartësia mbidetare”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat