Krejt çka ndodhi mbrëmë në Merdare, ku u arrestua koordinatori që po e sillte materialin e referendumit

Lajme

Krejt çka ndodhi mbrëmë në Merdare, ku u arrestua koordinatori që po e sillte materialin e referendumit

Më: 15 janar 2022 Në ora: 08:42
Merdare

E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka njoftuar të premten në mbrëmje se në pikën kufitare Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndalur një koordinator i cili ka tentuar të fuste në Republikën e Kosovës materialin zgjedhor për referendumin serb.

Sipas njoftimit, koordinatori i këtij komisioni, Marko Jankoviq, ishte i shoqëruar nga dy kamionë që transportonin material zgjedhor, lidhur me çka “ishte njoftuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë”.

Mes tjerash në njoftim është thënë se Policia e Kosovës ka konfiskuar dy kamionët dhe ka arrestuar zyrtarin e komisionit, si dhe vozitësit e kamionave.

Në njoftim është thënë edhe se zyrtari i Komisionit është dërguar “në drejtim të panjohur”.

Lidhur me këtë çështje është thënë të jenë njoftuar edhe zyrtarë evropianë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte i obliguar që sonte të merrte përsipër materialin zgjedhor në përputhje me mandatin e saj në terren, por edhe gatishmërinë e shprehur për organizimin e referendumit, për të cilin jemi njoftuar me një letër të datës 22 dhjetor të vitit të kaluar. Mirëpo, sonte misioni i OSBE-së, jo vetëm që nuk ka marrë përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdare, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”, përmendet në njoftim.

Policia e Kosovës dhe OSBE-ja ende nuk janë prononcuar lidhur me këto zhvillime.

Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Krerët e institucioneve thanë se qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi përmes postës apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, por jo në njē proces të organizuar nga OSBE’ja.

Më heret më 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi. Ata i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës u kanë bërë thirrje vendeve të Quint-it që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë.

Referendumi për ndryshimet e kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat