Serbët protestojnë në Mitrovicë, improvizojnë referendumin - Rakiq paralajmëron reciprocitet

Lajme

Serbët protestojnë në Mitrovicë, improvizojnë referendumin - Rakiq paralajmëron reciprocitet

Më: 16 janar 2022 Në ora: 09:41
Ata janë mbledhur në veriun e Mitrovicës.

(E plotësuar 09:50) - Përfundon tubimi i serbëve në Mitrovicë, flet policia: Nuk pati incidente

Një grup serbësh janë mbledhur në Mitrovicën Veriore për të kundërshtuar mosmbajtjen e referendumit serb në Republikën e Kosovës. Policia ka konfirmuar se tubimi i tyre ka përfunduar dhe aty nuk është shënuar ndonjë incident.

Zëdhënsi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, tha se tubimi ka zgjatur rreth gjysmë ore.

“Nuk ka incidente, ka qenë tubim si kundërshtim për referendumin. Ka përfunduar dhe nuk ka telashe”, tha Hoti.

Ai tha se ky ka qenë tubim dhe jo protestë, ndërsa një protestë është lajmëruar të mbahet në orën 12:00.

Tutje, Hoti tha se tubimi është bërë gjatë kohës sa serbët janë mbledhur për të shkuar për votime në Serbi.

Në mesin e personave që u panë në këtë tubim janë ministri Goran Rakiq, deputeti Igor Simiq, si dhe kryetarët e komunave veriore të vendit.

Gjatë kësaj kohe, serbët kanë vendosur një kuti votimi në qendër të qytetit si performancë, ku kanë “votuar” disa nga të pranishmit.

Mbrëmë vonë, Komisioni i Zgjedhjeve atje ka marrë vendim që serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete të Serbisë si: Kurshumlia, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranjë, kjo pasi Kosova nuk lejoi mbajtjen e referendimit serb në Republikën e Kosovës.

Për këtë çështje Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi.

Rakiq paralajmëron reciprocitet nëse nuk lejohet organizmi i zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë më 3 prill

Kryetari i Listës Serbë Goran Rakiq, ka paralajmëruar se do të vendosin reciprocitet nëse edhe më 3 prill nuk lejohen mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosove.

Ai në një deklarim për media të dielën ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese edhe në Kosovë.

”Kërkojmë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Nëse me 3 prill nuk lejohen zgjedhjet e Serbisë atëherë do të vendosin reciprocitet. Qysh po sillet Prishtina do të sillemi edhe ne”, tha Rakiç.

Kuvendi i Kosovës të shtunën ka miratuar një rezolutë e cila ndalon mbajtjen e këtij referendumi.

Shtetet e QUINT-it, kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejojë një gjë të tillë, por ekzekutivi kishte thënë se një gjë e tillë nuk do të lejohet, pasi përbën shkelje të sovranitetit të vendit.

***

Rreth 100 qytetarë serbë po protestojnë sot në veri të Mitrovicës, pas miratimit të rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës.

Në mesin e protestuesve janë edhe ministri Goran Rakiq, deputeti Igor Simiq, si dhe kryetarët e komunave veriore të vendit. Ndërsa protestuesit mbajnë në duar pankarta me mbishkrimet “Serbët nga Kosova janë fuqishëm me shtetin e tyre Serbinë”, “Votoj për paqe jo për terror”, “Edhe serbët kanë të drejtat njerëzore”, dhe të ngjashme.

Për pak minuta pritet që para mediave të flas ministri për kthim dhe komunitete, Goran Rakiq.

Image
Ata janë mbledhur në veriun e Mitrovicës

Ata kanë vendosur një kuti votimi në qendër të qytetit si performancë, ku kanë votuar disa nga të pranishmit.

***

Në orën e hershme të mëngjesit serbët kanë nisur një protestë duke kërkuar mbajtjen e referendumit edhe në Kosovë.

Ata janë mbledhur në veriun e Mitrovicës.

Kësaj proteste i prin kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq.

Të shtunën Kuvendi i Kosovës me anë të një rezolute e ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit në vendin tonë.

Njëkohësisht sot është edhe përvjetori i vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat