Konfirmohet aktakuza ndaj Haxhi Shalës, akuzohet se i tha zyrtarit të Komunës ‘ma ke një gjak borxh’

Lajme

Konfirmohet aktakuza ndaj Haxhi Shalës, akuzohet se i tha zyrtarit të Komunës ‘ma ke një gjak borxh’

Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 12:27
Haxhi Shala

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Haxhi Shalës, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate.

Ai akuzohet se kanosi me fjalët “ma ke borxh një gjak”, Ahmet Morinën, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, avokatit Xhevdet Smakiqi, e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e 14 tetorit 2021, kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Shala, me arsyetimin se aktakuza është e bazuar dhe e mbështetur në prova të pranueshme dhe asnjëra nga provat nuk është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Smakiqi, për shkak të shkeljes esenciale dispozitave të procedurale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

I njëjti ka propozuar që Gjykata e Apelit ankesën ta aprovojë si të bazuar, aktvendimin e ankimuar ta ndryshojë, në mënyrë që ta hudhë aktakuzën e ushtruar ndaj Shalës.

Tutje, prokurori i Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse vendimi i ankimuar të vërtetohet.

Ndërsa, Apeli pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës në këtë çështje penale ka gjetur se ankesa e avokatit Smakiqi nuk është e bazuar.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e më sipërme ankimore të mbrojtësit të të pandehurit në këtë drejtim nuk janë të bazuara, aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë me të cilën është refuzuar kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës e ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit, është i bazuar, është i drejtë dhe i ligjshëm, i njëjti nuk përmban shkelje për të cila pretendohet në ankesë”, thuhet në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Në vazhdimin e arsyetimit të Gjykatës së Apelit thuhet se kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se në rastin konkret, aktakuza si e tillë është e përpiluar në pajtim me nenin 241, paragraf 1, të Kodit të Procedurës Penale dhe e njëjta nuk përmban të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale.

Ndryshe, ish-deputeti Shala ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 1 shtator 2021.

Aktakuza e ngritur më 2 korrik 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ngarkon Haxhi Shalën se në gusht të 2020-ës në Kuvendin Komunal në Malishevë, seriozisht kanos personin zyrtar, drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina.

Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, pasi që i dëmtuari Morina merr vendim për anulimin e pëlqimit me të cilin i kishte lejuar kompanisë “Ylli Mineral”, për rregullimin e dokumentacionit me qëllim të shfrytëzimit të gurores në zonën kadastrale Gajrak,

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Shala fillimisht e kërcënon përmes telefonit dhe më pas i shkon i revoltuar në zyrë të dëmtuarit, duke iu drejtuar me fjalët “më ke dëmtuar një milion euro që i kam investuar, ke me ma pa sherrin, nëse nuk e tërheq vendimin, deri të premten, ma ke borxh një gjak”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pikërisht të premten i dëmtuari informohet se tre persona kanë qenë në komunë dhe kanë pyetur për të dhe i frikësuar nga fjalët e të akuzuarit dhe interesimi i atyre personave, i dëmtuari shkon në polici dhe në atë moment i akuzuari e telefonon të dëmtuarin duke e pyetur se a e ka tërhequr vendimin dhe me këto veprime tek i dëmtuari shkakton shqetësim dhe frikë.

Për këtë, Shala akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat